Këtë të dielë populli i Italisë dhe ai i Austrisë i janë drejtuar kutive të votimit, në dy referendume që do të ndryshojnë jo vetëm këto dy vende, por edhe mund të ketë pasoja të mëdha në vetë Bashkimin Europian.
ITALIA
Italia voton për të ndryshuar një sërë nenesh të kushtetutës së saj për reformimin e sistemit parlamentar, dhe deri në orën 12:00 të mesditës, shifrat kanë folur për një pjesëmarrje mjaft të lartë prej më shumë se 20% të popullsisë së vendit.
Deri më tani votimi në Itali ka vijuar normalisht, ku problemi i vetëm ka qenë fakti se shumë persona kanë denoncuar se stilolapsat me të cilin shkruhej, mund të fshiheshin.
Në Itali janë thirru për të votuar rreth 46.7 milionë njerëz dhe kutitë e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00 dhe në disa rajone të caktuara deri në orën 23:00.
Në Itali, ndryshimet e propozuara nga qeveria e Renzit për reformimin e kushtetutës janë kundërshtuar nga partitë opozitare dhe sidomos nga Lëvizja 5 yjet, e cila kërkon madje dhe një referendum për euron. Sondazhet e bëra para nisjes së referendumit kanë dhënë sinjale se Renzi do ta humbasë këtë sfidë. Vetë kryeministri ka thënë se nëse populli italian voton kundër reformës në kushtetutë ai do të japë dorëheqjen, duke i lënë kështu mundësi forcave populiste për ngritjen e tyre në pushtet, një skenar ky që “dridh” nga frika forcat kryesore politikë në BE.
AUSTRIA
Austria ka shkuar në referendum për zgjedhjen e Presidentit të tij, ku pas balotazhit, çështja do të zgjidhet me votën e popullit në formën direkte. Pavarësisht se figura e Presidentit është thjesht ceremoniale, përsëri beteja shihet si një barometër mjaft i rëndësishëm në orientimin politik të zgjedhësve në Austri, pasi në garë qëndron përfaqësuesi i të “gjelbërve”, Aleksandër van der Belle, dhe nacionalisti Norbert Hofer. Ky i fundit është i njohur për politikën e tij anti-emigracion dhe për faktin se nuk pranon qeverinë e Brukselit.
Aktualisht, ashtu si edhe në maj, sondazhet vazhdojnë që të mos japin dot një fitues, pasi gara është shumë e ngushtë. Nëse Hofer fiton, ai do të bëhet kreu i parë ekstremist i djathtë i një shteti në BE.
Vitin e ardhshëm, Franca, Gjermani dhe Holanda zhvillojnë zgjedhje dhe në këto vende partitë antielitë dhe antiemigracion po fitojnë terren./java/