Home KRYESORE Opinion për ndryshimet e mundshme që do të … shkaktojë dukuria Trump...

Opinion për ndryshimet e mundshme që do të … shkaktojë dukuria Trump në botë

Nga Kasem Seferi

Këto ditë që diskutohet aq shumë për dukurinë “Trump”, më erdhi në kujtesë shkrimi i famshëm i gazetarit amerikan “10 ditë që tronditën botën”, kur Lenini me revolucionin e tij bolshevik e rrokullisi pothuajse gjysmën e botës në rrjedhën më populiste të historisë së rrymave kolektiviste.

Që nga kohërat biblike dhe deri më sot, kultivimi i kulturave të ndryshme, herë në ngritje dhe herë në rënie, në mënyrë të pallogaritshme, kanë kontribuar për t’i prirë ngadhnjimit të një bote të re, të një jete më të mirë, në paqe, harmoni dhe miqësi.

Pasojat e krizave të ndryshme dhe, veçanërisht, pasojat e krizës së fundit financiare dhe ekonomike botërore, me të drejtë, shtruan pyetjen: A do të thellohen më tej krizat, apo kapërcimi i tyre do t’i hapë rrugën përparimit të mëtejshëm?!

Historia, në agim të ndryshimeve të mëdha, ka treguar se udhëheqësit politikë dhe elitat pranë, ose kundra tyre, kanë përcaktuar se çfarë duhet bërë menjëherë, madje, kanë caktuar aktorët, kanë përkufizuar vlerat, si dhe kanë përfytyruar institucionet.

Individë të mëdhenj, të ndjeshëm për fatin e njerëzimit, në kohën e duhur, e kanë kuptuar mjaft mirë se politika, më së pari dhe më shumti, duhet të mendojë për të ardhmen.

Njerëzimi, sot, është i vetëdijshëm se politika nuk duhet të sprapset para zgjidhjes që kërkon e ardhmja, ndryshe njerëzimi rrezikon që të hidhet në rrjedhën e barbarisë dhe betejave shkatërrimtare, ku forcat e kundërta do t’i kundërviheshin njëra – tjetrës.

Politika, udhëheqësit e saj të guximshëm, të matur dhe largpamës, sot, i kanë të gjitha mundësitë të identifikojnë mjetet dhe burimet për ta bërë rendin botëror më të aftë, që të prodhojë më shumë pasuri se deri më tani.

Pra, të krijojnë një hapësirë gjithnjë e më të madhe për teknologji të reja, me rendiment gjithnjë e më të madh.

E parë në këtë këndvështrim, detyra kryesore e Presidentit Trump, mesa duket, është puna me opinionin publik për të bërë të mundur çdo gjë që, sot, politikisht, duket sikur është e pamundur.

Në politikë, ashtu si edhe në ekonomi, udhëheqësit politikë që nuk përballen me konkurrencën, ndihen të vetëkënaqur dhe historia ka dëshmuar se kjo vetëkënaqësi, ka qenë dhe mbetet arsyeja kryesore që ata, ndonjëherë, kanë vënë dhe do të venë në dyshim supozimet e tyre.

Nuk besoj që në rastim Trump, ky i fundit, të mos adaptohet me risitë e reja që duket se kanë pozuar zhvillimet e reja që kërkon globalizimi.

Historia ka dëshmuar, gjithashtu, se tregu dhe demokracia ngrihen mbi organizimin e konkurrencës, por kur kostot e prodhimit rriten, kur pagat rriten, kur përqindjet e produktivitetit ulen dhe kur vizioni i së ardhmes nuk është i qartë, atëherë, kurba e kërkesës varet poshtë, investimi ndalet, papunësia kap majat, proteksionizmi ringjallet, dhe liria kufizohet.

Papunësia dhe pabarazia në SHBA dhe kudo në botë jo pak herë ka minuar arritjet e vërteta të ekonomisë së tregut, me anë të mbjelljes së farave të paqëndrueshmërisë.

Në shumë vende, mungesa e mundësisë ekonomike, ka çuar në veprimtari joproduktive, paqëndrueshmëri politike dhe, madje, në konflikt.

Por, për arsye se rritja ekonomike në botë, sot, rrethohet nga tensionet sociale, kjo dukuri tregon se nuk është e favorshme për stabilitetin ekonomik dhe financiar.

Të paktën në vendet e përparuara rritja ekonomike po krijon pak vende pune. Shumë njerëz, në shumë vende, po përballen me krizën sociale që, çdo lloj i saj, është aq serioz sa dhe kriza financiare dhe ekonomike botërore.

Kriza e viteve 2010 – të hodhi jashtë vendeve të punës 30 milion njerëz; vetëm në Europë ishin 17 milion të papunë, ndërsa në të gjithë botën, sot, janë pothuajse mbi 200 milion njerëz duke kërkuar punë.

Të gjithë analistët e disiplinave shoqërore, krizën e tanishme botërore, e përkufizojnë si me të madhen pas Krizës së Madhe financiare të viteve 1930 – të.

Por, me fakte, globalizimi ka dëshmuar se është një forcë e madhe politike dhe ekonomike e kohës, për arsye se, mbrapa tij, qëndrojnë kostot e zvogëluara të komunikacionit dhe transportit, si dhe lëvizja mbarëbotërore drejt ekonomisë së tregut liberal dhe mundësisë së përfshirjes të miliarda njerëzve, për herë të parë, në ekonominë botërore.

Kostot e transportit dhe komunikacionit, revolucioni i liberalizimit botëror i tre dekadave të fundit, ngritja e Azisë dhe hyrja e miliarda njerëzve në ekonominë e tregut botëror, së bashku, po e transformojnë botën.

Megjithëatë, mbetet kërcënimi i frikës nga globalizimi, paqendrueshmëria makroekonomike, pamjaftueshmëria e burimeve dhe tensioneve gjeopolitike.

Por, globalizimi ofron një potencial shumë të madh për përparimin ekonomik, sepse udhëhiqet nga forca ekonomike dhe politike të fuqishme, që kanë pasoja të fuqishme ekonomike dhe politike.

Globalizimi është një proces i pakthyeshëm, edhe pse është ndalur në mënyrë të përkohëshme për shkak të dy luftërave botërore dhe rënieve ekonomike.

Por, si gjithnjë, do të jenë udhëheqësit e guximshëm, ata që me ide të reja dhe largpamëse, që do t’i japin botës një zgjidhje të merituar. A mund ta përjashtojmë Presidentin Trump nga një mundësi e tillë?! Natyrisht, jo!

Njerëzimit i duhet të punojë për ribalancimin global, që shumë tregje emergjente të zhvendosen drejt kërkesës së brendshme, ndryshe do të mungojë rritja ekonomike globale.

Sfida, që njerëzimi ka përpara, do të ndikojë si vendet e përparuara, ashtu dhe ato në zhvillim dhe, veçanërisht, ato në tranzicion.

Unë në mënyrë modeste shpreh besimin se udhëheqës si Trump, që lindin dhe rriten me frymën e sipërmarrjes dhe lirisë që siguron një rend që konsiderohet më demokratiku në botë, nuk do t’i largoheshin tipareve të tilla: të qenit të matur ashtu dhe largpamës.

Ashtu si kapitenët e anijeve në det të hapur, pavarësisht se kanë përparësi në të drejtën e komandimit, besoj, thellësisht, se Presidenti Trump nuk do ta përdorë këtë privilegj vetëm në shërbim të anijeve të SHBA, por do ta drejtojë vargun anijeve të ekonomisë botërore përgjatë pasojave të “stuhisë” së krizës financiare dhe ekonomike botërore, ose “shkëmbinjve të thepisur të saj “ për ta nxjerrë njerëzimin në bregun e shpëtimit.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: