U nënshkrua marrëveshja mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Postës Shqiptare, për një reformim tërësor të shërbimit ndaj publikut.
Prej datës 21 nëntor, të gjitha kërkesat për dokumente pronësore dhe biografike do të kryhen në Postën Shqiptare, sipas praktikës ndërkombëtare arkivore të “kërkimit me pagesë“.
Filozofia e Arkivave parashtron se arkivat janë të hapura për këdo që dëshiron t’i shfrytëzojë, por lehtësojnë dhe ofrojnë shërbim në shtëpi për cilindo individ të cilit i nevojiten arkivat.
Prandaj, kjo marrëveshje e negociuar prej dy muajsh, është e një rëndësie të veçantë dhe është reformë tërësore. Ne e kemi kthyer shërbimin e dokumenteve pronësore dhe biografike nga një proces atipik shqiptar, në përputhje të plotë me praktikën ndërkombëtare arkivore të “kërkimit me pagesë“.
Prej datës 21 nëntor, qytetarët nga i gjithë vendi nuk do të duhet të udhëtojnë katër herë për në Tiranë, por mjafton të shkojnë në pikën më të afërt të Postës dhe të aplikojnë.
23 ditë më vonë mjafton të shkojnë sërish në atë zyrë Poste, për të marrë përgjigjen. Ky ndryshim rrënjësor vjen në përputhje me prioritetet kyçe të qeverisjeve shqiptare, që është transparenca, lufta ndaj korrupsionit, i cili shmanget kur qytetari dhe specialisti kërkues nuk kanë kontakt të drejtpërdrejtë, si edhe shërbimi i shpejtë dhe cilësor ndaj qytetarëve.
Nga ana tjetër, kjo marrëveshje mundëson që burimet njerëzore të arkivit t’i japin peshën e nevojshme shërbimit ndaj studiuesve, gjë që, për shkak të specifikave të deritanishme, ishte lënë pas dore.
Kjo marreveshje u nenshkrua nga drejtoret respektive te ketyre dy institucioneve publike, ardit Bido per Arkivat qendrore te shteit dhe per Posten Shqiptare Majlind Lazimi.