Home KRYESORE Ish Ambasadori ynë Mucaj jep alarmin: Po mbyllet Qendra Kulturore Shqiptare Turqi!

Ish Ambasadori ynë Mucaj jep alarmin: Po mbyllet Qendra Kulturore Shqiptare Turqi!

Nga Genci Mucaj*

Qendra e Kulturës Shqiptare në Ankara në prag të mbylljes!?
Miq të nderuar,

Me keqardhje të çdo shqiptari, që i thotë vetes i tillë, të jap lajmin se një pjesëz Shqipërie, e mbjellë me mund në mes të Turqisë sot është në prag të shuarjes. E kam fjalën për Qendrën e Kulturës Shqiptare në Ankara.

Edhe më të hidhur e bën këtë lajm fakti se kjo foshnjë po mbytet për shkak të injorimit total të shtetit Shqiptar dhe atij të Kosovës!

E ndërtuar nga dy Ambasadorët Shqiptarë me bindjen e thellë se Kultura ka më shumë lidhje me Kombin se me Shtetet, ai i Shqipërisë Genci Muçaj dhe Ambasadori Kosovës Avni Spahiu, ndihmës bujare të donatorëve Turko-Shqiptarë dhe dhuratës se çmuar të Kryetarit të Bashkisë Altindag të Ankarasë, Z. Veysel Tiryaki, i cili e dhuroi falas godinën e Qendrës së Kulturës, e cila u bë një instrument krenarie për 5 milion Shqiptarë që jetojnë në Turqi!

Kjo copë Shqipëri, aq e kërkuar nga vëllezërit tanë që jetojnë atje, po mbyllet përfundimisht… A e dini për sa? Për 500 euro në muaj, që duhet të paguajnë bashkë Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës për ujë, rrymë elektrike, ngrohje me gaz apo dhe një pagese modeste për sekretaren e QKSH-së, e cila punon vullnetarisht prej 4 vitesh me radhë.

Kjo qendër, me emrin e nderuar të Sami Frashërit, ka kushtuar rreth 1 milion euro, nga të cilat dy shtetet shqiptare nuk kanë paguar asnjë kacidhe dhe, ajo sot po mbyllet sepse dy shtetet shqiptare nuk denjojnë të paguajnë dritat, ujin e ngrohjen!

Po çfarë mund të ketë më të rëndësishme se sa krenaria Kombëtare e Shtetit Shqiptar në një vend tjetër, të paktën si Turqia me aq lidhje të ngushta?!

Çfarë mund ta justifikojë këtë poshtërim të ndihmës bujare të atyre që dhuruan/kushtuan para, kohë, energji pasion për të hapur për herë të parë në historinë e diplomacisë shqiptare një vend pelegrinazhi kulturor për turqit me origjine shqiptare të harruar nga shteti mëmë?!

QKSH (www.qksh.net) u inaugurua nga Presidenti Hashim Thaçi gjatë vizitës së tij zyrtare në Ankara, por edhe u përgëzua nga autoritet e larta shtetërore Turke. Për fat të keq – asnjë fjalë nga autoritetet Shqiptare. Përkundrazi krijoi xheloz-ira meskine dhe verbëri provinciale tek ata që duhet të jenë të përgjegjshëm për krenarinë Kombëtare!

Pothuajse të gjithë Ambasadoret e akredituar në Ankara, por dhe mijëra qytetarë të thjeshtë kanë vizituar qendrën duke vendosur Shqiptarinë në hartën e politike të Turqisë, por sot jemi të detyruar t’u bëjmë me dije se QKSH-ja rrezikon të mbyllet!!

Lutem me përulje te gjithë komunitetit dhe studenteve shqiptare ne Ankara të kujdesen dhe ruajnë QKSH si shtepine e tyre.

Ndërsa i bej thirrje Shtetit Shqiptare dhe atij të Kosovës te paktën te tregojnë respekt për historinë e tyre dhe fare pak vëmendje për te mos mbyllur dhe prishur atë qe u ndërtua me kaq mundim.

*Genci Muçaj, ish-Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Turqi në vitet 2013 – 2016

PS: Perqasje.com publikon edhe letren e dorëheqjes qe zonja i ka dërguar ambasadorit te Kosovës ne Turqi

Drejtuar:  z. Avni SPAHIU

Ambasador i Republikës së Kosovës në Ankara/Turqi
Hirfanlı Sokak, 14/2, Gaziosmanpaşa,
Çankaya. Ankara, Turkey
Tel. + 90 312 446 70 54
Email: [email protected]

Objekti: Dorëheqje

I nderuar zoti Avni Spahiu, Ambasador i Republikës së Kosovës në Turqi!

Përmes kësaj letre dua t’ju paraqes dorëheqjen time nga detyra e Përgjegjëses së Qendrës Kulturore Shqiptare “Shemsetin Sami Frasheri” në Ankara-Turqi në të cilën kam dhënë kontributin tim që prej muajit Nentor të vitit 2014. Kjo qendër u hap pikërisht në muajin shkurt të vitit 2015, si një projekt i ideuar, i mbështetur dhe i përkrahur fuqimisht nga të dyja ambasadat në Ankara: Ambasada e Republikës së Shqipërsisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës.

Gjatë përgatitjeve për hapjen zyrtare të Qendrës, nga ana e ish-ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Ankara, z.Genci MUÇAJ, m’u kërkua bashkëpunim dhe m’u besua si detyrë të punoja në Qendër. Punësimi im do të ishte part-time, me pagese.

Puna ime në Qendër do të kishte të bënte me:

– mirëmbajtjen e mjedisit të Qendrës;
– mirëfunksionimin e aktiviteve që do të kryheshin në Qendër;
– rregullimin dhe regjistrimin e librave të Bibliotekës së Qendrës e ndihmuar dhe e mbështetur shumë edhe nga ana e personelit të

Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë (këto libra janë dhuruar nga gjuhëtari me origjinë Shqiptare Necip Alpani);

– pagimin e faturave të ndryshme të Qendrës;
– gjithashtu edhe mbajten hapur të Qendres për vizitorët e ndryshëm që do të vinin.

Më vonë, siç jeni edhe ju në dijeni, unë u emërova Përgjegjëse e Qendrës, nga dakordësimi mes jush zoti Spahiu dhe zotit Muçaj (emërim me numër dokumenti 01/14 dhe me numër protokolli 29).

Pavarësisht emërimit tim dhe premtimit për punësimin me pagesë part-time, unë kam vijuar ta kryej këtë punë vetëm në mënyrë vullnetare dhe me shumë përkushtim. Me trishtim vërej se puna ime e përkushtuar dhe vullnetare në Qendër nuk vlerësohet dhe nuk merret në konsideratë, duke mos lejuar asnjë pritshmëri përmirësimi.

Në kushtet e mosrespektimit të statusit tim të punës në këtë Qendër, si dhe të asnjë zhvillimi ligjor të mëtejshëm në lidhje me kontributin tim në Qendër, nuk e shikoj më të arsyeshme dhe nuk mund të vazhdoj punën time përsëri si vullnetare pranë saj. Prandaj, me keqardhje, po ju paraqes dorëheqjen time. Do t’ju lutesha të merreshin sa më parë masat e duhura për shkëputjen time zyrtarisht.

Pavarësisht kësaj, dua t’ju siguroj se jam ndjerë e nderuar që m’u besua kjo detyrë dhe jam krenare për punën që kam zhvilluar me përkushtim njërëzor e atdhetar si dhe me profesionalizëm në Qendrën Kulturore Shqiptare “Shemsetin Sami Frasheri” në Ankara.

Znj. Manjola KAŞOĞLU (ASLLANI)

Share: