Qeveria duket e bindur në politikën e vet për pastrimin e ajrit nga ndotja që vjen nga makinat.Shumë vende kanë plane të qarta, nga mbitaksimi deri te bllokimi i kalimit në qytete. Në disa vende të BE-së ndalohet qarkullimi në zonat e banuara për makinat që nuk janë “euro 5”, një normë e cila tregon nivelin e ndotjes që vjen nga djegia e karburantit te motorët e makinave. Plani i qeverisë shqiptare po detajohej në draftin Kombëtar të Menaxhimit të Cilësisë së Ajrit. Sipas këtij plani, janë tri pika ku qeveria do të ndërhyjë.
Blerja e makinave
Pika e parë është subvencioni për të gjithë ata që kanë makina të vjetra. Sipas draftit që ka nisur të diskutohet me qytetarët dhe grupet e interesit, bëhet fjalë për makina të vjetra të para vitit 1995. Njëra skemë është heqja nga qarkullimi i makinave para vitit 1995. Kjo mund të bëhet me subvencionim, ose me ndalimin e importit të këtyre makinave për të ardhmen. Në draft parashikohet që të shpenzohen rreth 15 milionë euro për heqjen nga përdorimi dhe subvencionim të 15 mijë makinave. Skema është e thjeshtë.
Në rast se ke një makinë të vjetër, (pra që bën pjesë në fashën e makinave që qeveria do të heqë nga qarkullimi) dhe shkon të blesh një makinë të re, atëherë makina e vjetër do të vlerësohet me një çmim konkurrues, më të lartë sesa ai i tregut. Në këtë mënyrë, qytetari përfiton një makinë të re me një çmim më të mirë, pasi makina e vjetër vlerësohet më shtrenjtë se tregu. Për makinat para vitit 1995, drafti thekson: “Qeveria duhet të parashikojë program për të nxjerrë nga qarkullimi makinat e prodhuara para vitit 1995. Qeveria duhet të parashikojë një fond prej të paktën 20 milionë euro, për të iniciuar programin për një periudhë 3- 5 vjeçare. Numri i përfituesve mund të arrijë në rreth 20 mijë, ose afërsisht 6 për qind e njerëzve dhe kompanive që kanë një makinë”.
Taksimi i makinave
Skema tjetër që do të përmirësojë cilësinë e ajrit është ajo e dekurajimit të lëvizjes me makinë, nëpërmjet taksimit. Janë dy ide për të çuar në uljen e ndotjes.E para është taksimi i diferencuar. Pra, makinat që ndotin ajrin më shumë, që përgjithësisht kanë cilindratë motorike dhe vjetërsi më të madhe të taksohen më shumë, ndërsa ato që janë më të reja dhe kanë cilindratë më të vogël të taksohen më pak. Kjo deri në zerimin e taksës për makinat e reja. Ndërsa skema e dytë është ajo e taksimit të qarkullimit në rrugë të caktuara. “Qeveria mund të prezantojë një skemë për rrugët me pagesë, duke taksuar shoferët sipas përdorimit të makinës, në mënyrë që përdoruesit e shpeshtë të paguajnë më shumë sesa ata që e përdorin më pak rrugën”, thuhet në draft, raporton Panorama.
Në të gjitha variantet është qartësisht e lexueshme se qeveria do të ndërmarrë hapa për të luftuar ndotjen e ajrit nga makinat. Subvencionim, taksim, apo limitim i vitit të prodhimit, kjo mbetet akoma për t’u vendosur. Një gjë është e sigurt, kush ka një makinë para vitit 1995 duhet të preokupohet.