Home KRYESORE Demokracia dhe toleranca, ilaçi kundër terrorizmit dhe ISIS

Demokracia dhe toleranca, ilaçi kundër terrorizmit dhe ISIS

Nga Arber Hitaj

Besoj si shumë shqiptarë të tjerë, një ditë më parë ndoqa me shqetësim të madh ngjarjet e ndodhura fillimisht në Turqi, ku një polic turk 22 vjeç qëlloi pas shpine ambasadorin rus në Ankara Andrej Karlov. Pas këtij lajmi shokues i përforcuar edhe nga video e transmetuar në çdo televizion, vjen një tjetër lajm dëshpërues, një kamion sulmon një treg Krishtlindjesh në zemër të Berlinit, duke vrarë 12 persona dhe plagosur 48 të tjerë.

Dëshpërimi kaplon Botën

Aroma e një lufte të Tretë Botërore është përhapur, veçanërisht në Europë, vendet Arabe dhe Rusi, vende ku 2 luftërat e fundit janë skalitur. Terrorizmi ka një mesazh të qartë, hakmarrje, dhunë ekstreme, civilët i barazon me ushtarakët. Për ta s’ka asnjë ndryshim. Madje pak ditë më parë revista e ISIS Rumiyah, kishte publikuar në versionin e saj online, mënyrat se si mund të kryhet një sulm me kamion dhe si ky mjet mund të bëhet më vrastar.

Është e frikshme propaganda që vjen nga ISIS!

Por si po reagojmë ne? Duke i bërë jehonë dhunës, të keqit. Shumë pak përpjekje për të promovuar të mirën, paqen modelet e suksesit. Vetëm frika dhe pesimizmi është kryefjala, që përçohet dhe aplifikohet, aq më tepër ne erën e rrjeteve sociale.

Pra nga ajo që lexojmë dhe shikojmë, situata nuk duket optimiste.

Por unë besoj se JO, ka shumë shpresë. Njerëzimi është përballur edhe më parë me sfida të tilla, fashizmi, komunizmi, etj. Dhe në përfundim e mira, demokracia ka fituar. Janë pikërisht këto ngjarje që duhet të na forcojnë si popuj dhe si popull, për ti thënë Jo terrorizmit. Ne nuk mund të biem në lojën e tyre. Dhuna gjeneron dhunë.

Kjo do të ishte e pafalshme dhe vrastare për të ardhmen e përbashkët. Vlerat më të mira duhet që të dalin në pah dhe të promovohen. Njerëzit duhet të jenë me të bashkuar dhe tolerant, ndaj çdo lloj dhune, përfshi dhe atë verbale. Ne jemi të rrethuar nga terroristët e gjuhës. Mjafton të shikosh një seancë parlamentare dhe e kupton se sa vlerë ka fjala, dhe përdorimi apo keqpërdorimi i saj. Siç thoshte dhe akademiku i njohur Umberto Eco, sot ka më shumë vlerë dhe jehonë fjala e një luftënxitësi se sa e një njeriu që ka fituar Nobelin!?

Prandaj unë besoj se lufta e tretë Botërore, nuk është afër. Ky është një moment i vështirë në historinë e njeriut, ndoshta I toleruar edhe me dashje.

Një gabim i madh që po bëhet sot, e theksoj ndoshta më qëllim, nuk lexohet mirë historia. Episode të veçanta, pavarësisht rëndësisë, s’mund të jenë shkas për luftëra ndërmjet popujve, siç janë ato botërore. Vrasja e arkidukës Franz Ferdinand, ndodhur në Sarajevë në 1914, nuk mund të paralelizohet me ngjarjen terroriste të Ankarasë. Përgjegjës nuk është një popull, apo një fe, por ideologjia ekstreme.

Ilaçi kundër ekstremit, janë dija, toleranca, uniteti dhe solidariteti. Le të punojmë më shumë në këtë aspekt. Le të rrisim buxhetet për edukimin dhe jo armatimin. Me pak fjalë le të investojmë te paqja!

Prandaj unë besoj se lufta e tretë Botërore, nuk është afër. Ky është një moment i vështirë në historinë e njeriut, ndoshta i toleruar edhe me dashje.

Dhe një kritikë për ata kolegë që shkruajnë se atentatori i krimit terrorist e të pabesë në Ankrara është shqiptar. Lexoni më shumë para se përhapni broçkulla të tilla, që dëmtojnë imazhin e një populli që shquhet për tolerancë fetare, të paktën. Sot në Botë ka dhe shumë terroristë të fjalës!

Share: