Home KRYESORE Ligji italian për “call center”, ja argumentet e qeverisë shqiptare për të...

Ligji italian për “call center”, ja argumentet e qeverisë shqiptare për të penguar miratimin

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit si dhe statusi ‘vend kandidat’, janë përdorur si argument nga Qeveria shqiptare në kërkesën drejtuar palës italiane për amendamentime në ligjin për rirregullimin e shërbimeve të “call center”, që ka kaluar në Dhomën e Deputetëve dhe pritet të diskutohet në Senat.
Burime nga ministria e Ekonomisë, bëjnë të ditur se tashmë i është përcjellë zyrtarisht një shkresë qeverisë italiane. Ndërsa sipas burimeve të ATSH-së, në shkresën drejtuar palës italiane, qeveria shqiptare kërkon amendime në ligj, të cilat do të lejonin operimin e këtyre kompanive në vendin tonë, duke qenë se Shqipëria është vend europian dhe se tashmë ka statusin ‘kandidat’ për në Bashkimin Europian.

Sipas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, në rast se Shqipëria konsideron se masa e marrë nga një vend anëtar i BE pas hyrjes në fuqi të MSA është thelbësisht shtrëngues se sa situata para hyrjes në fuqi të saj sipas nenit 58, pika 2, Shqipëria mund të kërkojë konsultim me BE.

Ligji në fjalë mund të sjellë një impakt të madh jo vetëm në uljen e fitimeve të kompanive që tashmë operojnë në vendin tonë, shkurtimin e vendeve të punës, por deri në mbylljen e mjaft kompanive të këtij lloji dhe zhvendosjen e tyre në shtete brenda Bashkimit Europian, si Rumani apo Kroaci.

Mbi 804 kompani “call center” ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri prej më shumë se 10 vitesh duke bërë të mundur punësimin e rreth 25 046 punonjës, kryesisht të rinj.

Ligji i ri që tashmë ka kaluar në Dhomën e Deputetëve dhe pritet të diskutohet në Senat përcakton që operatorët ekonomikë italianë, të cilët transferojnë punën e tyre jashtë Italisë duhet të njoftojnë 120 ditë para ministrinë Italiane të Punës dhe Çështjeve Sociale, të japin detaje të punonjësve që do të transferojnë në vende të tjera, të komunikojnë me Autoritetin e Të dhënave personale të Italisë dhe të respektojnë kërkesat e mbrojtjes së tyre të vendosura nga Kodi i Mbrojtjes së të dhënave në Itali etj.

Ndryshe nga sa pritej se ligji do të kalonte në Komisionin e Buxhetit në mbledhje konsultuese për të marrë mendimin e Presidentit të Senatit, Pietro Grasso, deklarata e Kryeministrit italian Matteo Renci, i cili pranoi humbjen në referendumin për reformën kushtetuese dhe theksoi se do t’i dorëzonte sot dorëheqjen presidentit Sergio Mattarella, shihet si një mundësi e mirë, pasi i jep më tepër kohë qeverisë shqiptare për të shfrytëzuar të gjitha kanalet e komunikimit./ATA

Share: