Home KRYESORE Ollga dje dhe sot..

Ollga dje dhe sot..

Nga Agim Xhafka

Që larg e dallova. Nga flokët plot dallgë.Ishte Ollga,shoqja ime e punës. Pak më e dobët,kërrusur cazë dhe shtuar me një bastun. Flokët nuk ishin sulmuar nga thinjët se ishin të verdhë si grurë i pjekur.

Deri në vitet ’90 ishte ekonomiste në fabrikë. E bukur,e shkathët,e zgjuar. U përfol për ca lidhje,por nuk iu mbush mendja për martesë. Sa u përmbys sistemi i ranë plot dokumenta pronësie në dorë e iu qep marrjes së tyre. Ishte si sëmundja e njerëzimit drejt Alaskës për ar. Harroi moshën,pasionet,emocionet dhe u gjend mes ëndërrave me troje, ara, banesa, pyje, ndërtesa.

Nisi gjyqet,konfliktet,rryshfetet,pazaret dhe ngeci. Nuk po merrte gjë,por dhe nuk paguante dot asgjë. Se kokërr leku nuk i ngeli. Vdiqën dhe prindërit e mbeti veç me vëllanë,më i madh dhe pamartuar se priste Ollgën të bëhej nuse.

Nuk u dorëzuan. Prona si droga,të mban në gji. Shitën shtëpinë e morën një hyrje me qira poshtë Laprakēs për sa më lirë. Rinisën gjyqet dhe…asgjë. Harxhuan krejt lekët. Kaluan 25 vite e shëndeti mori poshtë vëllain me një goditje në zemër.

Zuri krevatin e bënte ec e jakê brenda apartementit. Më pas Ollga thyhen këmbën nga ostoporoza e tani ecën ngadalë e mbajtur fort tek bastuni. Arritën moshën e pensionit,por nuk kanë vitet e punës. Halli më i madh të gjejnë lekët e qirasë.

E bukura Ollgë mes halleve e shëndetit nuk e shqit buzëqeshjen.

-Mbase ikim në Gorë,-thotë.-Kam dëgjuar se ca fshatra andej janë boshatisur. Po gjejmë ndonjë shtëpi të parrëzuar e po mbjellim ca zarzavate për vete. Mbase mbajmë dhe ca pula.

Duket si histori e sajuar,treguar për të kaluar kohën. Por ja që nuk pickoj veten se Ollga është shoqja ime që shoqëria jonë e bluajti,e shtrydhi dhe e hodhi maleve të Gorës. Bashkë me vëllain. Nuk gjej fjalë as ta ngushëlloj,as ta mbroj. Veç ndjej një shtrëmgim në lukth që më mbyt. Eh,fatzeza Ollgë…

Share: