Nga Kasem Seferi
Në të gjitha shoqëritë moderne pranohet dallimi ndërmjet detyrimit ligjor dhe moral, për arsy se i pari përbën sferën e jashtme të normave dhe rregullave, që përfshijnë detyrimet të cilat detyrohen të kryejnë qytetarët me anë të ndëshkimit, ose pasojave të tjera ligjore, ndërsa i dyti, ka lidhje me sferën e brendshme të ndërgjegjes së personit dhe qëllimeve private.
Ligji dhe morali detyrojnë në mënyra të ndryshme dhe përmbajnë gjithashtu, detyrime të ndryshme.
Për hir të sigurisë dhe për të shmangur arbitraritetin, sistemi ligjor përpiqet t’i formulojë detyrimet, plotësisht dhe vazhdimisht, në mënyrë të padykuptimtë, si dhe të përcaktojë në mënyrë shumë të saktë rregullat që e sigurojnë detyrimin e tyre me masa shtrënguese.
Përmbushja e një detyrimi moral, në anën tjetër, konsiderohet problem i detyrimit etik dhe i lihet ndërgjegjes së personave privatë.
Detyrimi politik dallohet nga të dy kategoritë e mësipërme, sepse, në rrethana të veçanta, ai lejon mjete të paligjshme me qëllim që të ruajë qëllimet politike; kjo dhunë politike nuk mund të legjitimohet thjesht me parimin se nevoja urgjente shkon para ligjit, por duhet të bazohet mbi një parim më pozitiv.
Nga pikëpamja morale, nuk është e pranueshme të legjitimosh një politikë imorale. Veprime imorale, të tillë si përjashtimi i kundërshtarëve politikë, shkelja e marrëveshjeve, as miratohen dhe as shfajësohen.
Nuk jepet legjitimim për veprimet imorale; pashmangshmëria e një veprimi imoral nuk mund të njihet kurrë si një domosdoshmëri reale.
E ashtuquajtura domosdoshmëri politike, në vetvete, mbetet gjithnjë një koncept i përdorur brenda strategjisë së lojës së pushtetit politik. Nuk ka domosdoshmëri objektive, as edhe një shtrëngim të jashtëm, që ta detyrojë politikanin të veprojë në mënyrë imorale, as ka ndonjë rregull ose dije që do ta angazhonte atë për një veprim të tillë.
Në politikë ka gjithnjë njëfarë urgjence për veprim ose vendim dhe prandaj politikës i nevojitet një koncept i qëllimeve të veçanta me anë të të cilit mund të legjitimohen veprimet dhe vendimet e saj.
Liderët politikë e kanë për detyrë që ta përkthejnë konceptin e një komuniteti politik në qëllime politike konkrete dhe mjete për realizimin e tyre; si faktorë shkakësorë ndërmjet mjeteve dhe qëllimeve, janë domosdoshmëritë politike.
Kufizimet e vendosura mbi veprimet e individëve privatë janë më të rrepta se sa ato të vëna mbi veprimet e përfaqësueve të shtetit; personat privatë ndalohen të nëpërkëmbin të drejtat e të tjerëve për hir të mirëqenies së tyre.
Në anën tjetër, qeveria mendon se ka të drejtën të nëpërkëmbë jetën private dhe të drejtat e një individi për përfitimin e të tjerëve, ose për shkak të interesave të saj. Zyrtarët e saj kanë përdorur mjete të ashpra që janë të papranueshme për jetën private.
Jeta publike e zyrtarëve politikë karakterizohet nga detyra të tjera nga ato të individit në jetën private; madje mund të ketë konflikte të veçanta ndërmjet detyrave të një personi publik dhe privat dhe, në këtë kuptim, kjo diferencë detyrash është efekt i formave të ndryshme të detyrimit.
Në një vend ku ka padrejtësi publike, individë që e ndjejnë përgjegjësinë në lidhje me përfitimin publik, kanë të drejtën të ushtrojnë formën e dhunës politike në përputhje me metodën zyrtare të përkufizuar dhe monopolizuar ligjërisht të ushtrimit të pushtetit politik.
Në një kushtetutë demokratike, e drejta ose detyrimi i qytetarëve për t’u revoltuar kundër padrejtësisë së kryer nga qeveria, pranohet ligjërisht ashtu siç e tregon ajo e Republikës Federale Gjermane.
Në këtë mënyrë, detyrimi politik duket se është një lloj i detyrimit që lidhet me detyrat e liderëve politikë dhe qytetarëve së bashku të cilët, si një kolektivitet, janë përgjegjës për tërësinë e sistemit politik.
Zakonisht, thuhet se qytetarët në një sistem politik të lirë demokratik, kanë, madje edhe pse nuk ka ndonjë detyrim ligjor, një detyrim politik për të votuar, ose për të shprehur në mënyra të tjera kënaqësinë ose pakënaqësinë e tyre në lidhje me politikën e qeverisë së tyre.
Një lider politik, me një kuptim të gjërë të përgjegjësisë për interesat kombëtare dhe sigurinë e shtetit, ndihet i detyruar t’i bëjë gjërat që të shkojnë përtej detyrave morale dhe të drejtave të personave private në jetën e përditëshme.
Merita politike presupozon njëfarë mendjemprehtësie në ndarjen e qëllimeve politike dhe mjeteve dhe, gjithashtu, aftësisë dhe kurajës për t’i venë në jetë ato, por ndën rrethana komplekse dhe të pasigurta, shpesh, rezultatet reale të vendimeve politike dhe veprimet janë të paprashikueshme.
Pjesa më e madhe e politikanëve shijojnë status dhe pushtet të veçantë lidhur me përgjegjësinë e tyre; shumë politikanë duket se mundohen për pozicione politike për shkak të këtyre përparësive personale; pushteti politik, statusi dhe privilegjet mund të shfrytëzohen lehtësisht për përfitime personale të miqve dhe të familjes dhe, për ta shmangur korrupsionin dhe përfitimin e pandershëm, detyrimet e zyrave publike duhet të përkufizohen qartësisht.
Punonjësit e shërbimit publik kanë një detyrë zyrtare për të bërë atë çfarë kërkon sistemi politik ligjor dhe këtë detyrë ata e kanë deri në atë kohë sa ata vetë janë pjesë funksionale e sistemit; kjo marrëdhënie funksionale nuk karakterizohet nga ajo që quhet një e drejtë ligjore e detyrimit politik për të përfituar pasuri, sepse detyrat e tij përkufizohen nga rregulla zyrtare dhe detyrimi ligjor.
Liderët dhe elita qytetare kanë përgjegjësi politike që shkojnë përtej sigurisë dhe mirëqenies së tyre; ata kanë përgjegjësitë për t’i përkthyer detyrimet etike për drejtësi në rregulla ligjore dhe masa ekonomike në përputhje me kërkesat e kohës.
Nuk është e padrejtë që njerëzit e zakonshëm përpiqen të gjejnë mjete politike me anë të cilave ata i nxisin elitat e shoqërisë së tyre të marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre. Sot, në Shqipëri, ka shumë ankesa rreth pamjaftueshmërisë së lidershipit politik.
Liderët politikë nuk kanë qenë mjaft aktivë në ndalimin e debateve politike të kota, ose në gjetjen e zgjidhjeve, gjë që dëshmon se ata i kanë neglizhuar përgjegjësitë e tyre politike për shkak të mungesës së kurajës politike.
Është e lehtë të përmendësh të tilla ankime, por nuk është kaq e lehtë të bashkëjetosh nëmënyrë indiferente me situatën e tanishme bashkëkohore të politikës, e cila ka kohë që u bën thirrje liderëve politikë të tregojnë kurajën që kërkohet nga ata.
Të mësuarit e procedurave të vendimit demokratik kërkon gadishmëri të vazhdueshme; lidershipi luan një rol të rëndësishëm në demokraci, por kjo nuk mund të justifikojë formalizimin e sistemit të komandimit me anë të rregullit që varet nga nënshtrimi si në ushtri.
Lideri demokratik jo vetëm që duhet të justifikojë veprimet dhe qëllimet e tij politike për qytetarët e tij, por ai duhet të marrë gjithashtu përgjegjësinë politike për të promovuar kuptimin moral të vlerës së përgjegjësisë politike.
Konceptimet utopike të lidershipit dhe të heroizmit politik ngjallin alergji për virtutin politik demokratik, prandaj demokracia i detyron si liderët politikë ashtu dhe qytetarët të zhvillojnë virtute politike më komunikuese dhe të jenë krijues në kërkim të mjeteve të tjera politike më saktë se sa dhuna dhe forma e tjera të saj.
Koha do të tregojë se si do të karakterizohet protesta e nisur më 18 shkurt 2017, kundrejt shtjellimit të mësipërm. Në fakt, prirjet dhe anësitë e çfarëdollojshme në lidhje me analizën dhe pritshmëritë që i është bërë kësaj proteste në media nga individë të ndryshëm, shumë herë, ka qenë e shtyrë nga ngjarje dhe interesa personale, ose të grupimit politik që përfaqësojnë, ose mbështesin.
Kasem Seferi – ekonomist