Situata politike në vend mund ta bëjë Shqipërinë një preh të lehtë të sulmeve nga vendet që duan detsabilitet.
Kohët e fundit është folur shumë për një rrezik nga militatët e ISIS, por për ekspertët kjo situatë mund të shfrytëzohet shumë lehtë prej tyre. Ish drejtori i Shërimit Informativ të Ushtrisë Ylli Zylla, ka deklaruar se Shqipëria është një vend që mund të destabilizohet shumë kollaj.
“Shqipëria destabilizohet shpejt sepse nuk kemi struktura shtetërore të konsoliduara dhe nuk kemi politikanë të qetë që të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre dhe të lëshojnë nga vetja”, tha ai në një deklaratë televizive.
Në të njëjtën linjë ka qenë dhe eksperti i sigurisë, Arjan Dyrmishi, i cili ka treguar se situata të tilla kanë ndodhur dhe në vende të tjera.
“Destabilizim kemi parë në vende të ndryshme në forma nga më të ndryshmet, ndaj kjo nuk përjashtohet”, tha ai. Sipas ekspertëve, vendet fqinjë mund të përdorin teknika nga më të ndryshmet, për të nxitur destabilitet në vend. “Në radhë të parë shtetet rreth nesh, që nuk janë vende të NATO dhe as të BE-së që të jenë të interesuara që Shqipëria të ketë stabilitet. Pastaj është influenca ruse që është shtuar në biznes dhe administratë”, tha Zylla.
Ndërkohë Dyrmishi shkon më tej, duke përmendur dhe emra konkretë. Sipas tij, Maqedonia mund të përdorë skenarë destabiliteti. “Për analogji, një vend i interesuar direkt për destabilitet në Shqipëri mund të jetë Maqedonia, për interes vetjak, pasi mund të mendojë se do të bjerë rreziku që ata ndjejnë prej nesh. E njëjta gjë është me Serbinë”, nënvizoi Dyrmishi.
Sipas tij, krimi i organizuar mund të përfitojë edhe nga zhvendosja e policisë në protesta apo trazira që mund të shkaktohen në vend. “Nëse policia përqendrohet në menaxhimin e protestave apo rrëmujave, sigurisht që kjo do të jetë lehtësi për trafikantët, pasi do kenë mundësi që në një kohë të shkurtër të transportojnë sasitë e narkotikëve në vende të sigurta dhe kjo do të ketë pasoja për më vonë”, thotë Dyrmishi.