Nga Fatos Hoxha
Dy javë më parë, teksa ndiqja me dhimbje e shqetësim zhvillimet brenda dhe rretheqark çadrës, paralajmërova se kryetari Basha, me sjelljen e tij enigmatike dhe pa llogjikë, po e çonte PD drejt rrugës pa kthim, drejt vetpërjashtimit nga zgjedhjet, daljes nga sistemi demokratik dhe vetasgjësimit.
Si demokrat i përjashtuar nga angazhimi aktiv ngulmova që demokratët ende të papërajshtuar të ngrinin zërin në forume e të kërkonin llogari, t’i bënin thirrje përgjegjshmërisë dhe arsyes, të riktheheshin në sistem e të mbronin vlerat që na bashkojnë.
Për fat të keq, thirrja ime e dëshpëruar u shoqërua nga heshtja e thellë dhe e fajshme e udhëheqësisë. Udhëheqësit e PD lanë që vetpërjashtimi i PD nga zgjedhjet të ndodhte, teksa Kryetari i Partisë refuzoi dhe mbylli çdo rrugë dhe hapësirë për kompromis.
Sot PD ka hyrë në rrugën pa kthim. Në harkun e 45 ditëve PD do ta shohë veten jashtë sistemit, nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, nuk do të jetë e përfaqësuar në parlament, nuk do të jetë as mazhorancë, as opozitë, nuk do të ketë më zë në kapitullin e politikës.
Për shkak të vetpërjashtimit, PD rrezikon të ngelet pa seli e pa financim publik, pa përfaqësim në institucionet e pavarura e në KQZ, pa komisionerë zgjedhorë e pa numërues, pa hapësirë mediatike e pa garanci ligjore. Thjesht do të jetë jashtë gjërave, jashtë proceseve.
Kryetari Basha premtoi shtyrjen e zgjedhjeve, premtoi rrëzimin e qeverisë Rama, premtoi qeverinë teknike, premtoi reformë rrënjësore zgjedhore, me garanci supreme për votën e lirë, premtoi mbeshtetje të fuqishme euroatlantike dhe na zhgënjeu.
Kryetari Basha ishte aq i sigurtë në rrugën e tij, saqë “dogji” me vetëdije çdo afat dhe procedurë për regjistrimin në zgjedhje. Kryetari i PD nuk la në këmbë asnjë alterativë, asnjë opsion rezervë. Ndaj sot PD është në buzë të greminës, në pragun e rrugës pa kthim.
Nëse udhëheqësia e PD nuk shqetësohet nga ky makth, atëherë shpresa e vetme ngelen demokratët e vërtetë. Ndaj duhet t’i bejne thirrje nevojës.
Të gjejnë rrugët për të shpëtuar PD dhe shpirtin e saj opozitar, të mbajnë fushën e betejës, t’i japin zë dhe forcë opozitës, me çdo mjet dhe mënyrë që lejon ligji dhe nevoja për të shpëtuar demokracinë.