Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama, bashkëndan shqetësimin e kryeprokurorit për asgjësimin e lëndëve narkotike sipas protokolleve të mirëpërcaktuara me ligj.
Ish-ministri i Brendshëm Rama, në një intervistë për ABC News shkon edhe më tej, duke hedhur dyshime për vërtetësinë e asgjësimit të hashashit nga zyrtarë të policisë.
Deklarata e prokurorit të Përgjithshëm nuk e ka surprizuar kryetarin e grupit parlamentar të LSI-së Luan Rama, i cili në fund të marsit e ngriti ketë shqetësim në Kuvend.
“Nuk më surprizon deklarata e Prokurorit të Përgjithshëm, pasi është një fakt të cilin unë jo vetëm e kam ditur më parë, por edhe e kam denoncuar shumë më parë në Kuvend si një veprim haptazi të kundërligjshëm të strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat kanë bërë asgjësimin e lëndës narkotike të kapur pa praninë e prokurorit, pa praninë e përfaqësuesve të gjykatës. Dhe ç’është më e rëndësishmja, pa mbajtur procesverbal në tre kopje, siç është detyrimi ligjor për ç’do rast në vendin ku bëhet kapja e lëndës narkotike”, shprehet Rama.
Rama shkon edhe më tej, duke hedhur dyshime për vërtetësinë e asgjësimit të hashashit nga zyrtare të policisë. “Fakti që jemi përballë realitetit, që është bërë asgjësimi i lëndës narkotike pa praninë e prokurorit, të oficerit të policisë gjyqësore, pa praninë e përfaqësuesit të gjykatës siç e kërkon ligji, natyrisht krijon mundësi për të hamendësuar se jo vetëm nuk është asgjësuar e gjithë lënda narkotike e kapur, por çdokush mund të mendojë, që kjo lëndë është ricikluar dhe mund të jetë magazinuar nëpër tunele dhe depo, siç ka ndodhur për fat të keq të provohet me veprimet më të fundit”.
Luan Rama me cilësinë edhe të anëtarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare thotë se kryeprokurori Llalla nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata publike, por të nisë hetimet.
“Dua ta ftoj Prokurorin e Përgjithshëm të shfaqë të gjithë përgjegjësitë si titullar i organit të akuzës që është, të lërë mënjanë deklaratat dhe të ngrejë një grup të posaçëm pune për të filluar çështjen penale për të hetuar dhe për të identifikuar përgjegjësinë e çdo individi që nuk ka zbatuar ligjin apo ç’është më e rënda që ka shkelur ligjin duke bërë “asgjësimin” e lëndës narkotike në kundërshtim me procedurat që përcakton në mënyrë rigoroze kodi i procedurës penale dhe ligji për asgjësimin dhe luftën kundër lëndëve narkotike dhe psikotrope. Nuk mjaftojnë fjalët. Prokurori i Përgjithshëm dhe Prokuroria e Republikës është organ akuze. Fjalë shkojnë në kuvend ose në mitingjet partiake e politike. Prokuroria duhet të veprojë me forcën e ligjit për të identifikuar për të hetuar dhe për të ndëshkuar me forcën e ligjit, cilindo që rezulton i implikuar në këtë veprimtari kriminale, qoftë nga radhët e organeve të Policisë së Shtetit apo të organeve të tjera të zbatimit të ligjit, apo qoftë cilindo punonjës në administratën publike me nivel përfaqësimi politik në të gjitha nivelet për të dëshmuar jo thjesht vullnet, por forcë në zbatimin e ligjit”, deklaron ai.
Për kreun e grupit parlamentar të LSI-së njëherazi edhe anëtar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ndryshimi i ministrit të Brendshëm ka sjellë frymë pozitivë në luftën kundër drogës.
“Ka një reagim pozitiv të strukturave të Policisë së Shtetit pas ndryshimit të ministrit. Ka një bashkërendim më të mirë në vlerësimin tim edhe në partneritetin midis Policisë dhe organit të Prokurorisë, por kaq nuk mjafton. Është shumë pak për të na krijuar bindjen që realisht organet e zbatimit të ligjit janë të vendosura për t’i shkuar deri në fund goditjes me forcën e ligjit të cilitdo që me veprimet apo mosveprimet e veta është bërë pjesë e kësaj gjëme të madhe, siç është kultivimi i lëndës narkotike”, deklaron nënkryetari i LSI.
Sipas Ramës, të gjithë institucionet ligjzbatuese në vend, duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin që të hiqet Shqipëria nga lista e zezë e ndërkombëtareve, si vend i kultivimit të hashashit.