Home KRYESORE Çamët e Idrizit, Mao Ce Duni dhe zgjedhja e çadrës.

Çamët e Idrizit, Mao Ce Duni dhe zgjedhja e çadrës.

Nga Llesh P. GJETA

Për qetësinë e vet dhe të familjes së tij një deputet i rilindjes, i futur në zinxhirin ligjor të dekriminalizimit, dha dorëheqjen. Kështu deklaroi. Me dorëheqjen duket se i mbylli telashet. S’ka më as gjyqe, as KQZ, as shkarkime…

Po Shpëtim Idrizi? Ka dy në grupin e tij të dalë në apelin e Prokurorisë si me “biografi të keqe”. Po këta, a do zgjedhin “qetësinë e vetes dhe familjes” apo do vazhdojnë të peshojnë mbi emrin e çamëve?

Në shumicë dërrmuese çamët janë të deklaruar si të djathtë. A e dini pse? Jo për përkatësi klasore, as për zgjedhje ekonomike, por sepse e shkuara e tyre në diktaturë ka qenë e hidhur. Për ta rregjimi kishte përhapur mitin e njerëzve të pabesë dhe kriminelë. Kjo është arsyeja se përse pas rënies së diktaturës çamët masivisht u deklaruan të djathtë, si kundërvënie ndaj të majtës. Bravo Shpëtimit që ia doli t’i verë në rresht e pa asnjë shpërblim t’i fusë masivisht në vathën e të majtës. Zotësi e madhe është. Por a do ta pranojë ky komunitet sërish damkën e kriminelit dhe të të pabesit?

Në deputet i dalë nga kjo parti në zgjedhjet e 2013 sot është pa mandat. Dy të tjerë janë me shpatën e ligjit mbi krye, në rrezik t’u “fluturojë koka” nga çasti në çast. Vështirë se ky komunitet me ndjenja të theksuara patriotike, punëtorë dhe të mençur, ta kenë besuar kur dolën nga diktatura se pas çerek shekulli do të prisnin kokulur , me gavetë në dorë, në kampin e majtë me damkën e kriminelit mbi shpinë. Dje Shpëtim Idrizi i kishte bërë sponsor faqes në facebook ku na tregonte se forca e tij lufton për kombin. Ku janë këto aksione nacionaliste? Apo patriotike? Apo edhe thjesht akione me logon e PDIU, në situatën e fundit?

Me cilën çadër xhanëm është kjo parti? E tregojnë si barcoletë. Teksa hante mëngjes, Mao Ce Duni sheh një zog që po çukiste. Shkëputet skifteri ta hajë, por lopa lëshon një bajgë dhe e mbulon zogun. Skifteri ikën. Zogu nxjerr kokën nga bajga dhe fillon e tund. Skifteri kthehet, e nxjerr nga aty dhe e ha. Mao nxjerr 3 teori:

– Jo çdokush që të dhjet të do të keqen

– Jo çdokush që të nxjerr nga e dhjera të do të mirën

– Kur je i dhjerë mos e ngri kokën

Me këtë grup parlamentar e emër të keq që i ka vënë vetvetes, me mijëra militantë që presin prej 4 vitesh me gavetë në dorë ndonjë kothere nga feta e pushtetit që është deklaruar se ka marrë Idrizi, me sikletet brenda partisë dhe emrin që sa vjen e ia nxin prokuroria,…ku ta luajë kokën e të gjejë çadrën i ziu Shpëtim?/Parrena.com

Share: