Nga Artan Fuga
Përpara pak ditësh, zoti Fransua Holand, President i Republikës të Francës, deklaroi papritur në televizion se ai nuk do të paraqitej si kandidat për njëherë të dytë në postin që mban aktualisht.
Sigurisht, duhet patur kujdes që të mos ngatërrohet posti i Presidentit në Francë me atë në një republikë parlamentare si Shqipëria. Në Francë, Presidenti zgjidhet nga populli, ka kompetenca edhe ekzekutive, drejton edhe mbledhje të qeverisë, vendos strategjinë e zhvillimit dhe të politikave publike të shtetit, madje edhe cakton kryeministrin. Pra, kur flitet për veprimin e tij, kjo gjë ka të bëjë me sjelljen politike të njeriut më të rëndësishëm politik, jo vetëm simbolik, të vendit. Pra, analogjia është me të gjithë klasën politike te ne, jo me postin e Presidentit, ku krahasimet do të ishin fare të gabuara.
Kam përshtypjen se ky akt kaloi si nëpër heshtje në Shqipëri. Por, në fakt mësimet që dalin prej andej mund të na vlejnë për të parë pak më qartë se çfarë po ndodh në botën e sotme dhe pastaj cila është gjendja në vendin tonë.
1. Duhet thënë se dy vitet e fundit sondazhet dëshmonin se popullariteti i Presidentit Holand kishte ardhur në rënie drastike. Por, nuk mund të thuhej se ai ishte fare i pashpresë. As sondazhet dhe askush nuk e di këtë gjë dot. Madje me pak sforco, duke u imponuar si kandidat për popullin e majtë, ai mund edhe të konkurronte jo keq, sepse mes një të djathi dhe një të majti nuk dihet sesi do të sillej elektorati. Asnjëherë nuk i dihet.
Por, u desh vetëm një e dhënë, sondazhet, pra mospëlqimi elektoral, kaq e thjeshtë, që politikani dhe shtetari Fransua Holand të mendonte se përderisa nuk kishte mbështetje popullore, nuk e shihte të arsyeshme të rikandidonte më.
A pyesim ne nëse populli është kritik me qeverrisjet? Në kohëra të ndryshme, pra. Hiç fare. As i shkon mendja ndonjë politikani që meqë nuk ka popullaritet të tërhiqet.
Përse, a nuk dinte zoti Holand të justifikohej për pakënaqësitë popullore?
Mund të nxirrte një mijë argumente që do ta justifikonin ambicjen e tij, po ta kishte. Do të thoshte: daleni, camarades, se kemi qenë në krizë, se e morra shtetin me borxhe, se kemi pasur atentate, se kjo se ajo. Hiç fare. Asgjë nga këto. Për të ishte e thjeshtë : Nuk më doni? Dakord, nuk po ua kërkoj fare më votën!
Ku zgjedh elektorati te ne? Presidentin e zgjedh Kuvendi, deputetët i zgjedhin partitë politike, kryetarët e partive politike zgjedhin vetveten. Eshtë i pakënaqur populli? E punë e madhe! Mban populli po hë!
Ne jemi në partitokraci, jo në demokraci. Prandaj ndodh kështu!
2. Por, para sesa të kandidonte përpara elektoratit, zoti Holand, sikurse edhe kandidatët e tjerë, majtas apo djathtas, duhej të kalonin “primaret”, pra zgjedhjet brenda partisë për kandidatin më të mirë mes shumë kandidatëve të partisë, që kishin dalë në skenë.
Dhe kandidatët e tjerë, nuk ishin aspak të zgjedhurit e tij. Ndonëse ishin promovuar prej tij në politikë, kjo nuk i pengoi fare moralisht kandidatët e tjerë të kishin ambicjen dhe të dilnin rivalë të tij. Kjo është logjika e gjërave në demokraci. nuk ka borxhe miqësie në lojën demokratike. I shërben vendit dhe kaq.
Ti më ngrite në karrierë? E çë pastaj? Mos e ke mallin e babait?
Aq më shumë Presidenti Holand në asnjë çast nuk pretendoi, meqë është shefi i shtetit, të mos respektojë displinën e partisë për të evituar daljen para partisë dhe elektoratit të majtë si kandidat. Ai nuk e mohoi detyrimin moral dhe politik pêr të respektuar disiplinën e partisë dhe demokracinë brenda partisë. Drejt e kishte : Poqese një parti nuk është demokratike brenda saj, mos prit që shteti që ajo qeverris të jetë demokratik.
Madje analistët theksojnë se ai u tërhoq nga rikandidimi edhe pikërisht sepse druante se në këto konkurrime brenda partisë nuk do të arrinte të përballte kandidatët e tjerë që nuk luajnë, por rivalizojnë me kulturë, po pa hilera.
3. Ajo që nuk thonë sa duhet deritani analistët është ajo që mua më ka bërë përshtypje të veçantë. Zoi Holand u tërhoq pasi pa që edhe zoti Sarkozy, ish Presidenti i Francës përpara tij, u mund nga kandidatët e djathtë brenda partisë së tij. Kam përshtypjen që zoti Holand pa se sondazhet nuk ishin pa miell. Elektorati nuk kishte më dëshirë të mbahej lidhur me figura që pasi kishin shërbyer njëherë, mirë a keq, majtas apo djathtas, të rishërbenin edhe në të ardhmen.
Holand mbase kishte llogaritur të kishte përballë tij Sarkozinë, duke e përballur me logjikën e mirëkuptuar politike, dhe i thënë elektoratit : Unë kam edhe gjëra që nuk iu kanë pëlqyer, por përballë meje, keni përsëri dikë që gjithashtu nuk iu ka pëlqyer disa vite më parë!
Unë supozoj se zoti Holand nuk doli si kandidat sepse nga ana e kundërt zoti Sarkozy u eliminua. Ata do të pomponin dhe legjitimonin njeri tjetrin. Elektorati nuk e la këtë shteg.
Elektorati si duket nuk ia dha këtë shans.
Nuk dëgjonte nga ai vesh. Jemi në një kohë ku gjithandej po rinovohen elitat politike, në Itali, Spanjë, Greqi, Francë, madje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo është demokracia. Kolltuqet duhen mbajtur të freskët. Duhet të kalojnë elitat, individët, partitë, pa zenë rrënjë.
Elektoratet po tregojnë kudo në botë se duan ndryshimin e elitave politike.
Fundja edhe ky është kuptimi i demokracisë. Cdo qytetar mund të bëhet një shtetar. Politikani bën karrierë të gjatë politike, por në funksione shtetrore kryesore qendron relativisht pak. Dhe ikën.
Nuk vjen nga hiçi, nuk kërcen mbi trampolinën e pushtetit, dhe pasi hypën majë kalit, fap e fup aty, qendron me vite e dekada pa lëvizur.
Nuk është kjo demokracia!
Jo?
Mos e kam gabim?
Ja përse them se mosrikandidimi i Presidentit Holand, një akt koherent në një demokraci të madhe dhe të pjekur, mu duk sikur u anashkalua në syrin e opinionin publik te ne.
Si ndodh me prindërit kur janë duke parë një film në tv bashkë me fëmijët dhe papritmas dalin skena dashurie paksa edhe trupore.
Prindi, faaap, shkel butonin e telekomandës dhe e çon tv në një stacion tjetër, psh te stacioni i një radiotelevizioni publik ku jepen gjithë ditën gara paraplegjikësh në Olimpiada noti.