Nga Frrok Çupi
Përafërsitë tona me Rumaninë:
Jo vetëm disa fjalë të përbashkëta që vijnë nga latinishtja; “flutur” themi ne, “flutur” thonë rumunët… Jo vetëm klubet patriotike të shqiptarëve në Bukuresht gjatë Rilindjes së Parë dhe Stavre Drenova me Himnin… Jo vetëm lidhja e vonuar mes lëvizjeve për demokraci në Timishoarë. Politbyroja komuniste e Shqipërisë u trondit nga themelet dhe aty ndjeu se ra…
Nuk ka asnjë çudi që edhe në këtë rast, në rastin tonë me çfarë po ndodh këtu dhe çfarë po ndodh në Rumani, Rumania është përsëri modeli. Rumania është përfshirë nga protestat qytetare dhe po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë pse ka “dominuar ligjin”. Që në vitin 1989 në Timishoara dhe Bukuresht, Rumania nuk kishte parë kaq shumë dhe kaq të vendosur demonstrues.
Këtu Reforma për Drejtësi- e njëjta gjë që i nxori rumunët në protestë, këtu sapo fillon. Para nesh kjo Reformë ishte kryer në Rumani, në Kroaci, Serbi, Maqedoni, Bullgari, Moldavi dhe Ukrainë. Por askund nuk ka prurë Drejtësi. Në Rumani erdhi kaosi ligjor, kundër të cilit ndodhen në sheshe rreth 300 mijë vetë.
A pritet Drejtësi në Shqipëri pas Reformës?
Në qoftë se ka Drejtësi në Rumani, atëherë le ta presim edhe këtu- sipas kësaj Reforme që po gatuajnë. Deri tani, në rrugën e Reformës, kemi mbetur pa: … Pa Kushtetutë, sepse Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është ndryshuar rreth 70 për qind dhe në thelb, pra nuk është më… Pa publik kushtetues, sepse askush nga të kushtetuetshmit prej kësaj Kushtetute nuk di çfarë kanë bërë në operacionin kushtetues… Pa gjykatës; shumë shpejt në portat e gjykatave do të “flenë” me ditë e me net të tëra kërkues të drejtësisë, çështjet e të cilëve nuk do të mund të gjykohen… Reforma edhe kur të mbarojë, kurrë nuk do të thonë se mbaroi, por deri atëherë është edhe e pazbatueshme… Ndoshta një kaos i vërtetë. Do të mbetemi edhe pa një shumë prej 140 milionë dollarë që i kërkohen buxhetit të shtetit për ta implementuar.
Reforma në Drejtësi është shpallur si ndëshkim për gjykatës e politikanë dhe jo si Drejtësi për individin. Kujt i duhet, edhe sikur të bëhet?!
Qeveria dhe ligji:
Rumunët kanë dalë në rrugë për të shpëtuar ligjin para qeverisë. Edhe pse Rumania e kishte kryer Reformën e Drejtësisë dhe të dërguarit nga BE na kishin thënë njëmijë herë: “E shikoni, u burgos një nëpunës i lartë në Rumani, si efekt i Reformës”. Nëpunësit e BE e kanë mësuar se në Shqipëri njerëzit kanë gëzim të madh kur dikush shkon në burg; ka shumë që nuk duan as “ujë as drita” vetëm të shikojnë dikë në burg. Këtë “gropë” e përdorën nëpunësit e ardhur dhe mbi këtë premtim “gatuan” Reformën. Por ja ku është Rumania. Qeveria ka vënë nën këmbë ligjin “e reformuar” dhe për këtë nëpërkëmbje u desh të dalin mijëra në rrugë. Në Rumani u përdor një vakuum ligjor për të kthyer ligjin në favor të korrupsionit. Po këtu? Këtu u përdor një arrogancë qeverie dhe shpalli psh., Rroshin e “larguar nga Reforma”, si kryetar përsëri, kundër ligjit. Këtu reforma po bëhet që të vijnë në gjyqësor militantët e qeverisë. Në Drejtësi do të ketë vetëm njerëz të bindur…, i patë ata që nuk binden? Ata që nuk binden përjashtohen dhe u ndalohet viza Amerikane. Qeveria bashkëpunon me ambasadorët kundër principit. Ku do të gjejë Drejtësi individi? Edhe media tregoi se nuk do të bëhet më e gjallë; ashtu siç ndodhi me ngjarjet e Rumanisë ku “media vdiq”.
BE dhe Reforma:
Taktika europianiste “Karrota dhe reforma” ka mbaruar dhe më në fund dha efekte në Rumani. Njerëzit janë në sheshe për të vendosur Drejtësinë, pas “karrotës”. BE fillimisht ngriti flamurin “Doni BE?, bëni Reformën në Drejtësi!”. Kjo ndodhi; madje ndodhi edhe që Rumania u pranua anëtare në BE. Por nuk ndodhi Drejtësia; populli ka dalë e po kërkon të vendoset Drejtësia.
Pse nuk qenka model Rumania? Megjithëse askush nuk e kundërshton dot. Veçse këtu te ne nëpunësit e BE e teprojnë. I kam dëgjuar që na fyejnë kur thonë se “këtu duhen shumë masa shtrënguese sipas kushteve konkrete”. Këtu e kanë tepruar më shumë se në Rumani me komisione ad-hoc dhe me komisione e ligje pa fund; është krijuar një xhungël ligjor e komisioner “Reforme”. BE ka dalë nga principi i Demokracisë se “shumësia e ligjeve krijon tiraninë e ligjit”. Po kujt t’i thuash? Reformën e kanë shtruar si plebishit popullor ku njerëzit me të drejtë nuk dinë çfarë është “vetting”. Shumë prej tyre e dinë si “reformën Agrare”.
Një shtesë “europianiste” në reformën tonë krahasuar me Rumaninë, është kjo: Reforma e Drejtësisë kundër korrupsionit këtu udhëhiqet nga ambasadorja e BE që njihet si bashkëpunëtore e ngushtë e kryeministrit dhe e përfolur në media si e korruptuar fort. Bëhet pas të korrave të drogës ku secili ka marrë “trastën” e vet. Bëhet nga dy persona të vetëm: Ambasadori Lu dhe Ambasadoresha Vlahutin… A mund të mbahet gjithë kjo peshë mbi dy persona që kanë marrë përsipër të jenë sa një komb? Ku ta dish!… Veçse nesër mund të mos i kemi në Tiranë këta dy persona, larg qoftë! Atëherë…
Nuk ka nevojë për nesër; Reforma është e rënë akoma pa u ngritur. Shikoni Rumaninë.
Veritas.com.al/