Një tren nga Serbia, me mbishkrimet “Kosova është Serbi” në gjuhë të ndryshme, i ndalur në kufirin me Kosovën, ka shkaktuar një krizë të madhe në Ballkan dhe ka shkallëzuar një konflikt të mundshëm Rusi-Perëndim për dominim në zemër të Ballkanit, shkruan agjencia e lajmeve The Associated Press.
Serbia ka akuzuar udhëheqësit e Kosovës të dielën se po “kërkojnë luftë”, dhe ka paralajmëruar se do të mbrojë “çdo centimetër” të territorit të saj, një ditë pasi treni, i dekoruar me simbole ortodokse dhe me flamuj serb, nuk u lejua të hynte në shtetin fqinj, në Kosovë.
Kosova, e mbështetur nga shumica e Perëndimit, ka shpallur pavarësimin e saj nga Serbia më 2008. Por, Serbia dhe aleatja e saj sllave ortodokse, Rusia, nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.
AP shkruan më tej se Serbia mundohet të ruajë ndikimin e saj në veriun e Kosovës, ku jeton shumica e minoritetit serb të vendit. Trupat e NATO’s – rikujton AP – kontrollojnë kufijtë e Kosovës që prej një lufte ajrore tremuajshe më 1999, për të ndalur një shtypje të përgjakshme nga Serbia kundër separatistëve shqiptarë.
Presidenti serb, Tomisllav Nikolliç, ka lëshuar paralajmërimin të dielën, pasi treni i udhëtarëve, me ngjyrat kuq, kaltër e bardh të flamurit serb, u ndalua në kufi me Kosovën. Nikolliç ka thënë se serbët janë në rrezik nga shqiptarët në Kosovë.
“Dje, ne ishim në prag të përleshjeve”, ka thënë Nikolliç, duke përdorur retorikën më të fuqishme që kur trupat e NATO’s e kanë marrë kontrollin e kufijve të Kosovës më 1999.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ka kontaktuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për të shprehur shqetësimet e vendit të tij.
“Koha e provokimeve, e konflikteve dhe e luftërave duhet t’i përkasë të kaluarës”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se lëvizjet e tilla “janë veprime të papranueshme e të panevojshme, që nuk i kontribuojnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”.
AP shkruan se Serbia zyrtarisht kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por së fundmi është duke anuar nga Kremlini dhe politikat e saj për të rritur ndikimin në Ballkan. Serbia ka marrëdhënie të tendosura me shumicën e fqinjve të saj – diçka që shumë analistë besojnë se është rezultat i ndikimit rus.
Nikolliç, që është haptas pro-rus, ka thënë se BE’ja dhe Perëndimi kurrë nuk kanë qenë në anën e Serbisë, dhe kurrë nuk i kanë dalë asaj në ndihmë.
“Pse është zemëruar aq shumë i ashtuquajturi komunitet ndërkombëtar dhe shqiptarët për një tren?”, ka pyetur Nikolliç. “Ndoshta sepse ka pasur mbishkrimin ‘Kosova është Serbi’, dhe sepse ka pasur fotografi të ikonave tona brenda”, ka thënë ai.
“Ne jemi një vend që duhet të mbrojë popullin dhe territorin e tij”, ka deklaruar Nikoliç.
Presidenti serb ka bërë thirrje që Serbia të pezullojë negociatat në Bruksel për anëtarësim në BE, përfshirë një pjesë të rëndësishme që kërkon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Ai po ashtu ka kritikuar administratën e presidentit amerikan në largim, Barack Obama, dhe mbështetjen amerikane për pavarësinë e Kosovës – komente që kanë pasqyruar supozimin e përgjithshëm në Serbi se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, do të ketë qëndrim më të favorshëm ndaj Rusisë dhe Serbisë.
Tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë rritur dukshëm pas ndalimit javë më parë në Francë të Ramush Haradinajt, ish-kryeministër i Kosovës, në bazë të një fletarrestimi nga Serbia.
Kosova e ka quajtur fletarrestimin të paligjshëm, dhe i ka bërë thirrje Francës ta shpërfillë atë, përderisa Serbia është duke kërkuar ekstradimin e shpejtë të Haradinajt në Beograd, për t’u përballur me akuzat për gjoja krime lufte. /Express/