Home KRYESORE Majlinda rrëfehet për “sherrin” me kolegët e PD në Bruksel

Majlinda rrëfehet për “sherrin” me kolegët e PD në Bruksel

Majlinda Bregu nuk ka dashur të komentojë gjatë për faktin se asaj i ishte propozuar nga Rama të ishte krye-negociatore e Shqipërisë me BE në procesin e hapjes së negociatave. I ka quajtur thjesht thashetheme kur u pyet nga gazetarja Ilva Tare në Bruksel.

Tare: Meqenëse përmendëm ekipin negociator, emri juaj ka dalë në media dje se do të ishit kryenegociatorja e Shqipërisë.

Bregu: Sikur të komentojmë mbi çdo thashethem të mundshëm që bëhet në Shqipëri i bie që ta shtyj ditën vetëm me kontroll dëmi.

E kujdesshme për të mos u zgjatur në këtë çështje, ajo nuk është kursyer kur është pyetur mbi debatin me kolegët e PD në Bruksel, për amendamentet e paraqitura nga opozita, duke e shprehur qartë se ajo nuk ishte në të njëjtën linjë me ta, edhe pse përfaqësonte Partinë Demokratike dhe votoi kundër. Në rrëfimi e saj ajo ka disa këshilla edhe për Parlamentin Europian; që të ndryshojë formatin e takimeve, sepse ajo mendon se deputetët shqiptarë “lanë sërish nam” me debatet përpara eurodeputetëve.

Tare: Por ka diçka që mund të na deklaroni, ishte vota juaj në Komitetin e Asociim Stabilizimit, e cila gjithashtu u komentua si një votë kundër PD për shkak të amendamenteve të propozuara që lidheshin me kërkesa të tjera nga ato që ishin në amendamentin e Komisionit. Mund të na e shpjegoni?

Bregu: Unë nuk e di se çfarë vote mund të jetë kundër PD, kur PD është partia e cila e ka nisur prej 25 vitesh proçesin e integrimit të Shqipërisë në BE, kur PD është partia që e ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, shqiptarët kanë përfituar përfitimin më të madh realisht të prekshëm nga proçesi i integrimit europian të Shqipërisë që është liberalizimi i vizave. Kur sot mundësia dhe marrëdhënia që është me BE ecën në bazë të një marrëveshje të përbashkët Shqipëri-BE që është marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe kur PD në ditën e parë në opozitë ka deklaruar se do të jetë gjithmonë në mbështetje të proçesit të integrimit. Ndaj nuk ka për askënd që voton pro proçesit të integrimit të Shqipërisë, nuk ka votë kundër. Dje ka pasur një situatë pak të çuditshme edhe në Parlamentin Europian.

Tare: Çfarë ndodhi mes jush dhe kolegut Bumçi?

Bregu: Nuk është problemi aty, problem është që këto takime ose duhet të kenë një lloj formatimi tjetër, pra ose më të vërtetë duhet të prodhojnë diçka, ose në rast se do të vazhdojnë të prodhojnë vetëm debate të pafrytshme dhe debate të cilat përcjellin konfliktin që ne e bëjmë vazhdimisht në Tiranë edhe në mes të Brukselit, duke lënë nam i themi ne shkurt në shqip, atëherë nuk janë më të vlefshme.

PE në bazë të traktatit të Lisbonës, të detyrimeve që ka, është i detyruar ti kërkojë Komisionit dhe Këshillit që të vazhdojmë dhe ky ishte problemi i një amendamenti dje me një propozim konkret për çeljen e negociatave të Shqipërisë. Nuk ka pasur dakortësi për një pjesë të madhe të amendimeve, por në fund të ditës unë kam votuar një amendament i cili ishte dhe amendament kompromisi i propozuar nga PE që grupi tjetër i anëtarëve të delagacionit të PD nuk e votoi, pjesa tjetër e deklaratës ka shkuar njëlloj në të gjitha qëndrimet.

Tare: Debati me kolegun Bumçi konsistonte në faktin se..

Bregu: Mes shokësh ne flasim edhe ndryshe, nuk e di, turpi ose më saktë gjëja e shëmtuar, ishte që dikush nga kolegët tanë filmon një bisedë e cila mes miqsh mund të jetë dhe jo me fjalët zyrtare që flasim zakonisht në tryeza.

Tare: A patët mundësi të komunikonit me deputetë europarlamentarë të cilët ishin të pranishëm dhe kur bëhej ky debat, çfarë imazhi përcjellim ne tek ata kur ndodh kjo bisedë në sy të tyre.

Bregu: Kjo është një vuajtje me të cilën unë kam vite që jam dënuar për të jetuar dhe bashkëjetuar, ku bëjnë përshtypje më së shumti gjëra të cilat janë jo thelbësore dhe zakonisht dhe fatkeqësisht dhe me sjelljen dhe animozitetin të cilin ne e përcjellim këtu në Bruksel.

Share: