Nga Syri.net
Drejtori i madh i CIA-s, nuk lëviz kurrë për vizita rastësore jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zbarkimi disa orësh, paparalajmëruar në Tiranë i John Brennan, tregon se Shqipëria është venë në qendër të shërbimit më të madh inteligjent të botës dhe diçka madhore i shqetëson. Shumëkush e lidh këtë vizitë, me rrezikun e radikalizmit islamik. Por duket se nuk është kjo e gjithë e vërteta.
Vetë ambasada amerikane dha dje pak detaje për vizitën e drejtorit të CIAs, John Brennan në Tiranë;
“Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) John Brennan vizitoi Shqipërinë për t’u takuar me drejtues të ndryshëm dhe për të diskutuar një gamë çështjesh përfshi sigurinë rajonale, bashkëpunimin kundër terrorizmit, shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, si dhe çështje të tjera dypalëshe. Gjatë vizitës së tij, drejtori Brennan u takua me kryeministrin Rama, presidentin Nishani, ministren e Mbrojtjes Kodheli dhe drejtues të shërbimit shqiptar inteligjent”, thuhej në njoftimin e shkurtër dhe të përgjithshëm të ambasadës.
Të gjitha mediat pranë qeverisë këtë vizitë e lidhën, vetëm me luftën kundër terrorizmit dhe rrezikun e ISIS në vendin tonë.
Natyrisht që edhe kjo ka qenë një nga arsyet e kësaj vizite, por tashmë nuk është sekret që CIA ka një zyrë pranë drejtorisë së antiterrorist në SHISH dhe prania e saj në Shqipëri, është teje e fuqishme. Gjithashtu kjo vizitë nëse do të bëhej vetëm për rrezikun ISIS, përpara Tiranës zoti Brennan mund të kishte vizituar Shkupin, Prishtinën apo Bosnje Hercegovinën, ku inflirtimi i celulave terroriste islamike ka qenë më madh se në Shqipëri.
ISIS tashmë është në shpartallim e sipër dhe në tërheqje totale, edhe në zonat e saj më të forta, në Irak dhe Siri, kështu që një vizitë eksluzive e vetë kreut të CIAS në Tiranë, ka gjasa që të jetë kryer më së shumti për arsye të tjera.
Sipas burimeve të Syri.net, një mësymje ruse në muajt e fundit në Ballkan ishte një nga temat kryesore të diskutimi mes drejtorit të CIA-s, Brennan dhe autoriteteve shtetërore shqiptare.
Vetëm 10 ditë më parë Këshilli i Europës nxori një raport, ku flitej për një plan dhe strategji ruse tashmë në veprim, për të rritur influencën në qeveritë dhe popujt e Europës Lindore dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor ku gjendemi edhe ne. Aty ngrihej alarmi, se Rusët po përdornin të gjitha mënyrat për të rritur prezencën në vende që cilësohen, si “hallka të dobëta” në Europë.
E gjitha kjo situatë përkon me deklarata e kryeministrit Rama në Berlin me kancelaren Merkel, dhe më pas në Tiranë, se Rusia qëndron si një obsion për vende që BE-ha rrefuzon ti pranojë. Nëse në takimin me Merkel Rama, ai e cilësoi si “rreziku Rus”. Në studion e Ballës, ai bëri të kundërtën; një vetë-ofrim ndaj Putin duke deklaruar, se është i gatshëm që ta takojë.
Pavarësisht se të gjitha këto deklarata të papërgjegjshme të Ramës, duket se bëhen nga dëshpërimi për stopimin e avancimit të Shqipërisë drejt BE-së, strukturat e sigurisë dhe inteligjencës euroatlantike, i shohin ndryshe.
Ata e marrin seriozisht rrezikun Rus, sepse e njohin mirë se çfarë janë të afta të bëjnë shërbimet e tyre inteligjente aq më tepër në një vend si Shqipëria, e cila është kapur nga krimi i organizuar dhe narko-trafiku, të cilët nuk bëjnë dallim se me kë bashkëpunojnë, kur vjen puna për të arritur qëllimet dhe fitimet e tyre të jashtëligjshme.
Është për tu theksuar, edhe fakti që kreu i CIA-s, nuk e takoi ministrin e Brendshëm Tahiri, i cili drejton një nga institucionet kyç të sigurisë në vend. Duket se SHBA, ka vendosur ta marrë në dorë vetë situatën, në një vend ku krimi i organizuar nuk përbën më rrezik vetëm për popullin dhe demokracinë shqiptare, por edhe për interesat e tyre gjeopolitike në rajon dhe më gjerë. /Syri.net/