Home KRYESORE Dilemat e Fondit të Emergjencës dhe Banka e Shqipërisë

Dilemat e Fondit të Emergjencës dhe Banka e Shqipërisë

Nga Sorina Koti, Koordinatore Kombëtare, PD

Miratimi i Ligjit për ”Ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë” në Bankat e Nivelit të Dytë, ka hapur diskutime midis bankave, Shoqatës së Bankave, Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave. Vlerësimi si një hap pozitiv, nga ana e Shoqatës së Bankave, për krijimin e Fondit të ndërhyrjes në Bankat e Nivelit të Dytë dhe menaxhimin e saj nga Banka e Shqipërisë, lind pyetjen dhe dyshimin: A janë të mirë-kapitalizuara bankat tona dhe a kemi një sistem financiar të konsoliduar?

Hartimi i këtij ligji është një domosdoshmëri apo një ”kopjim” i masave dhe Direktivave të Bashkimit Europian?

Nga eksperienca e vendeve të BE-së, kriza ekonomike financiare nxori në pah problemet e sistemit financiar, problemet e kapitalizimit të bankave dhe nevojën për ngritjen e fondeve të emergjencës. Fondet krijohen në vendet ku Bankat kanë probleme me kapitalizimin. Roli i tyre është menaxhimi i krizave financiare. Këto janë fonde legale private dhe nuk i përkasin sektorit publik.

Në ndryshim nga Ligji i propozuar dhe i miratuar nga Parlamenti Shqiptar më 22 Dhjetor 2016, Fondet që funksionojnë në BE janë të krijuara dhe të menaxhuara privatisht, jo nga organe shtetërore. Si njohëse e ngritjes dhe funksionimit të këtyre fondeve të emergjencës në BE, më shqetëson fakti, që pse pikërisht tani, Banka e Shqipërisë propozon një ndërhyrje të tillë? A ka ndonje sinjal Banka e Shqipërisë? A po tenton ajo të na thotë se shëndeti i sistemit bankar ka filluar të shfaqë probleme?

Të gjitha Raportet e Stabilitetit nga BSH tregojnë për një mirë-kapitalizim të Bankave dhe se sistemi ynë financiar nuk ka probleme. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar (Qershor 2016) rezultoi në 16.1% rreth 0.1 pikë përqindje më i lartë se Dhjetori i vitit 2015 dhe 0.6 p.p më e lartë se Qershori 2015 – mbi normën rregullatore prej 12%. A është e vërtetë kjo shifër, apo Banka e Shqipërisë di ndonjë të vërtetë tjetër, për të cilën ne shqiptarët duhet të kemi pse të shqetësohemi?

Bankat vazhdimisht raportojnë për tepricë likujditeti dhe mungesë kreditimi të ekonomisë, si pasojë e krizës europiane, e veçanërsisht asaj greke. Në kushtet kur biznesi dhe ekonomia shqiptare kanë nevojë për një nxitje dhe stabilitet makro-ekonomik, ku bankat kanë kosto të lartë për shkak të niveli të depozitave, atëherë pse duhet të krijohet një kosto shtesë për Bankat, duke krijuar Fondin e Emergjencës?

Në momentet kur bankat kanë rritje të vazhdueshme të kostove, atëherë edhe norma e kreditimit do jetë më e shtrenjtë për konsumatorin dhe biznesin. Çfarë po arrihet me këtë lëvizje? Po i shkaktohet një ngërç tjetër ekonomisë shqiptare dhe po rritet niveli i mos-kreditimit. Politika monetare shfaqet lehtësisht stimuluese, pasi gjatë muajit të fundit, norma e interesit për Bono thesari është rritur, ku reflektohet kërkesa e Qeverisë për likujditet, duke arritur në 2.59%. Kjo do të silltë një shtrenjtim të kredisë në Bankat e nivelit të dytë, të cilat do reflektojnë këtë ndryshim të normës së interesit të Bonove të Thesarit. Atëherë, bankat janë përballë dy faktorëve jo stimulues: nga njëra anë kosto shtesë për krijimin  e fondit të ndërhyrjes së emergjencës dhe nga ana tjeter, atë të rritjes së kostove për financimin e ekonomisë.

Udhëkryq ky, i krijuar nga instrumentat e shumtë institucionale dhe qeveritarë, që nuk hapin dritën jeshile për investime vendase dhe të huaja, për qarkullimin e monedhave dhe uljen e barrave fiskale dhe kostove bankare.

 

Share: