Home KRYESORE Zbulohet skenari pse mazhoranca po djeg raundet për zgjedhjen e Presidentit

Zbulohet skenari pse mazhoranca po djeg raundet për zgjedhjen e Presidentit

Duket se votimi i shpejtë i raundeve të zgjedhjes së kreut të shtetit pa ofruar asnjë emër si kandidaturë, përbën jo thjesht një nxitim protokollar të shumicës së majtë. Pas kësaj lëvizjeje të shpejtë drejt djegies së raundeve, mund të fshihet një lëvizje e mirëmenduar, thonë burime të besueshme pranë maxhorancës.

Mund të jetë duke marrë formë, mëson Javanews, një skemë e cila nëse rezulton e vërtetë, synon që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Në fakt, pikat 5 dhe 6 të nenit 87 të Kushtetutës, ku flitet për kreun e shtetit, përcaktojnë se nëse pas pesë raundeve parlamenti dështon në zgjedhjen e presidentit, vetë Kuvendi shpërndahet dhe kalohet në zgjedhje të përgjithshme brenda 45 ditëve.

Një llogari e thjeshtë datash duket se e mundëson që shumica të djegë edhe tre raundet e mbetura, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme brenda afatit të 18 qershorit. Në një rast të tillë lind pyetja e natyrshme, se cili do të ishte përfitimi i shumicës në këtë ndërmarrje.

Duket se këtu fshihet edhe skenari që do ta çonte eventualisht Ilir Metën drejt Presidencës, por pas zgjedhjeve. Sepse dihet, sipas asaj që është folur e komentuar shpesh në media, se kreu i LSI ka shfaqur interes për t’u zgjedhur president, por vetëm pas zgjedhjeve, për të mos influencuar votat e partisë që drejton. Vetëm pasi të ketë marrë votat në fushatën që do ta drejtojë vetë, Meta duket i gatshëm për të pranuar postin e kryetarit të shtetit. Dhe kjo skemë i jep atij një mundësi konkrete.

Së dyti, një përfitim tjetër i kalimit në zgjedhje të parakohshme, do të ishte rihapja e dritares ligjore të regjistrimit në KQZ të të gjitha partive e koalicioneve. Gjithçka starton nga e para, e kjo do të ofronte edhe një tjetër mundësi kompromisi të minutës së fundit me opozitën, për t’u përfshirë në zgjedhjet e parakohshme, pasi humbi mundësinë procedurale për t’u regjistruar në votimet e 18 qershorit.

Siç shihet kemi të bëjmë me një operacion jo shumë të komplikuar për një shumicë që aktualisht kontrollon e qetë procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit. Gjithsesi kjo është një skemë që mbetet të provohet si e vërtetë në ditët e ardhshme./360grade.al

Share: