Home KRYESORE Nikolla Pano: SHBA nuk duhet t’i lënë dorë të lirë Rusisë në...

Nikolla Pano: SHBA nuk duhet t’i lënë dorë të lirë Rusisë në Ballkan

Profesori i historisë, Nikolla Pano, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se nuk beson që si rrjedhojë e zgjedhjes së zotit Donald Trump, politika e SHBA në Ballkan të ketë ndryshime dramatike. Profesor Pano, i cili është njohës i çështjeve të Ballkanit, tha gjithashtu se e shqetëson pabarazia sociale dhe ekonomike në Shqipëri. Ai u intervistua nga shefi i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, së pari faleminderit shumë për këtë intervistë. Është kënaqësi t’ju kemi në Zërin e Amerikës.

Nikolla Pano: Është kënaqësi edhe për mua t’ju shoh sërish.

Zëri i Amerikës: Po përjetojmë rishtazi kohëra shumë interesante me zgjedhjet e debatueshme këtu në Amerikë. Për shikuesit tanë, a mendoni se këto zgjedhje do të kenë ndonjë ndikim në Ballkan?

Nikolla Pano: Përgjithësisht nuk mendoj se do të ketë një ndryshim domethënës në politikën e jashtme amerikane. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Ballkani të jetë një zonë stabiliteti. Ky ka qenë një tipar themelor i politikës së jashtme amerikane në atë rajon. Në këtë këndvështrim, vendet kryesore në rajon do të marrin sigurime se nuk do të ketë ndryshime dramatike. Mund të ndodhë ndonjë ngjarje kataklizmike që mund të ketë pasoja edhe për Ballkanin, por nëse zhvillimet do të jenë përgjatë trajektores së tanishme, nuk parashikoj ndonjë ndryshim madhor në Ballkan apo në politikën e jashtme të administratës së re në Uashington.

Zëri i Amerikës: Janë ngritur disa shqetësime rreth marrëdhënies së administratës së re me Rusinë. A mund të sjellë kjo një ndikim të tërthortë për Ballkanin?

Nikolla Pano: Nëse do të ketë ndryshime, në rast se SHBA do të përqafonin një qasje më të ashpër apo më të butë ndaj Ballkanit, atëherë natyrisht që do të kishte pasoja. Për shembull, nëse Shtetet e Bashkuara do të mendonin se Rusisë i duhet lënë një dorë më e lirë në Ballkan, kjo mund të inkurajonte serbët të jenë më agresivë ndaj Kosovës në kërkesat e tyre për disa lëshime në negociatat ndërmjet dy vendeve. Por sërish, unë nuk e shoh për momentin të ndodhë një gjë e tillë. E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë, e cila do të ndikohej nga disa zhvillime në vende të tjera të Ballkanit. Por, marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje kanë qenë përgjithësisht të mira dhe problemet që kanë lindur janë sheshuar. Sërish, nuk parashikoj ndryshime të menjëhershme, por sigurisht e ardhmja afatgjatë është një çështje tjetër.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, le të flasim pak për Shqipërinë. Nëse mund t’ju bëj fillimisht një pyetje të përgjithshme, çfarë mendoni për gjendjen e tanishme në Shqipëri?

Nikolla Pano: Nëse flasim për gjendjen e tanishme në Shqipëri, shohim se ka patur disa ndryshime, ka patur një lloj progresi gjatë viteve. Por, është e qartë se sfidat që ka patur, vazhdojnë të jenë të pranishme. Ka qartësisht zhvillime tepër serioze për sa i përket çështjes së reformës ligjore, e cila duhet trajtuar. Është bërë progres, por qëndrojnë pikëpyetjet për zbatimin e mëtejshëm të saj nëpërmjet akteve të tjera ligjore që duhet të miratojë parlamenti. Ka patur zvarritje, por komuniteti ndërkombëtar, jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por komuniteti ndërkombëtar si i tërë, vendet e BE-së, nxisin me forcë disa nga këto ndryshime që janë miratuar nga parlamenti dhe që kërkojnë akte mbështetëse për t’i bërë të zbatueshme.

Zëri i Amerikës: Megjithëse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE, shumë vëzhgues mendojnë se Shqipëria gjendet ende në periudhë tranzicioni nga sistemi i vjetër drejt një demokracie funksionale të tregut. Cili është vlerësimi juaj për demokracinë në Shqipëri?

Nikolla Pano: Çështja e tranzicioneve demokratike në vendet ish-komuniste është një temë debatesh të shumta në radhët e akademikëve, në disa prej të cilave kam marrë pjesë edhe unë. Besoj se në rastin e Shqipërisë procesi i tranzicionit nuk është përmbushur. Kemi një bazament që është krijuar për institucionet demokratike, por nëse do të thonim se këto institucione demokratike në Shqipëri, sistemi parlamentar, sistemi politik shumë partiak, janë të shëndosha, atëherë do të ishim disi jorealistë. Ka patur një tranzicion ekonomik dhe mendoj se është bërë progres domethënës në këtë fushë. Kjo është inkurajuese. Një tjetër fushë që mua më shqetëson, për sa i përket shoqërisë, është pabarazia sociale dhe ekonomike që ka Shqipëria. Është një çështje tepër serioze dhe qeveria shqiptare duhet t’i kushtojë më tepër vëmendje trajtimit të problemeve në këtë drejtim. Këtu përfshihen shumë gjëra, që nga shpërndarja jo e barabartë e të ardhurave deri tek pabarazia në zhvillimin rajonal në Shqipëri. Këto janë çështje që janë diskutuar. Udhëheqësit qeveritarë tregojnë se janë në dijeni të këtyre problemeve dhe sfidave, por ato duhen trajtuar. Ekziston sigurisht çështja e korrupsionit që është i kudondodhur, jo vetëm në sektorin qeveritar, por edhe në sektorin privat.

Zëri i Amerikës: Megjithëse Shqipëria hyri në një sistem të ri duke e filluar nga një stad tepër i ulët, a nuk janë të mjaftueshme 25 vite që vendi të kishte arritur më shumë?

Nikolla Pano: Kur u rrëzua regjimi komunist në Shqipëri në vitin 1990, unë dhe disa kolegë të mitë menduam se do të duheshin 20 deri në 25 vite që Shqipëria të kalonte sfidat me të cilat përballej, për shkak të, siç thatë edhe juve, nivelit nga ku shqiptarët po ia fillonin. Pas 25 vitesh, po arrijmë në pikën ku do të ishte e dëshirueshme të shihnim konsolidim më të fortë të institucioneve. Do të kishte qenë më mirë nëse do të ishin trajtuar disa nga çështjet sociale të vendit, zhvillimi jo i barabartë i zonave rurale dhe atyre urbane. Jam i kënaqur që të paktën qeveria flirton me idenë se duhet më shumë zhvillim në zonat rurale dhe infrastrukturën rurale. Krahas shumë çështjeve të tilla është dhe nevoja për ndryshimin e qëndrimeve të udhëheqjes politike. Sjelljet e udhëheqjes komuniste janë ende të rrënjosura…

Zëri i Amerikës: Si e shpjegoni ju këtë? Përse është aq i vështirë ndryshimi i këtij mentaliteti?

Nikolla Pano: Është e vështirë të ndryshojë ky mentalitet, sepse së pari, një numër i madh i qeveritarëve, i udhëheqësve në të dyja partitë kryesore, madje edhe në disa nga partitë më të vogla, janë rritur në sistemin komunist. Kjo është e vetmja gjë që ata njohin. Influenca e tyre vetëm tani ka filluar të venitet. Po fillojmë të shohim një tranzicion gradual drejt një klase të re udhëheqësish, një brezi të ri udhëheqësish. Por, jam gjithashtu i pikëlluar që edhe në radhët e disa udhëheqësve të brezit të ri ekziston i njëjti mentalitet. Shpresoj se tani që gjithnjë e më shumë shqiptarë po arsimohen në vende të tjera dhe shumë të tjerë fillojnë të përjetojnë nëpërmjet udhëtimeve se si funksionon atje demokracia, mund të krijohet një mentalitet më qytetar. Mendoj gjithashtu se edhe shkollat shqiptare duhet të bëjnë shumë më tepër për arsimimin qytetar.

Share: