Home KRYESORE Betimi i Vuçiç-it, si do të lexohet

Betimi i Vuçiç-it, si do të lexohet

Nga Azem Parllaku

Ish-kryeministri serb Aleksandar Vuçiç do të jetë presidenti i ri i Serbisë, pas zgjedhjeve të 2 prillit. Në daljen e tij të parë në media, pasi ka siguruar postin e kreut të shtetit serb, Vuçiç tha se do të jetë President i të gjithëve dhe do ta kthejë Serbinë në një shtet modern. “Do të punoj çdo ditë për të përmirësuar imazhin e Serbisë në botë. Shihet që kjo fitore është e pastër si loti. Kemi bërë shumë punë dhe qytetarët kanë treguar se e dinë se, në çfarë rruge do të shkojë Serbia. Serbia është për një drejtim europian dhe në marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe Kinën”, tha Vuçiç.

Vuçiç i falëndëroi të gjithë ata që e votuan, e nuk harroi të kujtonte se mbi 70% e votave të serbëve të Kosovës, të cilat ai i mori, i dhanë një dimension ndryshe triumfit të tij. Vuçiç, dikur ish-Sekretar i Partisë Radikale të Serbisë, udhëheq më vonë Partinë Përparimtare të Serbisë, e nga mandatet e saj mori dy herë radhazi postin si Kryeministër i Serbisë.

Aktualisht, partia e Vuçiç-it është grupimi më i madh politik në Serbi, një shans ky, që i jep më shumë efektivitet ushtrimit të detyrës si Presidentit nga ana e tij. Tashmë kur Vuçiç pret inagurimin në detyrën e re, interesimi i shqiptarëve në lidhje me qëndrimet e tij në të ardhmen, do të vijë duke u rritur. Në tetor të vitit të kaluar si kryeministër Vuçiç, u tha invesitorëve serb; “Dua të inkurajoj njerëzit tanë të shkojnë në Shqipëri, të ndërtojnë objekte turistike, të krijojnë kompani të përbashkëta.

Shqiptarët e mbajnë fjalën dhe janë njerëz të mirë dhe të punës. Unë jam ndoshta subjektiv, por dua t’u them se kjo është e mirë për Serbinë dhe punoni mirë me ta. I kuptojmë ndarjet politike, por duhet t’i kthehemi të ardhmes”. Teksa ka bërë këtë thirrje, Vuçiç në njëfarë mënyre, ka treguar se, është një fqinj “i mirë” dhe kërkon të mbajë raporte pozitive me Tiranën zyrtare, e cila nga ana e saj, ka heshtur gjithnjë e më shpesh në lidhje me provokimet e herëpashershëme dhe zhvillimet negative dhe agresive të Serbisë në rajon.

Krejt ndryshe i sheh raportet e tij me shqiptarët dhe qeverinë e Kosovës, ish-ministër në vitin 1999, e sot si president i Serbisë. “Kosova luan luftash” ka thënë Vuçiç, ndërsa shteti i tij do paqen. Presidenti i ri serb gjatë fushatës së tij, ka artikuluar shpesh mardhënien e Prishtinës me Beogradin, duke u bërë thirrje serbëve të mos përçahen, kur; “Ka plot nga ata edhe nga jashtë edhe nga brenda që do të dëshironin që Serbia mos të jetë mjaftueshëm e fortë që të përballet me sfidat që i dalin përpara.

Ndodhi edhe largimi i serbëve dhe dhuna ndaj tyre në Kosovë, por edhe pranimi i pavarësisë së Kosovës. Të gjitha këto ndodhen për shkak të Serbisë së dobët dhe përçarjes së serbëve”. Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Serbi, Kosova ka zënë vend fuqishëm në politikën e Serbisë, vetëm dy herë, gjë që është vlerësuar si një befasi e llojit të veçantë. Një herë është folur dhe shkruar shumë për çështjen e transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Në këtë rast, Vuçiç është shprehur, se është shumë i kënaqur me reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, lidhur me çështjen e formimit të ushtrisë së Kosovës. Hera e dytë kur Kosova u rivendos si kryelajm në mediat dhe në politikën e Serbisë, ishte pikërisht kur Vuçiç vendosi të mos udhëtojë për në Leposavic.

Vuçiç refuzoi të vijë në tubimin parazgjedhor të caktuar për 29 mars në Leposavic, sepse autoritetet kosovare, për shkak të qëndrimit të njohur parimor, kundërshtuan shoqërimin e tij, gjatë qëndrimit treorësh në Kosovë, nga Ministri i Mbrojtjes, Zoran Djordjeviq, dhe ai i Punëve të Brendshme, Nebojsa Stefanoviq.

Vuçiç ka dëshmuar, dashur e pa dashur, para opinionit të vet, vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale, që as në Leposavic, që gjendet fare pranë kufirit të Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të shkojë në një tubim parazgjedhor, pa marrë leje nga Prishtina zyrtare. “Nuk vjen në konsiderim ky presion dhe cirku çfarë ka bërë Prishtina”, tha qëllimisht Vuçiq për televizionin publik të Serbisë, pasi nuk shkoi në Leposavic. Kur pritet betimi i tij si kreu i shtetit, Vuçiç do t’i përmbahet Kushtetutës, e cila Kosovën dhe Metohinë i konsideron si pjesë të shtetit serb.

Duke u nisur nga ajo se Krahina e Kosovës e Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë, se ka pozitën e autonomisë thelbësore në kuadër të shtetit sovran të Serbisë, dhe se nga pozita e tillë e Krahinës së Kosovës e Metohisë burojnë detyrimet kushtetuese të të gjitha organeve shtetërore që të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat shtetërore në Kosovë e Metohi në të gjitha raportet e brendshme e të jashtme politike, qytetarët e Serbisë zbatojnë Kushtetutën e Republikës së Serbisë.

Me rastin e inaugurimit në detyrë, presidenti i Republikës së Serbisë, Vuçiç, do të bëjë këtë betim, i cili ka këtë përmbajtje. “Betohem se të gjitha forcat e mia do t’ia kushtoj ruajtjes së sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Serbisë, përfshirë edhe Kosovën e Metohinë si pjesë përbërëse të saj, si dhe realizimit të të drejtave dhe lirive njerëzore dhe të pakicave, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Serbisë dhe se me ndërgjegje dhe përgjegjësi do të përmbushi të gjitha detyrat e mia”.

Këtë përmbajtje detyruese të Kushtetutës së shtetit të tyre e mbrojnë me kokëfortësi shtetarët e vendit fqinj të shqiptarëve, anipse 114 shtete, anëtare të Kombeve të Bashkuara, kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Share: