Home KRYESORE Thaçi takon drejtuesit e partive shqiptare të Maqedonisë

Thaçi takon drejtuesit e partive shqiptare të Maqedonisë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka pritur të enjten në Prishtinë drejtuesit e tre partive shqiptare të Maqedonisë, Ali Ahmetin (BDI), Kasam Bilallin (Lëvizja Besa) dhe Ziadin Selën (koalicioni Aleanca për Shqiptarët).

Thaçi, përmes një njoftimi një Facebook, bën të ditur se me bashkëbiseduesit e tij është diskutuar mbi nevojën e një bashkërendimi më të mirë ndërshqiptar në Maqedoni, duke u mbështetur në respektimin e vullnetit të votuesve dhe në riafirmimin e përcaktimeve programore dhe strategjike.
“Aliu, Bilalli dhe Ziadini shprehën gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar maksimalisht në përfaqësimin sa më të mirë të interesave të shqiptarëve dhe të prosperitetit e stabilitetit afatgjatë të Maqedonisë”, – thotë presidenti Thaçi.

Takimi bëhet pak ditë para se presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov t’i dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë së re kandidatit të partisë që fitoi më shumë vende në parlament, në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

Partitë shqiptare, nga të cilat varet formimi i qeverisë së Maqedonisë, thonë se aktualisht nuk po zhvillohen bisedime me asnjërën prej partive maqedonase për koalicionin e ri qeveritar. Opinioni publik shqiptar, parapëlqen sidomos, një koalicion me Lidhjen Social Demokrate, ndërsa VMRO-DPMNE ka ulur retorikën e ditëve të fundit, duke thënë se ajo ka bërë shumë gjëra pozitive për popullatën shqiptare në vend.

Sipas pritjeve, presidenti Ivanov të hënën do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë partisë VMRO-DPMNE; kjo e fundit do të ketë një afat prej njëzet ditësh për formimin e kabinetit; në të kundërt, mandati i kalon partisë së dytë, në këtë rast Lidhjes Social Demokrate./VOA

Share: