Home KRYESORE Shërbimet sekrete futen në “lojë” për lidhjet kriminale të gjyqtarëve?!

Shërbimet sekrete futen në “lojë” për lidhjet kriminale të gjyqtarëve?!

Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar apo të lidhur me krimin, duket se nuk kanë më asnjë shpresë. Paralelisht me ILDKP, e cila ka nisur kontrollin e pasurisë për njerëzit e drejtësisë në vend, po bëhet dhe verifikimi i figurës së tyre. Pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka nisur dorëzimi i formularëve nga gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe puna për verifikimin e tyre. Por si do bëhet verifikimi i të shkuarës së njerëzve të drejtësisë shqiptare?

DSIK ka zbardhur udhëzimin, në të cilin jepen detaje se si duhet të plotësohet deklarata për pastrimin e figurës dhe rrugët që do ndiqen më pas nga institucioni. Fillimisht u bëhet thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve që ta plotësojnë formularin pa gabime. Po ashtu u kërkohet që në rubrikat ku ata nuk kanë pse të japin informacion, duhet të shkruajnë “E paaplikueshme”. Në udhëzim është përcaktuar dhe kategoria e gjyqtarëve dhe prokurorëve që do preken nga procesi i verifikimit. Sipas tij, person i përfshirë në krimin e organizuar” është çdo person që është dënuar ose proceduar penalisht, brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për një nga veprat e parashikuara në pikën 1, të nenit 3, të ligjit nr. 10 192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar, me përjashtim të rastit kur është deklaruar i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë. Më tej theksohet se personi konsiderohet i përfshirë në krimin e organizuar edhe kur: a) procedimi penal i filluar ndaj tij pushohet nga organi procedues për shkak të vdekjes, ose sepse nuk mund të merret si i pandehur dhe nuk mund të dënohet; b) deklarohet i pafajshëm nga gjykata pasi vepra penale është kryer nga një person, që nuk mund të akuzohet ose dënohet. Në udhëzim theksohet se secila prej tyre kategorive preket nga vetingut.

Kontroll kushërinjve të largët

Gjyqtarët dhe prokurorët kur të dorëzojnë deklaratën e pastërtisë së figurës, duhet ta shoqërojnë atë me certifikatë familjare. Por sipas udhëzimit, kontrolli mund të shtrihet shumë herë më larg. Në këtë mënyrë, mund të kontrollohen lidhjet kriminale deri te kushërinjtë e katërt, ndërsa në radhët e krushqive deri në shkallën e dytë. “Me termin “anëtar familjeje”, do të kuptohet bashkëshorti/bashkëshortja, i afërt deri në shkallë të katërt ose krushqi deri në shkallë të dytë, personi i lidhur me detyrime birësimi ose që bashkëjeton në mënyrë të përhershme me njërën nga palët”, theksohet në udhëzim.

Nis kontrolli

Sipas burimeve pranë DSIK, janë dorëzuar një sërë deklaratash dhe për to ka nisur puna e verifikimit. Mësohet se DSIK ka vënë në lëvizje Shërbimin Informativ Kombëtar dhe Shërbimin e Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHKÇBA). Nga ana tjetër, kjo është përcaktuar dhe në udhëzim. “Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar fillon menjëherë procedurën e kontrollit të figurës , në përputhje me parashikimet e nenit 4, pika 4, si dhe të nenit 37, 38 të këtij ligji ( Ligji Nr. 84/2016 “Për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”)”, thuhet aty. Sipas udhëzimit DSIK, me SHISH dhe SHKÇBA brenda 60 ditësh kthejnë përgjigje pranë Komisionit të Verifikimit nëse deklarata e gjyqtarit apo prokurorit është e saktë apo jo./sot.com.al/

Share: