Home KRYESORE Kujt i ngel faji për gruan që e hodhën nga dritarja? Gjyqtarët...

Kujt i ngel faji për gruan që e hodhën nga dritarja? Gjyqtarët shmangin përgjegjësitë

Lidhur me ngjarjen e rëndë ndodhur ditë më parë ku gruaja u hodh nga dritarja e tualetit nga bashëshorti i saj, duket se përgjegjësia po kalon nga një institucion në tjetrin. Peshën e fajit po ia delegojnë njëri-tjetrit e për këtë një koment ka ardhur edhe nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve.

Me anë të një deklarate, gjyqtarët shprehen se në këtë rast janë të gjitha institucionet me faj, pasi ngjarja mund të ishte parandaluar, duke hequr përgjegjësinë kryesore që i është ngarkuar ditët e fundit, pas krimit që i mori jetën nënës së dy fëmijëve në Fier, Liljana Ruko.

Sipas tyre, po konstatohet një sjellje armiqësore ndaj gjyqtarëve kohët e fundit, e cila po paraprin Reformën në Drejtësi. Sipas Shoqatës së Gjyqtarëve, krimi nuk ndodh vetëm sepse gjykata nuk jep gjykimin e kërkuar.

“Nëse edhe gjyqësori do të reagonte me një shkallë të tillë papjekurie, atëherë ne do të shtronim pyetjet: Pse nuk janë siguruar qendra sociale për strehimin e viktimave nga ministritë e linjës?

Pse Policia e Shtetit nuk kryen detyrën e saj, duke filluar procedimin penal ndaj autorit të dhunës në familje, apo pse nuk sigurohen banesa sociale për personat që vendosen të largohen nga banesa, si pasojë e marrjes së masave kundër dhunës në familje?

Pyetje të tilla sigurisht që do të mbeteshin pa përgjigje, pasi, siç u theksua, problemi është shumë më kompleks nga sa trajtohet. I ftojmë të gjithë aktorët dhe faktorët shtetërorë, median, por edhe opinionin publik, që nga ngjarje të tilla kriminale të nxjerrim mësimet e duhura dhe secili prej nesh të kërkojë përgjegjësitë e veta”.

Share: