Home KRYESORE Kur Moska dhe Ankaraja “luajnë në paqe”

Kur Moska dhe Ankaraja “luajnë në paqe”

Nga Azem Parllaku

Në dy deklarata të veçanta, Turqia dhe Rusia kanë akuzuar SHBA se janë duke mbështetur grupet terroriste që luftojnë kundër presidentit Bashar Al Assad në Siri.

Presidenti turk Erdogan tha të martën se kishte prova, që vërtetonin se koalicioni i udhëhequr nga SHBA në luftën në Siri mbështeste grupet terroriste atje, përfshirë ISIS dhe grupet militante kurde.

Akuza të tilla janë quajtur “qesharake” nga një zëdhënës i Departamentit Amerikan te Shtetit, ndërsa ky i fundit pranoi se situata në terren, në veri të Sirisë është mjaft komplekse.

Konflikti mes Turqisë dhe SHBA-se erdhi një dite pasi Ankaraja i beri thirrje për ndihme koalicionit që të mbështeste forcat turke në luftën kundër ISIS në Al-BAB, një qytet në veri të Sirisë, te cilin militantet kurdë janë përpjekur ta zaptojnë. Turqia i trembet një fitoreje të kurdëve, vetëm 25 km në jug të kufirit te saj, pasi sipas tyre do të shtyjë përpara separatizmin kurd brenda Turqisë.

Nga ana tjetër Rusia, tha se vendimi amerikan për të lehtësuar kufizimet në armatosjen e kryengritësve sirianë hap rrugën për dërgesat e raketave anti-ajrore, një lëvizje që do të kërcënonte drejtpërdrejtë forcat ruse në vend.

Këto deklarata vijnë disa ditë pas vrasja e ambasadorit rus në Ankara një ngjarje më e komentuar e harkut të fundit kohorë. Një vrasje e cila ndodhi pikërisht në kohën, kur Ankaraja dhe Moska, i kishin ngrohur marrëdhëniet midis tyre. Ndërsa, ministrat e jashtëm të të dy vendeve u takuan, së bashku me atë të Iranit, ku tema e bisedimeve ishte gjendja në Siri, e sigurisht dhe lufta ndaj terrorizmit.

Turqisë përgjatë atij takimi i’u desh të japë një përgjigje për vrasjen e ambasadorit rus, mbasi ngjarja konsiderohet politikisht e rëndë, po kështu dhe si dështim, kur merren në konsideratë masat e sigurisë që i duhen krijuar një diplomati të lartë. Disa media turke, nuk vonuan që të drejtojnë gishtin e akuzës ndaj Lëvizjes Guleniste, ndërkohë që ekspertët e luftës ndaj terrorizmit kanë gjetur ngjashmëri mes monologut të vrasësit, pas atentatit me formulën e lutjes të grupit të armatosur Al-Nusra. Presidenti turk, Erdogan, reagoi i pari pas vrasjes së ambasadorit rus në Anarka, duke u shprehur se; “Do të krijojmë një ekip të përbashkët hetimi me Rusinë për vrasjen e ambasadorit”. Ndërsa Putin duke folur për ngjarjen tha; “Kjo vrasje është qartësisht një provokim për të dëmtuar normalizimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve ruso-turke, si dhe për të minuar proçesin e paqes në Siri, të nxitur nga Rusia, Turqia dhe Irani”. Senatori i lartë, Frantz Klintsevich, zëvendëskryetar i Komisionit për mbrojtje dhe siguri të Dhomës së Epërme të Parlamentit rus, tha se vrasja e ambasadorit rus, ka qenë akt i planifikuar; “Të gjithë e kanë ditur se ai do të merrte pjesë në këtë ekspozitë fotografish, mund të jetë ISIS, apo armata kurde, e cila përpiqet ta dëmtojë Erdoganin, por mund të jenë me shumë gjasë, përfaqësuesit e shërbimeve sekrete të një vendi të NATO-s, a t’a që qëndrojnë prapa”, ka shtuar senatori që qëndron prapa presidentit rus Putin.

Deklaratat e mësipërme, duke marrë parasysh që dhe atentatori ishte nga radhët e policisë speciale të qytetit, e që u vra edhe ai menjëherë e bëjnë më komplekse situatën. Nuk dihet nëse ka vërtetë ka prova që atentatori ka lidhje me gylenistët, apo kjo është një përpjekje e qeverisë turke për të vrarë dy zogj me një gur. Nga një anë i tregon Rusisë se po i gjurmon fajtorët me shpejtësi dhe nga ana tjetër lan hesapet me një armik të vjetër, duke rritur presionin mbi SHBA-në që ta dorëzojë Fetullah Gylenin. Nga ana tjetër, Rusia mund ta shohë këtë si një shans për ta ndarë Turqinë akoma edhe më shumë prej Shteteve të Bashkuara, një akt që ndoshta i’a vlen jetën e një ambasadori në sytë e Kremlinit.

Inati ndaj Rusisë është i gjerë në Turqi, pavarësisht nga afrimi i të dy vendeve. Rusia ka marrë pjesë dhe ka ndihmuar regjimin e Asadit, në krimet kundër popullatës sunite të Sirisë. Në nëntor të vitit 2015, Kremlini u bë kërcënues kur një avion rus u rrëzua nga forcat turke në kufirin turko-sirian. Një valë e madhe sanksionesh u ndërmorën nga Rusia dhe goditën fort Turqinë. Të gjitha importet e prodhimeve bujqësore nga Turqia u ndaluan, u vendos regjimi me viza për qytetarët turk dhe shumë agjenci ruse turizmi e hoqën vendin në Azinë e Vogël nga lista e destinacioneve. Në shtator të këtij viti, Rusia ka shprehur shqetësime të mëdha për avancimin e Turqisë në Siri. Trupat ushtarake ruse, sipas Rusisë po pushtojnë një pjesë të Sirisë Veriore. Po kështu, Turqia u akuzua edhe për prishjen e armëpushimit të 28 shkurtit në Veri të Sirisë, duke bombarduar forcat kurde. Rusia u kundërpërgjigj duke i prerë rrugën me të cilën Turqia furnizonte rebelët në Siri, si edhe nisi të ndihmojë kurdët në veri që të marrin më shumë pushtet dhe të kërcënojnë Turqinë.

Ekspertët janë të mendimit se vrasja e ambasadorit rus në Ankara do të dëmtojë më shumë imazhin e Turqisë në arenën ndërkombëtare. Marrëdhëniet mes dy vendeve u përmirësuan pak pas puçit ushtarak në Turqi, kur Rusia mbështeti Erdoganin në atë mësymje. Në gusht, dy liderët u takuan në Shën Petersburg dhe diskutuan për ngrohje të marrëdhënieve. Mirëpo, të dyja vendet janë angazhuar fort në luftën në Siri prej 5 vitesh në kampe të ndryshme. Ka shumë pak të ngjarë që të pajtohen për Sirinë dhe këto mospajtime, duke ua shtuar edhe vrasjen e ambasadorit, Andrei Karlov, mund të shërbejnë si pretekst për një pozicionim ndryshe të Rusisë në Mesdhe.

Rusia, ka kohë që, është kthyer në ritmin e saj historik dhe rivendosjes së perandorisë së humbur. Rusia gjithmonë do të jetë shumë e rëndësishme dhe një “kërcënim” për rendin e ri botëror, ndaj dhe u tregua e gatshme të reagojë ndaj trubullirave rreth kufijve të saj, e luftrave në Lindjen e Mesme. Presidenti rus Putin, krahas “goditjeve” nga ajri të pozicioneve të militantëve të ISIS, duket se e kishte në në kokë një plan rus për zgjidhjen e konfliktit të armatosur në Siri.

Në takimin e G20-ës në Antalia të Turqisë, Putin nuk i kurseu kritikat e tij, për disa nga vendet, apo aleatët e vendeve të zhvilluara, të cilat financojnë dhe mbështesin shtetin islamik. Deklarata e tij, pas rrëzimit të avionit luftarak në kufirin midis Turqisë dhe Sirisë, nga ana e forcave të mbrojtjes ajrore të Turqisë, se: “Rusia ka qenë prej kohësh e informuar për naftën, që nën kontrollin e terroristëve shkonte nga Siria në Turqi, e paratë e shitjes financonin grupet terroriste”, duhej marrë seriozisht. Në këtë mënyrë, atëkohë presidenti Putin, sapo kish thënë që, terroristët jo vetëm financohen nga një ekonomi e zhvilluar, por dhe po mbrohen nga një ushtri anëtare e NATO-s.

Sido që të rrjedhin ngjarjet, Putin e ka tashmë më të lehtë të bëj qasjet e planit te tij, i cili pak a shumë mund të jetë: Propozimi që kthen paqen në Siri, duke e lënë në pushtet Presidentin sirian Bashar al-Assad, ndërkohë që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Anglia, Turqia dhe aleatët e Gjirit Arab, mund të mos pranojnë duke thënë që, Assad kurrsesi nuk duhet të qëndrojë në pushtet, thjeshtë mund të jetë pjesë e negociatave për vendosjen e paqes. Uashingtoni thotë se një pjesë e madhe e sulmeve të Moskës u adresuan ndaj opozitës së moderuar siriane, e cila mbështetet nga Perëndimi në betejën e saj kundër presidentit Bashar al-Assad.

Pjesë e bombardimeve ruse në Siri ishin edhe disa fshatra të minoritetit turk në Siri, gjë që ka sjellë zemërimin e Ankarasë. Ndërkohë që Moska dhe Damasku i quajnë terroristë të gjithë kundërshtarët e regjimit, jo vetëm ISIS, dhe militantët e frontit Nusra, por dhe Ushtrinë e Lirë Siriane që mbështetet nga Perëndimi dhe vendet arabe. Duke goditur kundërshtarët e regjimit, goditje të cilat janë raportuar herë pas here, e që mendohet se manipulohen nga përgënjeshtrimet që publikon Moska, kjo e fundit inkurajoi trupat e regjimit të ndërmarrin një ofensivë në shkallë të gjerë, ç’ka e dëshmoi dhe rritja e numrit të të larguarve nga qytetet Aleppo, Hama, Idlib, etj.

Aleppo javën e kaluar, na dëshmoi se populli i Sirisë, ishte jetim i shekullit, ndërsa ai po vdiste në sytë e botës. Qëndrimi në pushtet i Assad-it, sipas planit të Presidentit Putin, është një ogur i mirë për Rusinë, ç’ka i jep një dimension të ri prezencës së saj në brigjet e Mesdheut. Me justifikimin e sulmeve ushtarake nga ajri që Rusia ndërmorri e do të ndërmarrë kundër terroristëve të ISIS, Putinit i lind e drejta t’u thotë liderëve të Europës, se është Rusia ajo, që po ndihmon jo vetëm ushtarakisht në vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme, e paqja që po vendoset po e frenon në këtë mënyrë fluksin e atyre që ikin nga lufta, të cilët për Europën janë shqetësimi i ditës.

Putin e ka kuptuar më mirë nga gjithkush se Shtetet e Bashkuara janë lodhur nga luftrat e Gjirit Persik, po kështu dhe Europa nga ana e saj, është shumë më pak operacionale nga ç’duhet, ndaj dhe u hodh në ofensivë për të përfituar kreditet në këtë ndeshje midis Perëndimit dhe ISIS. Me këtë rast Putin shpreson që Ukraina është një kapitull i mbyllur, e Europa në këmbim të paqes në Siri do të inkurajohet t’i hiqen sanksionet që ajo i ka vënë Rusisë, pa e harruar influencën që po vendos dhe në Mesdhe, një synim ky i kahershëm për Kremlinin. Mbase Putin e ka patur në kokë flijimin ambasadorit të tij në Ankara.

Share: