Saimir Tahiri firmosi propozimet për ndryshimin e neneve të Kodit Penal, që kanë lidhje me drogën. Bie në sy ndryshimi i Nenit 283 të Kodit Penal, që parashikon mosdënimin me burg për përdoruesit e drogës, ose ato që kapen me sasi të vogla hashashi, kokaine, heroine apo çdo lloj tjetër narkotikësh.
Me ne fund edhe duket se Shqiperia do diferencoje trafikuesit e droges nga perdoruesit e saj. Nuk është e saktësuar ende sasia limit që ndan përdoruesin nga trafikanti, por ato që kapen me “sasi të vogla” tashmë do të dënohen me gjobë, jo me burg, siç ishte në ligjin e vjetër.
Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Brendshme, janë arsyetuar me problemet e hetimit të çështjeve me narkotikët. Rreth 70 përqind të personave konsumatorë të narkotikëve që kap policia, nuk procedohen penalisht nga prokuroria, thonë hartuesit e projektligjit.
Për këtë arsye mbajtja dhe shitja e lëndëve narkotike mbi sasinë e përcaktuar nga ligjvënësi dhe që gjithsesi konsiderohet e vogël, të ketë dënim më të ulët se mbajtja apo shitja në sasi të mëdha.
Drafti i është dorëzuar mesditën e kësaj të premte Këshillit të Ministrave dhe së shpejti pritet t’i kalojë për shqyrtim komisionit parlamentar të ligjeve, për t’iu drejtuar më pas seancës së Kuvendit për miratim.
DENIM ME I MADH PER KULTIVUESIT
Ndërkohë, në nenin 284, përveç kultivimit të narkotikëve propozohet të përfshihet edhe tregtimi i farërave. Ashtu si për nenin 283, edhe këtu propozohet një përshkallëzim i dënimeve në bazë të rrezikshmërisë së veprës penale.
Sa më e madhe të jetë sasia e bimëve të kultivuara aq më i lartë do të jetë dënimi, por se cilat janë sasitë e vogla, të mëdha dhe shumë të mëdha, këto do të përcaktohen me ligj të veçantë njësoj si për lëndët narkotike në nenin 283.
Ndërkohë sugjerohet që subjekt i ligjit antimafia për hetimin pasuror të jenë edhe rastet e kultivimit në sasi të mëdha, ose rasteve të organizimit dhe financimit të kësaj verimtarie.
Në draft theksohet se të gjitha këto ndryshime të propozuara në Kodin Penal, është e nevojshme të shoqërohen me miratimin edhe të një neni transitor që do të sanksionojë zbatimin e neneve të mëparshme deri në miratimin e ligjit për përcaktimin e sasive të lëndëve dhe bimëve narkotike që do konsiderohen për konsum vetjak, në sasi të vogla dhe në sasi të mëdha.
Dënimet për trafikantët dhe kultivuesit
1- 3 vjet burg për sasitë e vogla
3- 7 vjet burg për sasitë mesatare
5- 10 vjet burg për sasitë e mëdha
Dënimet sipas sasive të drogës
1- 5 vite burg për sasitë e vogla
10 vite burg për sasitë e mëdha
Dënimet për konsum vetjak
-Shkelje Administrative – Dënim me gjobë
MINISTRI
Nr.______prot. Tiranë, më___.___. 2016
Lënda: Propozim për ndryshime në Kodin Penal dhe Ligjin Antimafia.
Drejtuar: Këshillit të Ministrave
Tiranë
Në përgjigje të problematikave që janë hasur në zbatim të legjislacionit penal në lidhje me veprat penale në fushën e drogës, propozojmë disa ndryshime në Kodin Penal dhe Ligjin Antimafia, si vijon:
A. Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal për veprat penale në fushën e drogave.
Neni 283, ndryshon si vijon:
Neni 283
Mbajtja e paligjshme, tregtimi dhe trafikimi i narkotikëve
1. Konsumi dhe mbajtja e sasive që me ligj konsiderohen për konsum vetjak nuk përbëjnë vepër penale por kundërvajtje administrative.
2. Shitja, ofrimi për shitje, blerja, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi i lëndëve narkotike ose psikotrope si dhe mbajtja ne një sasi më të madhe se ajo që me ligj konsiderohet për konsum vetjak, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Po kjo, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se njëherë, dënohet me burgim nga pesë deri në shtatë vjet.
Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga shtatë deri në dhjetë vjet.
3. Mbajtja, Shitja, ofrimi për shitje, blerja, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi i substancave narkotike ose psikotrope të cilat me ligj konsiderohen si sasi të mëdha, dënohet me burgim nga shtatë deri në dhjetë vjet.
Po kjo, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tetë deri në dymbëdhjetë vjet.
Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 283/a “Trafikimi i narkotikëve”, ndryshon si më poshtë:
Neni 283/a
Trafikimi ndërkombëtar i narkotikëve.
Importimi, eksportimi, tranzitimi në kundërshtim me ligjin, i substancave narkotike ose psikotrope, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
Argumentet për ndryshimet në nenin 283 dhe 283/a të Kodit Penal:
1. Propozohet që konsumi dhe mbajtja për konsum vetjak i një sasie të kufizuar lënde narkotike të konsiderohet shkelje administrative dhe jo penale. Kjo është një praktikë e ndjekur nga shume shtete të Evropës. Kujtojmë se policia e shtetit kap shumë persona që janë konsumatorë dhe mbajtës të sasive të vogla të lëndëve narkotike. 70% e këtyre rasteve përfundojnë me mosfillim të procedimit penal nga prokuroria. Edhe për rastet që fillojnë procedimet penale kërkohet një angazhim tepër i madh burimesh dhe ekspertizë për te vërtetuar “dozën ditore” të një konsumatori rast pas rasti pasi ajo ndryshon nga një individ në tjetrin për shkak të stadit të ndryshëm të karrierës në konsumin e lëndëve narkotike (doza ditore është më pak tek një person që sapo ka filluar të konsumojë lëndë narkotike dhe më e madhe tek një person i avancuar). Për vërtetimin e këtyre zhvillohen seanca gjyqësore pa fund dhe me pjesëmarrjen e një numri të madh ekspertësh, duke sjellë shpenzime gjyqësore të panevojshme dhe shterim te burimeve.
Neni 283 është neni më problematik në zbatimin e tij nga prokuroria dhe gjykata. Titulli i tij është prodhimi dhe shitja e narkotikëve, por në përmbajtjen e nenit nuk përmendet fare prodhimi i lëndëve narkotike.
2. Sugjerohet që mbajtja, shitja etj e lëndëve narkotike mbi sasinë e përcaktuar nga ligjvënësi dhe që gjithsesi konsiderohet e vogël, të ketë dënim më të ulët se mbajtja apo shitja në sasi të mëdha.
3. Kapjet në sasi te mëdha të konsiderohen “trafik i narkotikëve” dhe tranzitimi apo tregtimi jashtë vendit të konsiderohet “trafik ndërkombëtar i narkotikëve”.
4. Këto ndryshime do te sjellin përshkallëzim më të drejtë të sanksioneve bazuar mbi rrezikshmërinë e veprës penale.
Neni 284 “Kultivimi i bimëve narkotike”, ndryshon si më poshtë:
Neni 284
Tregtimi i farërave dhe kultivimi i bimëve narkotike
Importimi, eksportimi, tranzitimi, mbajtja, transportimi, blerja, shitja, dorëzimi në çdo formë i farërave të bimëve narkotike pa leje dhe autorizim sipas ligjit, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.
Kultivimi në sasi që me ligj konsiderohen të vogla i bimëve, që shërbejnë ose dihet se shërbejnë për prodhimin dhe nxjerrjen e lëndëve narkotike dhe psikotrope, pa leje dhe autorizim sipas ligjit, dënohet me burgim deri në një vit.
Kultivimi i këtyre bimëve mbi sasitë e konsideruara të vogla, por që gjithsesi nuk arrijnë sasitë që me ligj konsiderohen të mëdha dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Kultivimi i këtyre bimëve në sasi që me ligj konsiderohen të mëdha dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Po këto vepra, kur kryhen në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënimit të dhënë i shtohet 1/3.
Organizmi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Argumentet për ndryshimin e nenit 284 të Kodit Penal:
Propozohet që tregtimi i farërave të bimëve narkotike të përfshihet në këtë nen pasi ka më shumë lidhje me kultivimin e bimëve narkotike se sa me shitjen apo trafikimin e lëndëve narkotike. Ashtu si për nenin 283, edhe këtu propozohet një përshkallëzim i dënimeve në bazë të rrezikshmërisë së veprës penale. Pra sa më e madhe të jetë sasia e bimëve të kultivuara aq më i lartë do të jetë dënimi. Se cilat janë sasitë e vogla, të mëdha dhe shumë të mëdha, këto do të përcaktohen me ligj të veçantë njësoj si për lëndët narkotike në nenin 283.
Të gjitha këto ndryshime të propozuara në Kodin Penal, është e nevojshme të shoqërohen me miratimin edhe të një neni transitor që do të sanksionojë zbatimin e neneve të mëparshme deri në miratimin e ligjit për përcaktimin e sasive të lëndëve dhe bimëve narkotike që do konsiderohen për konsum vetjak, në sasi të vogla, në sasi të mëdha etj.
B. Ndryshimet e propozuara në Ligjin Nr. 10 192, Datë 3.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese Kundër Pasurisë” i ndryshuar (Ligji Antimafia)
Në nenin 3, germa “ç” të Ligjit Nr. 10192, Datë 3.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese Kundër Pasurisë”, i ndryshuar (Ligji Antimafia) , pas nenit 283/a shtohet neni “284, paragrafi 3,4 dhe 6,”.
Duke Ju falënderuar për mirëkuptimin,
MINISTRI
SAIMIR TAHIRI