Home KRYESORE Arbana Xharra i përgjigjet ambasadores turke në Kosovë

Arbana Xharra i përgjigjet ambasadores turke në Kosovë

E nderuar Ambasadë e Republikës së Turqisë në Prishtinë

Kjo nuk është hera e parë që reagoni ndaj përmbajtjeve të shtypit të lirë në vendin tonë. Madje keni shkuar edhe më larg duke kërkuar edhe penalizimin e fjalës së lirë se nuk del në përputhje me politikat e shtetit tuaj. Mospajtimi që manifestoni është krejt i natyrshëm, sidomos për shtetet që brenda tyre viteve të fundit e kanë bërë praktikë normale mbylljen e medieve, ndalimin e intervistave të shkrimtarëve me famë botërore, arrestimin e mijëra e mijëra pedagogëve, civilëve e aksioneve të llojit që nuk kanë të bëjnë me shtetet pluraliste demokratike. Po kjo është punë e juaja. Ju veproni ashtu siç e bëni vendin tuaj e ne do të shkruajmë e raportojmë, do të analizojmë se çka shohim atje në saje të fakteve konkrete.

Tashti reagoni kundër intervistës së profesorit ndërkombëtarisht të njohur, David  Phillips, respektivisht kundër intervistës me të që gazeta “Zëri” e botoi më 24 shkurt 2017. Na kërkoni tani që t’ju kërkojmë edhe leje juve se më kë do të bëjmë intervista, e më kë jo? Kaq të pushtetshëm ndiheni?

Harrojeni këtë.

Në reagimin tuaj thoni se: intervistat e shkrimet e tilla «kanë për qëllim ta vënë në përçarje popullin kosovar dhe atë turk të cilët ndër shekuj ndajnë histori dhe kulturë të përbashkët». Kjo është një akuzë e rëndë, të cilën duhet ta tërhiqni prapë. Ne nuk punojmë për qëllimet e askujt, këtë me siguri e ndieni pasi nuk mundeni të ndikoni tek ne.

Le t’i sqarojmë disa akuza që na i bëni, një nga një:

Ne nuk ndajmë kulturë të përbashkët me turqit. Jemi ndryshe – shqiptarë. Histori të përbashkët po, kemi: si popull trashëgues i perandorisë osmane merrni barrën mbi supe për krimet, pushtimin dhe kulturocidin ndaj qenies, gjuhës dhe kulturës shqiptare që e keni ushtruar për pesë shekuj mbi ne. Kështu na mësojnë faktet dhe historiografitë e shumta përveç asaj turkes, nesoosmanes që jeni duke u përpjekur ta impononi.

Ne nuk bëjmë asnjë përçarje. Përkundrazi mediet e shumta dhe institucionet e vendit përpiqen ta riparojnë përçarjen që e keni shkaktuar ju nëpërmjet kategorive të ndryshme të shoqërisë. Nuk është e rastësishme sipas infiltrimit tuaj (Tika dhe organizata tjera) në strukturat religjioze, arsimore e politike të vendit nisi edhe dukuria e mohimit publik dhe fyerjes së personaliteteve konstituive të identitetit tonë që e ruajmë me fanatizëm që nga lashtësia e deri më sot.

Share: