Home KRYESORE Video/Finlandë, vritet me snajper kryebashkiakja dhe 2 gazetare

Video/Finlandë, vritet me snajper kryebashkiakja dhe 2 gazetare

Dy gazetare lokale dhe kryetarja e bashkisë së qytetit të Imatras në Finlandë, janë ekzekutuar mbrëmjen e djeshme me armë snajper. Viktima të këtij sulmi janë tre femra.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lindje të Finlandës, 230 km larg kryeqytetit, Helsinkit.

Kryebashkiakja që ka humbur jetën është Tiina Wilén-Jäppinen, e zgjedhur në qytetin e Imatras me 28 mijë banorë, ndërsa ende nuk janë identifikuar dy viktimat e tjera gazetare.

Në momentin kur kryetarja e bashkisë po shoqëronte dy gazetaret, pasi kishin dalë nga një restorant, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, të cilat dyshohet se kanë ardhur nga një armë snajper. Policia ka arrestuar disa orë më vonë një person të dyshuar i cili në momentin e ndalimit nuk ka bërë rezistencë.

Ngjarja ka shokuar opinionin vendas, pasi vrasja e trefishtë ka ndodhur në një zonë mjaft të frekuentuar, çka mund të rriste bilancin tragjik.

“Ka pasur njerëz aty kur ndodhi sulmi. Në një vend të tillë të vogël, ky është një incident mjaft i madh dhe shumë njerëz janë tronditur pas kësaj që ka ndodhur”, tha një punonjës i policisë lokale.

Finlanda, një vend me 5.4 milion njerëz, ka tradita të forta të gjuetisë. Rreth 650 000 armë janë të regjistruara zyrtarisht në duart e njerëzve, por pavarësisht kësaj vrasjet me armë janë të pazakonta.

Pas të shtënave fatale në një shkollë 9 vite më parë dhe atyre në një qendër tregtare në 31 dhjetor të 2009-ës, të cilat shkaktuan përkatësisht 8 dhe 6 të vdekur, janë ngjarjet më të rënda që janë regjistruar ndonjëherë në Finlandë./shqiptarja.com/

Share: