Nga Azem Parllaku
Kryetari i partisë VMRO DPMNE, Nikolla Gruevski, ka akuzuar Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë, LSDM dhe Bashkimin Demokratik për Integrim BDI, se po bëjnë përpjekje për “defaktorizimin e maqedonasve dhe ripërcaktimin e Maqedonisë si shtet”. Duke i’u referuar negociatave mes LSDM-së dhe BDI-së për formimin e qeverisë së re, Gruevski ka drejtuar akuza të ashpra ndaj liderit social-demokrat, Zoran Zaev, duke e akuzua atë, se ka hequr dorë nga interesat kombëtare dhe shtetërore dhe ka bërë lëshime ndaj kërkesave të shqiptarëve që, sipas tij, nuk kanë fund.
Në ndërkohë që pritet epilogu i fundit për formimin e qeverisë së Maqedonisë, pasi VMRO-DPMNE dhe BDI dështuan për krijimin e qeverisë së re, Gruevski thotë se; “Ne po shohim një përpjekje të LSDM-së dhe BDI-së që të defaktorizojnë maqedonasit, popullin maqedonas, por edhe të bashkësive tjera etnike, po shohim sesi LSDM-ja po bën garë me vetëveten që, sa më shumë t’u japë partive shqiptare. Shtrohet pyetja: deri kur kështu? Deri kur me dhënie të tilla? A thua deri në momentin kur shteti nuk do të ketë asgjë më për të dhënë apo ndoshta derisa një ditë të humbet edhe ajo që është arritur me shumë mund, me shumë gjak dhe me shumë përpjekje”.
Fjalori i Nikolla Gruevskit është ngacmues dhe ofendues për shqiptarët, kur ende janë të freskëta bëmat kundër shqiptarëve të kohës kur VMRO-DPMNE-ja ishte në qeveri. Aksionet policore, tërheqja zvarrë e shqiptarëve, fjalori barbar i përdorur ndaj tyre, proçeset e montuara politike, Monstra, gërmadhat e Lagjes së Trimave në Kumanovë, ngulfatja e perspektivës Euro-Atlantike, janë shembulli më i keq i këtij ish-kryeministri, qëduke dashur të bëhet ikonë e maqedonasve u shëndrua në lugat politik ndaj shqiptarëve.
Pasi u lexua rezultati përfundimtar i zgjedhjeve në Maqedoni, e nxori fituese VMRO-DPMNE me 51 deputetë, teksa LSDM do të ketë 49 karrige në Parlament, BDI 10 të tilla, Lëvizja BESA 5, Aleanca për Shqiptarët 3 deputetë dhe në fund PDSH me 2 të tillë. Fituesit nuk mundën t’a menaxhojnë fitoren, edhe pse konstituimi i qeverisë me gjasë mund të kishte ndodhur. Pas përpjekjeve të dështuara të Gruevskit, kundërshtarët e tij janë optimistë, kjo për faktin se; pas sundimit dhjetvjeçarë të regjimit, pas okupimit të të gjitha sistemeve të pushtetit dhe organizimit shoqërorë, edhe rritja e opozitës konsiderohet si fitore.
Në zgjedhjet e 11 dhjetorit, shqiptarët votuan në një mënyrë të pjekur, që rrallëherë shihet. Për shkaqet rreth të cilave po flasim, e përgjysmuan BDI-në në vota dhe mandate dhe pothuajse e zhdukën nga skena PDSH-në e Thaçit. Shqiptarët votuan dy opsione të reja politike të cilat gjatë fushatës u pozicionuan me retorikë opozitare, duke u dhënë tetë deputetë. Dhe, në fund, shqiptarët i dhanë me dhjetëra mijëra vota Zaevit, konkurrentit dhe armikut të vetëm të Gruevskit me potencë reale, që luftonte armikun e tyre të dëshmuar. I dhanë vota LSDM-së, e cila vetëm para disa viteve nuk ndryshonte shumë në qasjen dhe retorikën ndaj shqiptarëve, edhe pse, në esencë, ka pasur dallim. Partia maqedonse e Gruevskit në pushtet, përgjatë fushatës elektorale, e ka anatemuar gjithnjë e më shpesh faktorin shqiptarë në Maqedoni. Gruevski u tha maqedonasive se Zaevi dhe LSDM-ja, do t’i detyrojnë fëmijët maqedonas të mësojnë shqip në shkollë. Por, depërtimi i LSDM-së tek elektorati shqiptar ishte një tjetër mesazh i fortë për qeverisjen e shkuar maqedonase.
Pas zgjedhjeve të dhjetorit e deri në këto ditë shqiptarët po dëshmohen se janë faktor kyç për stabilitetin politik në Maqedoni. E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë sot është ndryshe, edhe pse ndaj tyre prej më shumë se një çerek shekulli, është ushtruar dhunë nga makineria e propogandës së sëmurë nacionaliste e udhëhequr nga Gruevski. Komuniteti etnik shqiptar me 30 përqind të numrit të përgjitshëm të popullsisë në Maqedoni, është komuniteti etnik homogjen thuajse i barabartë me atë Maqedon. Në vitin 2017 shqiptarët në Maqedoni janë etnikisht më homogjen, më të arsimuar, më të ngritur politikisht, e ç’është më kryesore ata janë bartësit më të mëdhenj të frymës euro-atlantike ndryshe nga komunitetet tjera etnike në Maqedoni. Realiteti i sotëm shqiptar në Maqedoni po provon sesa të drejta janë parimet e Marrëveshjes së Ohrit, të cilat i njohin shqiptarët si element konstituiv shtet-formues.
Tashmë, është LSDM-ja e cila po u drejtohet partive shqiptare për të formuar qeverinë e re, e sido që të jetë formati i pjesëmarrjes së shqiptarëve në qeverinë e kryesuar nga Zaevi, sërish ata duhet të jenë këmbëngulës të parimeve të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit.
Kampi politik shqiptar në Maqedoni, kur pritej që qeveria e re të formohej, u investua në arritjen e një konsensusi politik të përbashkët mbarëshqiptare nëpërmjet një platforme e mbështetur tërësisht në Marrëveshjen Kuadër të Ohrit të gushtit 2001. Kjo dakortësi midis partive politike shqiptare i hoqi të drejtën e formimit të qeverisë Gruevskit, si antishqiptari i thekur i ditëve tona. Largimi i Gruevskit është sinjal politik pozitiv për Maqedoninë, pasi kriza e thellë dhe komplekse e Maqedonisë mban emrin e VMRO-DPMNE dhe të Gruevskit.
Shqiptarët në Maqedoni kanë shansin të jenë unik për interesat madhore kombëtare dhe duhet të tejkalojnë fërkimet eventuale mes tyre, në garën politike të formimit të qeverisë së re të Maqedonisë. Platforma e mbështetur tërësisht në Marrëveshjen Kuadër të Ohrit, duhet t’i prijë qasjeve politike të orëve në vazhdim. Faktori politik shqiptar duhet nxjerrë maksimumin për shqiptarët, investimet në pjesën shqiptare duhet të jenë në përputhje me taksat që paguajnë shqiptarët . Gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë zyrtare kudo në të gjithë vendin, në të gjitha nivelet dhe shqiptarët duhet të kenë pozita të larta në strukturën shtetërore të Maqedonisë.
VMRO-ja, si forcë antishqiptare që shndërroi edhe shtetin në shtet kriminal, do të bëjë të gjitha përpjekjet përmes strukturave që i kontrollon për të mbetur në lojë. Për këtë arsye, edhe në rast se LSDM-ja pranon kërkesat e partive politike shqiptare të shtruara në deklaratën e përbashkët dhe krijojnë mazhorancën parlamentare, nuk mund të besohet se gjërat do të zhvillohen aq lehtë.
Gruevski më herët ka thënë se platforma e partive politike shqiptare është nxitur nga “politikanë dhe diplomatë të huaj dhe përmes saj synohet që të shmanget koalicioni me partinë e tij për qeverinë e re”. Sipas tij, dygjuhësia nuk ka përse u duhet shqiptarëve në zonat ku ata nuk jetojnë. Ai dërgoi edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për BDI-në e Ali Ahmetit, duke folur për vendosjen e një precedenti të rrezikshëm për të ardhmen e Maqedonisë nëse kjo parti refuzon koalicionin me VMRO-DPMNE dhe në vend të kësaj zgjedh LSDM-në. “Nëse BDI zgjedh të shkojë në koalicion me partinë e dytë, në vend të asaj që ka dalë forcë e parë, zgjedh të shkojë me atë që ka humbur dhe jo me atë që ka fituar, kjo do të shënojë një praktikë të re, të cilës ne gjithsesi do t’i përshtatemi sot dhe në të ardhmen”, ka deklaruar kreu i VMRO-DPMNE.
Ndërsa jo më larg nga dje, Gruevski paralajmëroi masa për të pamundësuar realizimin e programit të LSDM-së dhe BDI-së. “Ne do të qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtare, në çdo formë dhe në çdo situatë. Ne po vazhdojmë të ndjekim situatën me vëmendje, po komunikojmë me të gjithë, por ua tërheqim vërejtjen të gjithë atyre që duan të luajnë bixhoz me interesat shtetërore dhe kombëtare se në këtë shtet ka edhe të tjerë që mendojnë për këto interesa dhe janë të gatshëm të luftojnë për to”, tha Gruevski. Reagimi i kreut të VMRO-së vjen në kohën që kryesia e BDI-së ka nisur debatin lidhur me epilogun e negociatave me LSDM-në. Partia e Ali Ahmetit do të vendosë nëse do t’i japë liderit social-demokrat nënshkrimet e nevojshme të deputetëve të saj për t’u mandatuar për kryeministër të Maqedonisë nga presidenti Gjorgje Ivanov. Ditëve të fundit, dy partitë kanë zhvilluar bisedime intensive dhe pothuajse kanë arritur marrëveshje për zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, si edhe për çështje të tjera etnike, të cilat janë pjesë e deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare.
Momentalisht Zaevi po flet me një gjuhë të re për shqiptarët, e cila ndoshta për fillim, pa pasur pushtet në dorë, është vetëm retorikë. Por, ky narrativ premton një frymë të re në ndërtimin e marrëdhënieve dhe në dialogun mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Që ky dialog të fitojë shans e të zhvillohet, shqiptarët në politikë duhet të dëgjojnë porosinë e votuesve të tyre me 11 dhjetor. Të ndëshkojnë Gruevskin dhe, t’i japin fund historisë së një urrejtësi, gënjeshtari dhe krimineli, i cili bëri karrierë në kurriz të tyre.