Home KRYESORE Koncerti i Lirisë” si funeral i motivit që mungon

Koncerti i Lirisë” si funeral i motivit që mungon

Nga Azem Parllaku

Mbrëmë salla e koncerteve të Universitetit të Arteve, u mbush me “Urdhër-Dite” të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes, për personelin ushtarakë e civilë të Tiranës dhe rrethinave. Ministrja Kodheli nëpërmjet një statusi në kohështrirjen virtuale, me këtë rast postoi një video-mesazh live të shoqëruar me tekstin “Koncerti i Lirisë nga Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura”.

Disa orë më parë edhe pse, Forcat e Armatosura zyrtarisht shënonin 104-vjetorin e krijimit të tyre, Kodheli nuk u pa të bënte self-image në sheshin e Garnizonit “Skënderbej”, i cili së bashku me Bunkart-3 (Muzeu i Ushtrisë) hapën dyert për qytetarët. Edhe pse personeli ishte njoftuar për të populluar sheshin, ku ishte ulur një helikopter, dhe ishin parkuar disa mjete të Policisë Ushtarake dhuratë e shtetit turk, pritshmëritë për një pjesëmarrje masivisht, e zhgënjyen Ministren dhe gjeneralët e saj.

Vizitorët e sheshit nuk ishin veçse disa fëmijë të kurseve në terrenet sportive të garnizonit, e gjyshërit e tyre, të cilët patën rastin të sikletosen nga fotografët dhe kameramanët e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura, shoqëruesit besnik të këtij eventi, që në hyrje të Garnizonit, ku tashmë janë dhe zyrat ministrore edhe ato të Shtabit të Përgjithshëm.

Të enjten e shkuar, Kodheli duke diskutuar për buxhetin e Mbrojtjes, shprehej “1.2 mln euro për një koncert të vetëm, 2.5 mln euro për rikonstruksionin e një sheshi brenda garnizonit, kur ndërtesat aq më pak repartet ushtarake nuk kishin as bojë, e jo me rikonstruksion, që para viteve 90’, 1.5 mln euro për të bërë plot tre herë rikonstruksionin e një ndërtese, gjithmonë brenda garnizonit kjo, ku nuk shfrytëzohet as sot, sepse dhe sot Ministria e Mbrojtjes është hedhur në gjyq me të drejtë nga firma ndërtuese e fundit në radhë dhe lekët kanë shkuar në drejtim të paditur”.

Në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, Kodheli nuk bën as më shumë e as më pak, nga ish-drejtuesi tjerë i kësaj Ministrie, të cilin ajo e anatemon për paratë e shpenzuara për koncerte dhe për fasada. Nëse një koncert i parapak viteve, u dha për shqiptarët me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, e ka mesazhin, teksa ç’impakt ka “Koncerti i Lirisë” mbrëmë, pak vështirë edhe t’a mendosh. Kur sheshi i “Garnizonit Skënderbej”, u reabilitua në gjendjen aktuale, një ndërhyrje e tillë u bë, mbasi Basha atëherë në krye të Bashkisë së Tiranës, e kishte shënjestruar për t’a “transformuar” këtë pronë në inventar të Forcave të Armatosura. Kodheli si paraardhësi i saj, ka bojatisur në trajtën e kamuflazhit ushtarak murin rrethues të Garnizonit, ka instaluar një ashensor për zyrën e saj në katin e dytë, ka spostuar një stacion autobusi për qytetarët e linjës së Kinostudios, teksa mbeti në tratativë për të rrëzuar dhe oxhakun në brendësi të sheshit, një pikë referimi për qytetarët e Tiranës.

Në 104-vjetorin e Ushtrisë, Kodheli nuk u pa të shpërndajë dekorata, mbasi për dorëzimin e tyre është kritikuar jo pak, as zëvendësi i saj Koçi nuk u duk i mbushur pozitivisht me energji si partizandashës i devotshëm. Ndërkaq, përtej kësaj feste, sipas të dhënave statistikore të Gjykatës së Tiranës, gjatë këtij viti në gjykatë janë gjykuar ose janë në proçes dhjetra çështje penale për mosparaqitje të ushtarakëve në detyrë. Ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kanë qenë po dhjetra proçese të tilla. Thuajse në të gjitha rastet, arsyet e mospraqitjes së ushtarakëve në detyrë janë pagat e ulta dhe largimi për një punë tjetër që paguhet më mirë, brenda ose jashtë vendit. Në shumicën e rasteve, largimi është bërë pa njoftuar eprorët dhe për rrjedhojë çështja ka kaluar për ndjekje penale.

Por, ka patur edhe raste kur është kërkuar lirimi nga radhët e Forcave të Armatosura dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Për raste të tilla menaxhuesit e personelit në Shtabin e Përgjithshëm dhe ato të stafit të Ministres, i humbasin pothuajse të gjitha ballafaqimet, ç’ka nuk ka pse të ndodhë.

“Sot mbushen 104 vjet nga krijimi i ushtrisë shqiptare. Shumë urime i dërgoj sot çdo gruaje dhe burri nën armë që punon e sakrifikon çdo ditë për të ruajtuar të pacënuar kufijtë e shtrenjtë shqiptarë, për t’i shërbyer çdo qytetari në nevojë kudo dhe kurdo, pa zhurmë e pa publicitet, por me dinjitet dhe përkushtrim, që mbron vlerat e demokracisë në vend madje dhe jashtë kufijve”, shkroi Kodheli dje. Përtej këtij mesazhi harroi një tjetër status të saj të parapëlqyer vrullshëm nga ndjeksit virtual të saj, atë kur kërcënonte Greqinë në emër të NATO-s, shprehimisht “NATO u krijua për të bashkuar vendet demokratike të hemisferës veriore përballë çdo rreziku totalitar. Por sot e kam të vështirë të kuptoj pse ndonjë politikan në Ballkan vesh uniformë ushtarake dhe përpiqet të ngrejë fantazma të së shkuarës. Kanë ikur kohët e satrapëve. Give peace a chance”.

‘Mos vallë keni dhe ju dëshirë të vishni kostumin ushtarak të oficerit?!

Ndoshta nuk mund të lodhem pa arsye në këtë koment politik me pyetje të tjera, pasi duhet pranuar se, deri këtu e keni limitin e autoritetit tuaj ministror, si pjesë e një qeverisje që shpesh i pret më shpejtë goja para mendjes. Do të duhet shumë kohë të kuptoni zonja Kodheli që, komshijtë nuk i zgjedh vet, por ata janë dhe do të mbeten aty dhe me ta do të duhej të vendoseshin të tjera marrëdhënie për arësye shumë më të thella, që me siguri në të ardhmen do të jenë dobiprurëse edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët”, komentoi dikush me të drejtë mbi statusin e Kodhelit.

Sot, 104 vjet më pas në ç’gjendje janë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë? Fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s, jo për meritë të saj, por si rrjedhojë e zhvillimeve në shkallë globale, e grish shpesh vëmendjen e opinionit publik, për t’u fokusuar edhe në zhvillimin e Forcave të Armatosura, si instrument i rëndësishëm për Sigurinë Kombëtare. Profesionet më të njohura civile e kanë origjinën që nga mesjeta dhe ekzistojnë në formën e zhvillimit më të lartë, me fillimin e shekullit të tetëmbëdhjetë. Profesioni i ushtarakut profesionist dhe atij të karrierës, është thelbësisht produkt i shekullit të nëntëmbëdhjetë, e në të vërtetë është një nga krijimet më të rëndësishme institucionale të atij shekulli. E ndërsa pjesa më e madhe e personelit të Forcave të Armatosura janë ushtarakët profesionistë, ende nuk është mundur, që ata të zhvillojnë normat, vlerat dhe unitetin organizativ, si një tip social, si një karakteristikë unike e shoqërisë moderne. Praktikisht trupa e ushtarakëve profesionistë, paraqitet e arsimuar relativisht, por mungesa relative joshëse e profesionit dhe karrierës ushtarake e kanë bërë të pamundur sigurimin e cilësisë së profesionistëve të mirëfilltë ushtarakë.

Ajo ç’ka konsiderohet si resursi njerëzor i Forcave të Armatosura, e ka të domosdoshme zhvillimin e etikës profesionale, për të krijuar bindjen e arsyeshme në shoqëri për tipin e ri të ushtarakut dhe institucionet e reja në këtë fushë. Realisht, korpusi aktual i ushtarakëve shqiptarë gjendet përbri hendekut të përgatitjes speciale, që i imponon atij një përgjegjësi të veçantë shoqërore. Profesioni i ushtarakut është monopol i shtetit, dhe aftësia e njerëzive nën uniformë është drejtimi i forcës ushtarake dhe sigurimi ushtarak i klientit të tij, i shoqërisë. Marrja e kësaj përgjegjësie kërkon zotërimin e përgatitjes që bën të nevojshme e të mundur pranimin e përgjegjësisë. Për fatin e keq, trupa ushtarake shqiptare nuk mundet dot të rrisë cilësinë e përgatitjes profesionale në kushtet, kur arsimimi i mirëfilltë ushtarak, është joefiçent, dhe kur motivimi për profesionin nuk është në shkallën e duhur.

Pse ndodh kështu?! Ka disa arsye që lidhen me mospatjen e vizionit të ngritjes, ringritjes dhe mbajtjes së strukturave të mbrojtjes, në të cilat rekrutohet një personel arsimimi i të cilit është relativisht i dobët, e përtej kësaj Forcat e Armatosura, janë shndërruar në një “treg pune”, ç’ka i shkon përshtat klimës politike. Personeli i Forcave të Armatosura, kryesisht ushtarë profesionistë, punonjës civilë dhe ushtarakë të gradave të larta, nuk e demonstron kohezionin e një Ushtrie të mirëfilltë dhe me standarte. Gradat e larta gjithnjë e më tepër u janë larguar trupave ushtarake, teksa këto të fundit u qëndrojnë larg poligoneve të stërvitjes. Një numër i kufizuar personeli i cili merr pjesë në operacionet e NATO-s, nuk mundet dot, të marrë përsipër veçse detyrat e rëndomta të rojes. Kjo nuk duhet të na bëj krenarë aspak.

Share: