Nga Besar Limeta, Reporter.al
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë që aksioneri më i madh i koncesionit të hemodializës EVITA Sh.p.k – një kontratë koncesionare e vlerësuar nga ministria e Shëndetësisë me vlerë 86 milionë USD për një periudhë 10-vjeçare – është shitur në fund të shtatorit 2016.
Sipas kontratës që BIRN disponon, me 21 shator aksionerja e vetme e EVITA Sh.p.k Majlinda Fetiu, i ka shitur aksionet e saj duke i shpërndarë në dy aksionerë të rinj Rasim Hamazaraj dhe Ertel Kërçuku, kundrejt vlerës së nënshkruar prej 30.1 milionë lekë.
EVITA sh.p.k zotëron 85 % të aksioneve të Dia Vita Sh.p.k, kompanisë së themeluar pas tenderit për dhënien e shërbimit e hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan. Ndërkohë 15 % të aksioneve të Dia Vita Sh.p.k janë në pronësinë e Spitalit Amerikan Sh.a.
Ndërsa Ertel Kërçuku është një mjek virtualisht i panjohur, Rasim Hamzaraj është administratori dhe aksioneri kryesor i një prej kompanive më të mëdha farmaceutike në Shqipëri, ‘Megapharm’ Sh.p.k.
Megapharm, ka qenë në të shkuarën dhe vazhdon të jetë sot, përfituesi kryesor i tenderëve të Ministrisë së Shëndetësisë për barna. Kjo kompani dhe drejtuesi i saj Hamzaraj, gjithashtu kanë qenë shpesh shënjestër të akuzave politike për konflikt interesi dhe korrupsion – akuza që kompania i ka hedhur poshtë si të motivuara politikisht.
Blerja nga Hamzaraj e aksioneve të EVITA Sh.p.k nuk përbën në vetvete një transaksion të paligjshëm, por megjithatë, ajo vjen në një klimë akuzash të ndërsjella midis opozitës dhe maxhorancës, mbi mënyrën e dhënies së koncesioneve në fushën e shëndetësisë nga qeveria “Rama’ dhe përfituesit e tyre.
Administratorja e EVITA Sh.p.k Elona Saraçi, nuk iu përgjigj një kërkese nga BIRN për koment në lidhje me ndërrimin e aksionerëve të kompanisë, ndërkohë që Hamzaraj nuk ishte i arritshëm për koment.
Pas ardhjes në pushtet në shtator 2013, me një platformë që premtonte shëndetësi falas për të gjithë shqiptarët, maxhoranca e qendrës së majtë e udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama, ka dhënë tre koncesione të mëdha në fushën e shëndetësisë me vlerë mbi 250 milionë USD.
Përveç koncesionit të hemodializës, shumë të debatuar kanë qenë dhe kontratat për partneritet publik-privat për kontrollin bazë “check-up”-in dhe sterilizimin e instrumenteve dhe seteve kirurgjikale.
Sipas opozitës së udhëhequr nga Partia Demokratike këto kontrata koncesionare janë korruptive dhe qëllimi i tyre ka qenë të shpërblejnë ‘klientët’ e Partisë Socialiste.
Ndërkohë, qeveria i ka përshkruar koncesionet ose partneritetin publik-privat si të vetmen mënyrë për të sjellë shërbime të munguara në një kohë të shkurtër për qytetarët në mungesë të fondeve buxhetore për investime të mëdha publike. Ajo i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës si ‘baltë’ e hedhur për përfitim politik. Në total vetëm gjatë vitit 2017, koncesionet pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 7.3 miliardë lekë.
EVITA sh.p.k është një kompani produktesh farmaceutike me qendër në Tiranë, e themeluar më 14 maj 2013. Më 20 tetor 2015, ministria e Shëndetësisë e shpalli këtë kompani më parë të panjohur së bashku me Spitalin Amerikan, fitues të koncesionit për “shërbimin e hemodializës”, duke i dhënë një kontratë 10 vjeçare me vlerë rreth 8.6 miliardë lekë (86 milionë USD) në total. Gjatë vitit 2015 EVITA Sh.p.k ka pasur të ardhura vjetore prej 300 milionë lekë dhe një fitim prej 42.8 milionë lekë.
Për menaxhimin e koncesionit, EVITA Sh.p.k dhe Spitali Amerikan Sh.a themeluan kompaninë Dia Vita Sh.p.k, ku EVITA Sh.p.k zotëron paketën kontrolluese të aksioneve.
Sipas kontratës së partneritetit publik-privat, Dia Vita Sh.p.k ka si qëllim rikonstruksionin e dy qendrave ku kryhej dializa në Shkodër dhe Vlorë dhe krijimin e tre qendrave të reja, të cilat pranë spitaleve të Lezhës, Korçës dhe Elbasanit. Rikonstruksioni i qendrës së dializës në Shkodër dhe Vlorë tashmë ka përfunduar, dhe shërbimi i ofruar ka marrë vlerësime të larta nga Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
“Kjo është prova e prekshme e të vërtetës, që ajo që bota e bën rregullisht dhe e bën rutinë sot, partneritetin publik-privat në shërbimin shëndetësor dhe që këtu është kriminalizuar, sikur po bëhet një hata e madhe, faktikisht rezultatet ja ku janë,” tha Rama gjatë një vizite në qendrën e rindërtuar të hemodializës në Vlorë me 16 qershor.
Sipas projekt-buxhetit të vitit 2017, vetëm brenda vitit të ardhshëm Dia Vita Sh.p.k, pritet të arkëtojë 9.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për shërbimin e hemodializës.
Të dhënave të botuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pronari i ri i paketës mazhoritare të aksioneve të koncesionit të hemodializës Rasim Hamzaraj, është gjithashtu administrator i kompanisë farmaceutike Megapharm si dhe zotëron 33.3 % aksioneve të saj.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Shqiptar i Shkencave, në 9 muajt e parë të vitit 2016, Megapharm sh.p.k ka qenë kontraktori më i madh i qeverisë në fushën e shëndetësisë me 352 kontrata dhe një vlerë totale prej 452 milionë lekë. Gjatë vitit 2015 kjo kompani ka regjistruar me shumë se 1.2 miliardë lekë shtije.
Suksesi i kompanisë Megapharm me tenderët publik në fushën e shëndetësisë nuk ka filluar me ardhjen në pushtet të Partisë Socialistë në vitin 2013. Ajo është përfolur si përfitues i madh i tenderëve publik gjithashtu gjatë viteve 2010-2012, gjatë qeverisë së ish kryeministrit Sali Berisha në aleancë me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Sipas deputetit të Partisë Socialiste Eduard Shalsi, vetëm gjatë vitit 2010 kompania Megapharm pati përfituar 9 milionë euro në tenderë publikë në fushën e shëndetësisë.
Shalsi pretendonte në atë kohë se suksesi i Megapharm me tenderët publik në vitin 2010 ka ardhur si pasojë e lidhjeve nepotike me ish-ministrin e Shëndetësisë Petrit Vasili.
“Në vitin 2009 kompania Megapharm, e cila për hir të së vërtetës operon prej vitesh në tregun e ilaçeve, ka fituar një numër tenderësh, shuma e të cilave arrin në shifrën prej 1 000 000 euro,” ka deklaruar Shalsi në 15 nëntor 2010.
“Ajo që e komplikon pozicionin e Ministrit të Shëndetësisë është se po kjo kompani përgjatë vitit 2010 dhe vetëm deri në korrik, ka fituar tenderë jo me në shifra të ngjashme por e dini sa? 9 000 000 euro. Po po plot 9 000 000 euro, “ shtoi ai.
E njëjta akuzë ndaj ministrit Vasili është bërë dhe nga ish deputeti Eltar Deda, gjatë një interpelance në parlament në Korrik 2010.
“Unë mund t’ju them se “Megapharm” është një kompani farmaceutike, distributor farmaceutik, i cili është vetë i familjes suaj dhe drejt kësaj kompanie dhe drejt këtij distributori janë adresuar të gjitha tenderët dhe prandaj është ndaluar shpallja dhe lidhja e kontratave të këtyre kompanive,” kas deklaruar Deda, sipas faqes zyrtare te Partisë Socialiste.
Sipas Partisë Socialiste Hamzaraj është kushëriri i ish ministrit dhe deputetit aktual të LSI-së Petrit Vasili, çfarë ka sjellë favorizimin e kompanisë në tenderët për barna, gjatë kohës që Vasili ka drejtuar ministrinë e Shëndetësisë. Megapharm i ka hedhur poshtë akuzat si të motivuara politikisht, dhe ka deklaruar se do ndërmarrë padi për shpifje kundër politikanëve që i kanë artikuluar.
Por megjithatë nuk është vetëm marrëdhënia me Vasilin që ka krijuar probleme për biznesin e barnave, Rasim Hamzaraj. Në vitin 2010, ai vu në qendër të një hetimi të Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin e Pasurisë dhe Konfliktin e Interesit, ILDKPKI, në lidhje me një seri transaksionesh të dyshimta për shit-blerjen e aksioneve të kompanisë Fortis 2, nga bashkëshortja e ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti.
Sipas ILDKPKI-së, Hamzaraj dhe Meri Prifti ‘kanë kryer veprime të kundërligjshme’ të cilat e kanë shumëfishuar vlerën e aksioneve të saj në kompaninë Fortis 2. Ndërkohë, gjatë periudhës që Hamzaraj ka qenë ‘person i besuar,’ ish ministri Dritan Prifti e ka emëruar këtë të fundit në bordin drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, OST.
ILDKPKI ka gjykuar se emërimi i Hamzarajt në bordin e OST-së, ka ardhur në kushtet e konfliktit të interesit dhe ka gjobitur ish ministrin Dritan Prifti me 300,000 lekë gjobë. Një masë e ngjashme administrative është marrë dhe ndaj biznesmenit Hamzaraj, pasi ky i fundit ka refuzuar urdhrin e Kryeinspektorit për të deklaruar pasurinë si person i lidhur me Meri Priftin. Të dyja këtë gjoba janë ankimuar në gjykatë nga Prifti dhe Hamzaraj. Ndërkohë, padia penale e bërë nga ILDKPKI në Prokurori, është hedhur poshtë nga organi i akuzës.