Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu ka reaguar pas një reportazhi të transmetuar në media për fshatin Polis-Sheh të Librazhdit, ku fëmijët po martohen në masë.
“Nisur nga shqetësimi i mësuesve të fshatit se vajzat e mitura po braktisnin shkollën për tu lidhur në martesë nga prindërit në moshën 12-14 vjeçare. Nuk e njoh zonen, por dëshmia e shqetësimi i mësuesve më ngjau si këmbanë që nuk bie vetëm aty.
Nuk di dhe as mund të interpretoj Kuranin dhe Hadithet e tij, por di se as në të drejtën islame nuk lejohen martesa pa pëlqimin e palëve. Por nëse ajo që ndodh në PolisSheh nuk është rast i shkëputur siç kam frikë, në alarm duhet të vihemi të gjithë”, – shkruante Bregu në rrjetin social “Facebook”.
Por për Grid Rrojin, ish-këshilltarin për mediat të ish-kryeministrit, Sali Berisha, lidhja që Bregu i bën fenomenit me fenë islame është i papranueshëm.
Është dhe kjo arsyeja pse ish-Drejtuesi i Departamentit të Informacionit të Këshillit të Ministrave ka shpërthyer në akuza mjaft të ashpra ndaj deputetes së PD-së.
“Një deputetë e Kuvendit që ka qenë ministreshë e PD-së dhe ka shitur dëngla me okë, e cila është pasuruar për shtatë breza dhe ka një dosje të madhe në qarqe të caktuara që i dinë të gjitha, një që lëviz me ‘makine të lirë’ Xhaguar, një që në jetën e vet publike ka gjynahe sa për 9 rrathë ferri….paskërka nxitur urrejtjen fetare duke njësuar një problem shoqëror me një fe të caktuar.
Zonja në fjalë nuk e ka nga padija se është doktoreshë shkencash në sociologji, shkenca që studion organizimin e shoqërisë. Atëherë me rregull treshi i bie që e ka nga urrejtja për shqiptarët”, – shkruan Grid Rroji në “Facebook”.