Home KRYESORE “Perplasje” te forta te Edi Rames me Vangjel Dulen ne sallen e...

“Perplasje” te forta te Edi Rames me Vangjel Dulen ne sallen e Kuvendit

Kryeministri Rama i është përgjigjur nga foltorja e Kuvendit, kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule që e akuzoi si patriot fals, aventurier dhe grabitës i pronave të Himarës.

Në fjalën e tij Rama ka dhënë sqarime edhe rreth postimit të bërë për Akropolin dhe ka deklaruar se pas sulmit të mediave greke është Dulja, i cili, sipas Ramës, e do kryeministrin armik të Greqisë dhe minoritetit për interesa të ngushta politike të vetat dhe nevojes per vota ne Himare sepse sipas kryeministrit partia e Dules eshte ne nivelin me te ulet elektoral.

Deklarata e Dules

Me tone të ashpra i është drejtuar kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kryeministrit Rama, duke e quajtur një aventurier në krye të qeverisë, një patriot fals, që ka qëllim vetëm grabitjen për vete dhe klikën e tij.

“Ndarja territoriale në Himarë ishte tendencioze, e dështuar, në shërbim të interesave të mbrapshta, për herë të parë në Dhërmi, pas 1990, në gjithë hapësirën politike evropiane kemi rastin unikal të shembjes së një objekt kulti, prishje selektive biznesesh dhe banesash, me sens hakmarrjeje, në një kohë që vazhdojnë ende në shkelje flagrante të ligjeve ndërtimet e sarajeve në Qeparo dhe këto në emrtin e rilindjes urbane. Nuk ka rilindje që fsheh qëllimin, mposhtja e frymës së atij komuniteti dhe grabitja e pronës, nuk i them unë, rihidhni vështrim investigimit të Birn, meqë unë qenkam i paragjykuar. Nuk ndihet njeri, për javë në protesta banorët, stigmatizim, nacionalizëm deri në racizëm. Nuk mund të ketë asnjë patriotizëm fals që mund të marrë përsipër llogaritë e mbrapshta, grabitëse të Ramës dhe klikës së tij në Himarë”- tha ai.

Sipas Dules Himara po paguan shtrenjtë për shkak të hakmarrjes së udhëheqjes se Edi Rames si vazhdimesi e urrejtjes komuniste ndaj.

“Pse po paguan kaq shtrenjtë Himara? Po flasin për rehabilitim të atyre që vuajtën në të kaluarën, një nga vatrat e rezistencës më të madhe për vendosjen e komunizmit ishte Himara. të parët e atij komuniteti u ekzekutuan, të tjerë u burgosën, qindra u internuan në gjithë vendin dhe sot vuajnë pasojat e asaj hakmarrjeje të egër. Ne kemi një aventurier në krye të vendit. Ky kryeministër e ka kthyer mbrapsht këtë politikë dhe vlerat paqësore, po presim sot të na zbulojë armikun e ri nën trysninë e ligjit të kthyer dhe kundërvënien e shoqërisë të importimit të mbetjeve”- tha ai.

Dule e ka paralajmëruar se sjellja e tij do ketë kosto me Greqinë.

“I keni hyrë një aventure, e cila ka një kosto. Ju s’mund të mbuloni me asnjë retorikë sado e rafinuar të jetë, atë akt prej grabitqari që ke ndërmarrë në zonën e Himarës. E di mentalitetin, fabrika e propagandës, do ndryshojë edhe folklori, trim mbi trima ai Gjergj Elez Alia, por ka filluar të përsëritet “ai trim mbi trima Edi Rrama”.

Është një llogari e humbur, se populli shqiptar, është një popull që jo vetëm në zonat kufitare, por ka lidhje familjare, shoqërore e biznesi… Ti preferove të zgjedhësh një gravurë me një minare, ajo është fakt historik që ai vend ka pasur edhe një minare, por asnjë s’ka dashur ta shohë si të tillë se mbetet për ta altar i vlerave të demokracisë.

Ti ndoshta edhe Perikliun e shikon me çallmë, por u jep të drejtën të gjithë atyre që të shikojnë, të të shohin si një luftëtar i jeniçerëve i ndërsyer në kohërat e shkuara drejt Vjenës.

S’të shpëton asnjë retorikë nacionaliste, as nga Partia e Blushit as nga dekreti që do rrëzohet masivisht në këtë parlament sado ta vonosh, ndaj është momenti të pranosh dështimin tënd në cdo fushë të aktivitetit qeveritar dhe në vend të justifikimit të saj të dalë boje, me qëllim mos bëhesh streha e fundit e asaj çka është nacionalizmi.

Juve jeni të dehur, se kuptoni ku jetoni, keni humbur kontaktin me realitetin, një gjeneral madhor vizitoi divizionin e Gjirokastrës, e dinin pasionin e tij për tavolina të mëdha dhe i kishin pjekur një qengj vetëm për të dhe nën avujt e rakisë, i thotë komandanti i divizionit, për një orë kapim Janinën, gjenerali i thotë pi dhe një dhe kap Athinën. Ç’dehu zoti kryeministër, është koha”.

Reagimi i Ramës

Është hapur debat ndërkombëtar për disa banorë të Himarës që janë shfaqur të revoltuar për shkak të planit të bashkisë së re, për një projekt me interes publik në vazhdën e programit të rilindjes urbane për Himarën.

Ajo është dërrmuar nga barbaria e ndërtimeve, ngrehina shëmtie që e rrokullisën Himarën në të tatëpjetën e zhvillimit rrënues, por që e ka cenuar rëndë bukurinë e saj dhe vlerat e trashëgimisë së saj kulturore.

Shpronësimet apo prishjet e ndërtimeve të ligjshme me shpronësim gjatë Rilindjes janë procedurë rutinë e unifikuar ligjërisht si në Tropojë edhe në Himarë, edhe në Tropojë ka banorë që nuk bien dakord.

Por “cuditërisht”, për këta, e as për të Vlorës nuk kemi dëgjuar të indinjohet ndonjë shtet tjetër dhe të nisë kujë në mediat e atij shteti si me Himarën.

Vetëm në Vlorë janë prishur 1657 objekte, në Tiranë 4828, Durrës 1125, e kudo në cdo qytet. Projekti detyron prishjen e vetëm 18 objekte, një shtëpi e banuar, një bujtinë tre katëshe dhe pjesa tjetër lavazhe, kioska, magazina të vjetra, apo rrënoja shtëpish të dikurshme. Vetëm për 6 objekte duhet bërë procedura e shpronësimit.

Dikush që se di ku fle lepuri i kësaj ferre që na shfaqet nëpër këmbë, as e koncepton dot se si ka mundësi që një praktikë rutinë e kësaj natyre në Shqipërinë e sotme për 12 ndërtime pa leje dhe 6 ngrehina në shpronësim të angazhojë një shtet fqinj me komunikata zyrtare, deklarata partiake që kërkojnë ndëshkim evropian për Shqipërinë, lloj lloj gazetash, që nxjerrin tym për të nxirë qeverinë e Shqipërisë, por fatkeqësisht pa e fshehur dot një sekëlldi të cuditshme ndaj nesh dhe vendit tonë të vogël që kaq shumë ka dhënë e marra me atë vend mahnitës që quhet Greqi.

Share: