Home KRYESORE Gjekmarkaj: Marshimi i Ramës në zgjedhje pa PD?

Gjekmarkaj: Marshimi i Ramës në zgjedhje pa PD?

NGA AGRON GJEKMARKAJ

Shqipëria e kërrusur nga brengat e veta po i afrohet nxitimthi një të panjohure të madhe vetëm për karrigen e Edi Ramës. Ky burrë i gjatë mbushur me vetvete ka mbyllur sytë kredhur në dalldinë e pushtetit dhe të frikës për ta parë veten jashtë tij. As Gramoz Ruçi, i cili e shoqëron në takimet e tij, as kush tjetër nga të paktët politikanë me përvojë që i kanë mbetur PS-së, nuk guxojnë t’i bien në sup e t’i thonë eeej, zgjohu se po na çon të gjithëve bashkë drejt rrënimit. As Ilir Meta mbështjellë me ngërçet e veta tek mbytet e zhytet në deklaratat e përditshme nuk po pipëtin. Tashmë as ai nuk e di në fiton duke humbur apo humb duke fituar! As Ben Blushi, ky Koço Tashko i bashkëkohësisë, nuk është më i qartë si kohë më parë sikur ka rënë në sevda me fatin që i ofron një status partisë së tij në rast të zgjedhjeve pa Opozitën. Po bëjnë politikë “të madhe” në dy pëllëmbë vend. Tahmah i madh për ta rrënuar.

Mjerim i pashoq në mozaikun e mjerimeve. Shefi i “Rilindjes” refuzon ta shohë një pjesë të rëndësishme të popullit të vet, i cili po i kërkon të mos varrosë 27 vite përpjekjesh për demokraci dhe jetë normale pas shekujsh robërie e poshtërimi.

Ai refuzon të mendoje se çfarë vendi do të kemi pas disa muajsh kur tensioni rritet orë pas ore! Ai nuk e ka problem të pohojë se nuk shqetësohet nëse do të kemi një Parlament njëpartiak. I vetmi problem i tij është të mbetet Kryeministër me çdo kusht e me gjasë ky është edhe problemi ynë i madh i këtij tranzicioni. Ndërkohë që bota përreth tij zien e buçet, me një qetësi tronditëse ai jep edhe një tjetër koncesion prej 100 milionë eurosh për klientët e vet. Të ketë ndjekur këshillën popullore “para e bardhë në ditë të zezë?!”

Të martën, negociatorët ndërkombëtarë dështuan me sukses (ndonëse e certifikuan krizën) të ulnin palët në një tavolinë për të firmosur një marrëveshje mes Qeverisë dhe Opozitës. Pavarësisht se ata nuk i kërkuan drejtpërdrejt Edi Ramës të japë dorëheqje për t’i ruajtur erzin (që ta japë vetë), legjitimuan kërkesat e Lulzim Bashës mbi frikën se zgjedhjet e ardhshme do të manipulohen bazuar mbi gjithçka ka ndodhur për 4 vjet me radhë kësaj nahie. I thanë “Kryerilindasit” të shtyjë zgjedhjet-me vrap u gjegj ai! Të largojë ministrat kyç të kabinetit të tij e të vendosë të propozuarit e opozitës-hazër u shpreh! Të depolitizojë e dekriminalizojë policinë që ka lejuar kostituimin e Republikës së hashashit, të ndryshojë formulën e KQZsë e të tjera gjëra për të cilat Kryeministri nuk e paskësh më pengesë Kushtetutën-lepe peqe mërmëriti, veç aman mua mos më ngani!

Praktikisht, kredibiliteti i Edi Ramës dhe qeverisë së tij në raport me ndërkombëtarët është vënë në diskutim serioz. McAllister dhe Fleckenstein duhet të kenë provuar një dramë të madhe në raportin e tyre me të vërteten ndaj zymtësia si tis u kishte pushtuar aurën.

Ata e dinë që ne kemi këtë polici që kemi, se të tillë e deshi Edi Rama. Po kaq të bindur duhet të jenë për faktin se kemi këta ministra se ata i zgjodhi Edi Rama, pikërisht për veset që kanë dhe virtytet që u mungojnë në sintoni me të vetat.

Nëse territori kombëtar mbillet me drogë, nëse mbi të ulen avionë që e transportojnë atë dhe po kaq hareshëm ndërtohen pista afër Kryeqytetit, në një vend ku edhe në nevojtore shkohet me lejen e Kryeministrit, gjithashtu e kanë të qartë se duart e tij nuk janë të pastra. Problemi nuk janë vartësit e tij, por vetë ai. Problemi nuk janë institucionet, por vullneti i tij për t’i nëpërkëmbur. Ndoshta edhe për disa ditë do të bëjnë kinse.

Problemi nuk është natyra kriminale e disa qytetarëve të këtij shteti, por natyra e tij që shërbehet prej tyre, duke lejuar ata që të mbjellin frikë mbi bashkëvendasit në këmbim të përfitimeve dhe domeneve. Problemi nuk është i dibranëve të varfër që shitën votën, por i Kryeministrit të pasur që yshti lukuninë t’ua blejnë me paratë e korrupsionit. Të gjykosh njeriun e varfër e në hall duhet kurajë e madhe. Të mos gjykosh Kryeministrin që e bën këtë, është mungesë po kaq e madhe kuraje me pasoja afatgjata.

Prej disa javësh dëgjohen uzinjolet e Ramës duke pohuar dëshirat e tij së Partia Demokratike, përfaqësuesja kryesore e Opozitës, e paska mbyllur misionin e saj historik dhe se duhet të shpërndahet, ndërsa ajo e “lavdishmja”, e themeluar më 8 Nëntor 1941, pothuaj 76 vjet më parë, e trashëguar në linjë brezash, i duhet Shqipërisë, madje ajo paskësh detyrën historike ta sanksionojë eliminimin e saj (opozitës, siç e ka në traditë)!!??

Mbi të tilla vizione, sa tragjike, po aq sharlataneske, do të ndërtohej sistemi i ri politik nëse në zgjedhje shkohet njëanshëm me saze e cyrle të kësaj natyre. Kjo do të jetë aksioma kushtetuese e Republikës së re socialiste. Gjithsa nëse Opozita do të vishej me rrobdësham e pantofla dhe ulur mbi divanhane do të gjerbte bozë me dy lugë akullore brenda, duke ndjekur këto zhvillime nga televizioni.

Por nëse gjykojmë nga deklaratat e lidershipit të Opozitës, i cili është në një protestë 70-ditore për përshkallëzim të saj dhe forma të mosbindjes civile, i bie që zgjedhje nuk do të ketë dhe rrezikojmë një stinë pa institucione dhe destabilizimi. Në të dyja rastet, kostoja për shqiptarët do të jetë e papërballueshme.

Në të dyja hullitë marshojmë të udhëhequr nga Edi Rama drejt errësirës. Ndoshta ata që heshtin dhe ia bëjnë amin mund t’i sigurojnë fëmijët e tyre jashtë vendit, mund t’ia lejojnë vetes të udhëtojnë në makina të blinduara rrethuar me badigardë, mund të kenë luksin të ndihen të qetë në mes të trazimit me paratë e vëna pa djersë, teksa qytetarët e tjerë mund të përballen me dëshpërimin duke vështruar se si vendi, që nuk u bë kurrë parajsë, rikthehet në ferr.

Ai sheh veç një dritë, atë të mendjes së tij, brenda së cilës saldohen këmbët e një karrigeje. Çdokush edhe politikanët bëjnë zgjedhjet e tyre. Edi Rama po bën të veten. Sot ai ka mundësi të largohet si një Kryeministër që, meqenëse nuk jep besim, do të lejonte krijimin e një qeverie teknike për zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat nëse i fiton, bravo i qoftë. Nëse jo, për fatkeqësinë tonë, pak më vonë ai do të largohet si një diktator në tentativë, ashtu siç largohen të gjithë diktatorët.

Share: