Ditët e fundit po vërehet një tentativë e dukshme manipulimi kundër liderit të BDI në Maqedoni, Ali Ahmeti, për ta presionuar këtë të fundit, që të shkojë drejt një koalicioni “të natyrshëm” me liderin autokrat të ëMNRO- DPMNE. Edhe në Kosovë edhe në këtë anë të kufirit është shtuar presioni që ka si qëllim ti shtrojë rrugën Ahmetit, për të përsëritur një bashkëqeverisje që prej një dekade e gjysëm i telendisi keq shqiptarët.
Kështu botuesi i Gazeta Express, Berat Buzhala shpalli publiikisht në një editorial domosdoshmërinë e koalicionit të ish komandantit të UÇK me diktatorucin butaforik të “Shkupi 2014”. Sipas tij gjithë përpjekjet për ta penguar këtë bashkëpunim janë ilegjitime.
“Ajo çfarë po shihet është një tendencë për të mos respektuar votën e maqedonasve dhe atë të shqiptarëve që votuan për VMRO dhe BDI. Po provohet të bëhet një puç i pastër kundër partisë dukshëm më të votuar nga maqedonasit, pra VMRO-së dhe shefit të saj Nikola Gruevski.
Kjo gjë po ndodh duke e frikësuar shefin e BDI-së, Ali Ahmetin, të cilin si një kukull po e bartin nga një tryezë në Tiranë, në një tjetër në Prishtinë” ka shkruar Buzhala duke iu referusr një presioni ndërkombëtar dhe një presioni të Tiranës dhe Prishtinës që ti detyrojnë bashkëkombasit tanë mos votojnë pro Gruevskit.
Çuditërisht të njëjtën linjë përsëriti edhe botuesi i Koha Jonë, Nikollë Lesi, i cili ndoshta për herë të parë në 25 vite ka marrë penën të shkruajë për Maqedoninë. Ai i bënte thirje Ali Ahmetit që ta shihte me dyshim bashkëpunimin me kreun e opozitës Zoran Zaev që po ashtu si Gruevski nuk i është përgjigjur 7 kërkesave të partive shqiptare, duke arritur në konkluzionin absurd se Ahmetit i levedris me mire WMRO DPMNEQ. “Ndaj nisur nga pragmatizmi, sepse për parimet duhet një natë e gjatë dimri të flasim, Ali Ahmeti ka më tepër interes për Nikolla Gruesvkin se sa me Zoran Zaev” shkruante Lesi.
Në fakt këto zëra i bashkohen atyre qarqeve që janë kundër një ndërhyrjeje të perendimorëve në vendet tona Ballkanike dhe kundër prokurorisë speciale në Maqedoni apo reformës në drejtëdi në Shqipëri.
E tillë ka qenë psh LSI- a në Tiranë e cila prodhoi edhe një deputet sovranist që bëri sikur u largua nga partia e Ilir Metës për shkak të ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në reformën në drejtësi.
Natyrisht nuk ka asnjë bazë të mendosh se shkrimet gazetareske janë të porositura nga këto qarqe politike. Por ato mund të jenë të ndikuara edhe nga kontradiktat e mëdha që Edi Rama dhe Ilir Meta kanë për këtë çështje. Ato mund të jenë të ndikuara gjithshtu edhe nga fryma anti Uashington dhe anti Bruksel që ka përfshirë politikanët shqiptarë që i tremben reformës në drejtësi.
Ku qëndron problemi?
Ali Ahmeti po kërkohet të mbështetet për të shkuar në koalicion me Gruevskin duke i dhënë këtij të fundit oksigjen dhe përkrahje politike kundër një vullneti perendimor për ta nxjerrë nga loja këtë putinist të vogël Ballkanik.
Argumenti sipërfaqësor që përdoret për të arsyetuar këtë është se shqiptarët duhet të shohin interesat e tyre, se partia më e madhe BDI duhet të kalkulojë interesat e saj elektorale, se shqiptarët duhet të luftojnë për dygjuhësinë më shumë sesa për vetë demokracinë.
Por, Maqedonia për 15 vjet nën drejtimin e Gruevskit ka qenë një autokraci e pastër me pushtet të koruptuar, me gjykata dhe prokurori të kapura me media totalisht të gjunjëzuara. Pra beteja e çdo qytetari në këtë vend, madje edhe e shqiptarëve ëshyë ti japin fund kësaj epoke. Ata e hodhën një hap historik në zgjedhje duke u bërë 70 mijë që votuan për opozitën maqedonase. Ata u treguan të ndërgjegjshëm për të kuptuar se është utopi të flasësh për të drejta të shqiptarëve në një vend jo demokratik. Dhe ky është thelbi i problemit.
Sfida e sotme e Maqedonisë është do ti hapë rrugë autokracisë përmes delegimit të pushtetit te Gruevski, apo do të kthejë drejtim duke e çuar atë të përballet me drejtësinë. Iluzioni se shqiptarët mund të fitojnë më shumë të drejta në mungesë të demokracisë është një iluzion i rrezikshëm.
Prandaj dhe tentativa që po bëhet për të yshtur Ali Ahmetin drejt Gruevskit është po kaq e rrezikshme.
Më shumë sesa një mbështetje për Putinin e vogël të Shkupit ajo është një përpjekje për të mbrojtur politikanë shqiptarë të të njëjtit profil. Ajo është një provë gjenerale për t’i thyer hundën ndërhyrjeve perendimore që duan gjygje speciale, dënim të “sheikëve” politikë dhe vende ballkanike normale. Dhe Ali Ahmeti po ftohet në këtë gosti që mund ti hajë kokën atij vetë dhe interesave të shqiptarëve për një vend më demokratik vetëm në emër të ndonjë politikani që me qetësi dhe dashuri kërkon të përligjë në Ballkan, modele të tipit Gruevski. (Lapsi.al)