Home KRYESORE Nga cikli ‘Kafe për llafe’

Nga cikli ‘Kafe për llafe’

Nga Capajev Gjokutaj

A është e drejtë që bredhi të vendoset në qendër të qyteteve tona?

Një palë thoshte jo. Bredhi lidhet me Krishtlindjet, është simbol i të krishterëve. Tri brinjët e tij shenojnë trininë e shenjtë, kurse maja – dëshirën e besimtarit për qiellin e amëshuar.

Por hapsira publike, shtonte kjo palë, është e të gjithëve. Edhe e myslimanëve, edhe e ateistëve etj. Për të mos thënë që bredhin e paguan bashkia, nga taksat. Merr paret e myslimanit dhe bën festën e kaurit…

Pala tjetër këmbëngulte se bredhi është simbol i vitit të ri. Ashtu si njeriu, edhe simbolet nuk duhen gjykuar nga vijnë dhe të kujt janë, por çfarë bëjnë. Bashkë me plakun e vitit të ri, bredhi ka lehtësuar plazmimin e festës më masive të shqiptarëve.

Pastaj, po të nisemi nga origjina, shtonte kjo palë, le të vemi deri në rrënjë. Para se të bëhej simbol i Krishtlindjeve, bredhi, gjithnjë i gjelbër, ka qenë simbol pagan i jetgjatësisë.

Me argumenta të tillë e tone të zjarrta, shtymë goxha kohë. Si zakonisht, nuk i dhamë dot dum. Banakjerja na shihte përhumbshëm dhe, herë pas here gogësinte…

Share: