Home KRYESORE Arsim Sinani: Gruevski e humbi shansin për të bërë diçka për shqiptarët!

Arsim Sinani: Gruevski e humbi shansin për të bërë diçka për shqiptarët!

Mendimi politik maqedonas e shikon si pengesë gjuhën shqipe. Ka një problem për ta njohur gjuhën shqipe. Gruevski e humbi shansin e mirë për të korrigjuar veten duke qenë se njihet si një ultranacionalist. Duhet ta kishte pranuar gjuhën shqipe, ashtu siç ka pranuar të qeverisë me Ali Ahmetin deri tani deklaron analisti shqiptar nga Maqedonia Arsim Sinani gjatë një interviste për emisionin ‘Diplomaticus’ te gazetarit, Erion Kacorri ne “News 24”.

Sipas Sinanit, problemi nuk qëndron vetëm te Maqedonasit, por edhe te Shqiptarët. “Establishmenti politik shqiptar nuk ka qene i interesuar për ta zgjidhur të gjithë problemin e gjuhës shqipe. Problemi i shqiptarëve është se akomodohen lehtë në pushtet dhe i harrojnë premtimet elektorale. Uroj që të mos e harrojnë këtë premtim elektoral sepse është një nismë e mirë që Maqedonia të ndryshojë”.

Sipas Sinanit të gjitha partite shqiptare, si ajo BDI që është në pushtet, apo edhe ajo që rri në hije në pushtet siç është PDSH nuk kanë qenë të interesuar. “Opozita shqiptare e ka hapur këtë si problematikë, por Zaevi kapi një moment të mirë. Kapi një moment të një krize, që përmes shqiptarëve ai të vijë në pushtet. Unë e përgëzoj nëse ai do të arrijë që gjuhën shqipe ta bëjë gjuhë zyrtare ndërsa mendoj se Gruevski humbi një shans të madh që të bëjë diçka për shqiptarët.

Ne mendojmë se Gruevski nuk ka bërë gjë për shqiptarët. Ai ka qenë pengesë për zhvillimin e Shqiptarëve dhe pengesë edhe për partitë me të cilat ka bashkëpunuar. Megjithatë nuk mundet një Maqedoni e cila pretendon që të jetë Europiane të mos ua njohë gjuhën një populli që shkon deri në 40 përqind. Mendoj se politikanet shqiptarë do të duhet të jenë të vëmendshëm dhe një nga kushtet që duhet t’ia vendosin maqedonasve në qeverisjen e ardhshme është që padiskutim gjuha shqipe në të gjitha nivelet të bëhet gjuhë zyrtare.

Sipas analistit Sinani deklarata e liderit të opozites maqedonase për zyrtarizmin e gjuhës shqipe në të gjithë vendin është interesante deri në momentin që nuk do të behet si Gruevski nëse vjen në pushtet. “Pas këtyre zgjedhjeve, faktori politik shqiptar në Maqedoni do të dalë më i fortë nga këto zgjedhje. Ne kemi nevojë për një opozitë shqiptare të konsoliduar në Maqedoni. Deri më sot PDSH nuk e ka luajtur rolin e opozitës dhe kjo ka qenë pengesë. Mendoj se pas këtyre zgjedhjeve do të kemi një konsolidim të votës së pakënaqur shqiptare” deklaroi analisti Arsim Sinani për gazetarin Erion Kaçorri në ‘News24’.

Share: