Home KRYESORE Kush janë nacionalistët dhe kush janë patriotët

Kush janë nacionalistët dhe kush janë patriotët

Nga Ben Blushi*

Në këtë parlament janë zhvilluar gara të ndryshme mes burrave që konkurrojnë për pushtet dhe ditët e fundit, me kërkesë të Kryeministrit që kemi, ka nisur një garë e re:

Kush është më nacionalist!

Nëse do duhej të bënim një kalim të shpejtë në historinë e Evropës, është e thjeshtë të kuptohet se kush ka patur më shumë të drejtë, nacionalistët apo patriotët.

Nacionalistët e kanë shkatërruar Evropën, patriotët e kanë bashkuar.

Ky është ndryshimi mes tyre.

Evropa është shkallmuar dhe ka shkuar në luftë sa herë kanë triumfuar nacionalistët dhe është zhvilluar sa herë kanë dominuar patriotët dhe askund tjetër ata nuk janë përplasur me më shumë zell, me më shumë urrejtje dhe antagonizëm.

Për këtë arsye, Evropa e ka të qartë se çfarë është një nacionalist dhe çfarë është një patriot.

E ka mësuar këtë leksion historik duke derdhur gjak.

Unë e di që në kushtet e një vendi si Shqipëria, të cilit historia i ka dhënë shumë pak mundësi të dallojë nacionalizmin ekstrem nga patriotizmi i duruar, është e vështirë të gjesh një të mesme në shtegun e ngushtë, që në shumë raste nacionalistët e kapërcejnë për t’u trukuar si patriotë.

Nacionalistët shqiptarë, për aq sa mund të quhen nacionalistë, kanë patur bindjen se sa herë qeverisin keq dhe për këtë shkak mund të humbin pushtetin, duhet të sillen si nacionalistë të eksituar.

Për fatin e mirë të nacionalistëve, fqinjët tanë kanë dhuruar aq shumë ushqim duke i mbajtur ata gjallë deri në ditët tona dhe nuk e kam aspak problem të them se nacionalistët shqiptarë janë ushqyer gjithmonë me miellin e fqinjëve dhe krundet e Shqipërisë.

Edhe sot që flasim vazhdon të ndodhë e njëjta gjë.

E di që shumë njerëz e kanë të vështirë dhe në fund të fundit të paarsyeshme të bëjnë dallimin mes nacionalistëve dhe patriotëve.

Për ta bërë më të lehtë këtë diferencë po ju jap një shembull.

Ismai Qemali ishte patriot. Esad Toptani ishte një nacionalist tradhtar.

Abdyl Frashëri ishte patriot. I biri i tij Mithat Frashëri i kulturuar ishte me shumë nacionalist.

Fan Noli ishte patriot. Ahmet Zogu nuk ishte nacionalist dhe gjatë gjithë marrëdhënies së tij me Italinë fashiste dhe me Serbinë nuk ishte as patriot. Ishte vetëm një pragmatist që donte pushtet.

Nacionalistët e sotëm në përgjithësi mendojnë se popujt e tyre kanë epërsi kulturore, fetare, ekonomike dhe demografike në raport me popujt e tjerë. Kjo i bën ata nacionalistë të dëmshëm, të cilët janë kundër kulturave të tjera, kundër hapjes së Evropës, kundër emigrantëve, kundër Evropës në përgjithësi.

Dhe meqë në Evropë nacionalistët kanë nisur të kenë sukses, pasi ky cikël përsëritet në kontinentin tonë çdo 100 vjet, natyrisht nuk mund të mbeteshim edhe ne pa nacionalistë.

Fati ynë i madh është se nacionalistët tanë të shtirur nuk merren seriozisht.

Kryesisht nacionalistët kanë një të përbashkët kudo ku ata riprodhohen.

Ata nuk kërkojnë më shumë barazi, nuk kërkojnë më shumë paqe, nuk kërkojnë më shumë harmoni, nuk kërkojnë më shumë solidaritet, ata kërkojnë më shumë pushtet.

Nacionalistët kanë edhe një cen që i bashkon: ata nuk dinë të qeverisin ose qeverisin shumë keq dhe sa herë e kuptojnë këtë gjë, bëhen edhe më shumë nacionalistë dhe kërkojnë territore kulture dhe emocione të cilat nuk i kanë pushtuar dot me cilësi, me progres dhe me ide.

Nacionalistët pra nuk i shtyn dashuria për vendin, por dëshira për pushtet.

Kështu ndodhi me ne përpara katër vitesh. Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, Sali Berisha, Kryeministri që kishim, u bë papritmas nacionalist. Ai nuk kishte një bilanc ekonomik, nuk i kishte dhënë shoqërisë një standard më të lartë jetese, nuk kishte krijuar më shumë vende pune dhe duke e ditur se do t’i humbte zgjedhjet, lundroi për disa muaj në ujrat e nacionalizmit vetëeksitues. Jo vetëm si nacionalist dhe jo vetëm se Evropa dhe aleatët tanë atlantikë u shqetësuan nga gjuha e tij e papërshtatshme, sigurisht i humbi zgjedhjet.

Por meqë nacionalistët kanë një veti të pashuar, që të imitojnë njëri-tjetrin, pasi rrethi i njohurive të tyre është i ngushtë dhe në qiellin e tyre fluturojnë vetëm zogj të kuq, jemi kthyer aty ku ishim në vitin 2012.

Për shkak të bilancit të papranueshëm dhe shumë të dobët të kësaj qeverie në tre vitet e fundit, Kryeministri që kemi ka hapur një debat pa kuptim, prushin e të cilit e fryn nga pak përditë, duke i hedhur shkarpa të mbledhura nga lëçimet mediokre të historisë.

Unë kam një pyetje sot ose më saktë kam shumë pyetje:

Pse duhet ky debat në kushtet kur Shqipëria ka kaq shumë probleme me ekonominë, me papunësinë, me taksat, me emigracionin, me polarizimin, me arsimin dhe shëndetësinë dhe me investimet e huaja të cilat kanë firuar?

Duke besuar se ky debat është pjellë e shterpësisë dhe e nevojës për të mbledhur vota të kuqe mbi votat e partive, natyrisht dua të them disa gjera.

Natyrisht nuk mund të pranoj që Greqia proteston për prishjen e disa shtëpive me apo pa leje në Himarë. Unë nuk e di nëse janë me leje apo pa leje, nëse duhet të prishen apo jo, por sigurisht kjo nuk është një çështje e Greqisë, por e ligjit sovran shqiptar.

Duke besuar se Greqia ka të drejtë të mbrojë minoritetin grek, njëkohësisht mendoj se Greqia nuk ka pse të jetë dhe as duhet lejuar të jetë mbrojtësi i ortodoksëve shqiptarë, të cilët janë shqiptarë të barabartë me të gjithë shqiptarët e tjerë dhe të drejtat e tyre duhet të mbrohen nga Kushtetuta e një shteti laik, siç jemi ne. Të drejtat e tyre nuk janë çështje e Greqisë, siç nuk janë të drejtat e myslimanëve tanë një çështje e Turqisë apo e asnjë vendi tjetër.

Natyrisht nuk jam dakord as që në raportet e shtetit tonë me shtetet e tjera të ketë dy standarde.

Nëse është e vërtetë se Turqia, për arsyet e veta të brendshme, kërkon të penalizojë disa shkolla shqiptare, t’i mbyllë ato duke i konsideruar si vatra puçiste dhe nëse është e vërtetë se nacionalistët e shtirur shqiptarë e kanë pranuar këtë kërkesë, atëherë kjo provon se ata nuk janë nacionalistë, por vetëm abuzues elektoralë.

Nacionalistët e kanë këtë veti: i servilosen të fortëve dhe i kërcënohen të dobëtëve.

Këtë po bën sot edhe Edi Rama. Sali Berisha i viteve 1996 nuk kishte ndonjë ndryshim.

Ka disa vjet që mendoj në fakt se Edi Rama i trajton shtetet siç trajton të pasurit dhe të fortët e Shqipërisë, bashkë me të varfrit e saj.

Je një shtet i pasur dhe i fortë, ai të përkulet. Je i varfër, të pickon apo më keq të përbuz.

Je një shtet i fortë dhe përdor grushtin kundër atyre që të kundërshtojnë, siç është rasti i Turqisë së Erdoganit, natyrisht je model dhe frymëzim për të.

Kjo është jeta e tij; nënshtrim ndaj të fortëve dhe të pasurve, përbuzje ndaj të varfërve.

Por kjo nuk është as politikë e jashtme, as diplomaci, as patriotizëm dhe natyrisht as nacionalizëm.

Kjo është një sëmundje e cila nuk kurohet me diplomaci, por me shaka të vazhdueshme.

I bindur se Edi Rama nuk e dëmton dot Shqipërinë duke u grindur me Greqinë, duke u përqafuar me Serbinë dhe duke u puthur me Turqinë, sigurisht mendoj se ai e ka dëmtuar shumë patriotizmin shqiptar, duke e vënë atë në një siklet të paarsyeshëm.

Për një vend si Shqipëria, politika e jashtme më e mirë është politika e saj e brendshme.

Shqipëria duhet të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, duke mos rënë pre e leximit të historisë, por duke u përpjekur të përfitojë pozicion më të favorshëm në kushtet e një rajoni, i cili në 20 vjet ka përjetuar disa kriza të paimagjinueshme, siç ishte lufta në Bosnjë dhe Kosovë, ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri, lufta në Maqedoni që çoi në marrëveshjen e Ohrit, kriza financiare greke, si dhe ngjarjet e puçit ushtarak në Turqi, çka tregon se rajoni ku jetojmë ka ende vatra konflikti të brendshëm, të cilat mund të ndizen kollaj nga pasionet nacionaliste të panevojshme.

Në këto kushte, ne kemi vetëm një detyrim: të forcojmë pozitat e Shqipërisë, duke e qeverisur mirë atë.

Një vend i fortë, i drejtë, funksional, solidar dhe që nuk përbuz të varfrit dhe emigrantët, një vend që nuk prodhon emigracion por barazi, ai vend ka politikën më të mirë të jashtme.

Ai respektohet dhe dëgjohet. Drejt tij shkojnë investimet, integrimi dhe mirënjohja.

Për fat të keq, ne nuk jemi ky vend.

Shqipëria po vuan shumë nga varfëria dhe padrejtësia dhe asnjë fqinj, as grek, as serb, as turk nuk e dëmton më shumë vendin se vetë ne sot.

Nuk janë grekët armiqtë e Shqipërisë, është pabarazia, nuk janë serbët armiqtë e Shqipërisë, është padrejtësia, nuk janë turqit armiqtë e Shqipërisë, është korrupsioni.

Të gjitha këto bashkë na dëmtojnë më shumë se çdo fqinj dhe më shumë se të gjithë fqinjët bashkë.

Ja pra ç’do të thotë të jesh nacionalist: të mos pyesësh se çfarë bëjnë shqiptarët, por çfarë bëjnë të huajt.

Ja ç’do të thotë të jesh patriot: të pyesësh si jetojnë, sa punojnë, si ushqehen dhe si edukohen shqiptarët, të cilët nëse janë mirë, të lumtur dhe të begatë, do jetojnë gjithnjë mirë me veten dhe fqinjët e tyre.

Nuk mund të jetë nacionalist dhe aq më pak patriot ai që e mbush Shqipërinë me mbetjet e fqinjëve.

Nuk mund të jetë nacionalist dhe as patriot, ai që u shet fqinjëve kanabis, duke shfrytëzuar varfërinë e popullit të vet.

Nuk është nacionalist dhe as patriot ai që shkakton 300 mijë emigrantë në tre vjet qeverisje dhe refuzon të presë emigrantët e ardhur nga lufta e popujve të tjerë.

A mund të jesh pra nacionalist dhe patriot, pasi ke shkaktuar kaq shumë dëm?

Unë them se jo.

Prandaj gara mes nacionalistëve dhe patriotëve sot zhvillohet në Shqipëri dhe jo në Serbi dhe as në Greqi e aq më pak në Kosovë.

Patriotizmi është dashuria për vendin dhe dashuria për vendin matet me gjërat që bën për vendin tënd.

Nacionalistët mendojnë për t’i bërë dëm të tjerëve, patriotët punojnë për t’i bërë mirë të vetëve.

Koha sigurisht i ka dhënë të drejtë patriotëve.

Nacionalistët kanë humbur dhe do humbin, duke u rrudhur si një rrobë e përdorur, të cilën Evropa e ka mbyllur në sënduk, ndërsa ne e nxjerrim herë pas here, për ta përdorur për Halloweenin e politikës sonë të jashtme.

Fjala e mbajtur në Kuvend

Share: