Home KRYESORE Fitorja e Trump dhe e ardhmja e globalizimit

Fitorja e Trump dhe e ardhmja e globalizimit

Nga Kasem Seferi

Me fitoren e Trump, ndokush, mesa duket, nuk i ka njohuritë e duhura mbi tregun, këto ditë të fundit, hodhi mjaft ide të çuditëshme në lidhje me ndryshimet e mundshme të rendit botëror të deritanishëm. Pikërisht ku është argumentuar se globalizimi jo vetëm ka funksionuar por, është i domosdoshëm, në qoftë se vendet e botës aspirojnë ta zgjerojnë prosperitetin dhe lirinë e tyre në të gjithë planetin.

Nga ana tjetër, në mënyrë të pakundërshtueshme, është dëshmuar në të gjitha mënyrat se tregu ka qenë motorri më i fuqishëm që ekziston për të ngritur nivelin e jetesës. Shkatërrimi i eksperimenteve kolektiviste të shekullit të 20 – të, si nacionalizmi, komunizmi dhe fashizmi, si dhe efekti i tyre i thellë negativ mbi pasurinë dhe lirinë e kombeve, tashmë, dihet dhe pranohet.

Ishte një dështim për të ndërtuar sisteme ekonomike frytdhënës, për të rritur të ardhurat për frymë, si dhe për të çuar përpara demokracinë.

Tregjet kanë nevojë për shtetet ashtu si shtetet kanë nevojë për tregjet dhe “martesa më e mirë e këtyre është demokracia bashkëkohore liberale”, prandaj shtetet duhet vetëm të kuptojnë më mirë “interesin e tyre afatgjatë në një rregull ekonomik global bashkëpunues”, shkruante Martin Wolf, në artikullin e tij “Why globalization works”.

Dëmi i shkaktuar nga kolapsi i liberalizmit herët në shekullin e 20 – të: lufta, hiperinflacioni, depresioni mbarëbotëror, papunësia masive dhe tirania, erdhën si rezultat i mësymjes së forcave të ujdisura kolektiviste. Ndërmjet viteve 1870 dhe 1913, PBB – ja botërore për frymë u rrit 1.3 për qind, ndërkohë që në vitet 1913 – 1950 u rrit vetëm 0.9 për qind.

Periudha kolektiviste mbetet periudha më e keqe e rritjes së standarteve të jetesës të 130 viteve të kaluara. Kolapsi i mëparshëm i ekonomisë botërore liberale nuk ka të krahasuar me prirjen e sotme drejt globalizimit, që, pothuajse në mënyrë të sigurt, është e pakthyeshme.

Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA morën nismën e marshit të gjatë për të restauruar rregullin botëror liberal. Është me vlerë të thuhet se sistemi i pasluftës ishte një program sa ekonomik ashtu dhe politik, pasi përhapja e demokracisë liberale u pa si përfitim ndërkombëtar zotërues.

Shumë prej vendeve në zhvillim mbetën më të mbyllura për tregtinë, kapitalin dhe lëvizjen e njerëzve krahasuar me atë që ato ishin një shekull më parë. Megjithëatë, globalizimi nuk është i pandalshëm. Dukshëm, ai mbetet i kufizuar. Ka një konsensus të gjërë se mbizotërimi i pengesave për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve dëmton kombet më të varfëra.

Është e rëndësishme të konsiderojmë se kombet më të varfëra, shpesh, janë shtete të dështuar, për arsye se integrimi ekonomik nuk do t’u sillte përfitime në qoftë se këto shtete nuk garantojnë sigurinë e të drejtave të pronësisë dhe shtetit ligjor. Në qoftë se jo, përfitimet potenciale të globalizimit zhduken në një periudhë afatshkurtër, ose rriten për një periudhë kohe vetëm për një klasë të vogël sunduese të korruptuar, se sa për të gjithë popullsinë.

Ekonomia e tregut ka nevojë jo vetëm për politika të mira ekonomike dhe tregje të hapura por, gjithashtu, qeverisje të mirë dhe një kuadër të qendrueshëm institucional të besueshëm, të parashikueshëm dhe transparent. Shteti ekziston për t’i shërbyer qytetarëve të vet dhe është i detyruar me ligj t’i mbrojë ata nga dëmi, që përfshin vetveten. Pra, një globalizim më i mirë do të kërkonte një shtet më të mirë.

Antiglobalizimi e pengon ekonominë e tregut ndërkombëtar për arsye se: së pari, integrimi ekonomik mbarëbotëror nuk e ka përkeqësuar pabarazinë dhe varfërinë kudo; së dyti, se tregtia e lirë nuk minon prosperitetin dhe nuk pengon zhvillimin; së treti, se globalizimi nuk i shërben vetëm interesave të korporatave ndërkombëtare; së katërti, liberalizimi financiar nuk është një kërcënim për zhvillimin ekonomik; së fundi, se integrimi nuk minon demokracinë, sovranitetin, shtetin e mirëqenies dhe rregullat mjedisore

Integrimi ndërkombëtar priret ta bëjë politikën ekonomike më transparente dhe qeverinë më të parashikueshme, si dhe të dëshirueshme. Është e vërtetë, gjithashtu, se një regjim që “dëshiron” që populli i vet të angazhohet plotësisht në ekonominë globale nuk mund ta parandalojë atë nga marrja e së drejtës së hyrjes në një hapsirë të jashtëzakonshme të informacionit rreth vendit të tij.

Marrëdhëniet ndërmjet globalizimit, rritjes ekonomike dhe cilësisë mjedisore janë pozitive sepse njerëzit bëhen më të pasur dhe ngulin këmbë në pastrimin e dëmtimit vendor mjedisor; Alan Krueger dhe Gene Grossman të Universitetit Princeton kanë argumentuar se, zakonisht, kjo ndodh kur PBB – ja për frymë e një vendi arrin 5 000 US$ dhe se pas të ardhurave 8 000 US$ ndotja vendore fillon të përmirësohet në mënyrë thelbësore.

Përveç kësaj, kapitalizmi ka qenë më pak dëmtues se sa socializmi. Ish Bashkimi Sovjetik ishte përgjegjës për disa prej katastrofave më të mëdha mjedisore në histori: shumë prej dëmeve për të cilët “kuq – jeshilët” venë gishtin nuk lidhen me ndonjë mënyrë domethënëse me globalizimin, por më saktë me varfërinë dhe qeverisjen e keqe.

Shpyllëzimi nuk udhëhiqet nga liberalizimi i tregtisë, por nga fshatarët pa tokë dhe varfëria. Natyrisht, ka probleme reale të mjedisit, por politika e arsyeshme për t’u marrë me këto është nëpërmjet marrjes përsipër të kostove dhe këtu është e mundshme të përdoren zgjidhjet e tregut.

Ekonomitë e vendeve emergjente janë përpjekur të integrohen në tregjet botërore të kapitalit dhe fitimet kanë qenë të diskutueshme dhe kostot e krizave shumë të mëdha, por do të ishte gabim të konkludohej se leksioni i thjeshtë është mosliberalizimi, sepse është në interes të të gjithë vendeve të integrohen në tregjet ndërkombëtare financiare (pasi përparësitë janë të dukshme), por çdo vend duhet të veprojë me shumë kujdes.

Rendi liberal në shekullin e 19 – të nuk falimentoi për shkak të fragmentimit politik, por më saktë, për shkak të triumfit të ideve dhe interesave që kundërshtuan vlerat demokratike liberale.

Idetë kanë rëndësi dhe idetë e këqia janë gjithnjë risku kryesor për mbijetesën e lirisë dhe prosperitetit. Kolektivistët e vjetër, ndoshta, në mënyrë demonstrative më të rrezikshëm se sa të rinjtë, e dinin se çfarë deshën të bënin.
Kolektivistët e rinj karakterizohen nga një turli kontradiktash që e bën konfrontimin e ideve të tyre më të vështirë, sepse kontradiktat e tyre u dhurojnë atyre një përparësi krahasuese sepse ata mund të sulmojnë nga të gjitha drejtimet.

Këta të fundit janë “liderët” e “ideve” se Trump do të zhbëjë shumë prej atyre që janë bërë, veçanërisht, të atyre që lidhen me globalizimin. Edhe pse nuk zotëroj njohuri të niveleve të tilla botërore, mjaftohem me faktin që Trump është krijesë e tregut dhe një krijesë e tregut nuk e saboton njedisin që e ka lidur dhe rritur.

Tregu dhe ndryshimi si proçes janë të pandashëm dhe të pandalshëm; janë ligji i jetës. Kush ka frikë nga ndryshimi që pritet nga fitorja e Trump, duket se ka frikë nga vetë ndryshimi si ligj i jetës. Nuk besoj se fitorja Trump të jetë “një hap para dy hapa mbrapa”.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: