Home KRYESORE Botohet në Rumani libri “Vrima” i Rita Petros

Botohet në Rumani libri “Vrima” i Rita Petros

Pas botimit në Francë të librit “Vrima” nga shtëpia botuese “L’Harmattan”, një tjetër shtëpi prestigjioze botuese “Corint” sjell për lexuesin rumun këtë libër të poetes Rita Petro. Poemat e Petros janë përkthyer në rumanisht nga përkthyesit e mirënjohur Marius Dobresku dhe Luan Topçiu.

Sipas përkthyesit Dobresku “Poezia e Rita Petros meriton gjithë vëmendjen tonë… është një këngë e pandërprerë që i dedikohet dashurisë, dashurisë mishtore, të cilën pikërisht ajo, një femër që përballet me të gjitha paragjykimet tona ballkanike, e lartëson dhe i përkulet. Është një flijim i vendosur në këmbët e feminitetit.

Kësisoj, duhet të njohim faktin se Rita Petro bën atë që asnjë burrë nuk guxon aq shpesh që ta bëjë, dhe e bën me çiltërsi të plotë, që prek kur lartësitë e Parajsës, kur thellësitë e Ferrit. Është triumfi i sinqeritetit absolut”.

Ndërsa në parathënien e librit studiuesi Luan Topçiu, duke analizuar erotizmin si filozofi në poezinë e Rita Petros, sjell në vëmendje të lexuesit vizionin e poetit Octavio Paz për Erosin, si një zot me funksion të trefishtë: perëndia e seksit, erotizëm dhe dashuri. Gjithashtu, në parathënien e tij ai shkruan se: “Poetja shqiptare jeton shenjtërinë si një gjendje të pastër natyrore të qenies, të pandryshueshme nga komplikimet e rendit metafizik dhe social.

E vërteta e dashurisë mistike, aq e komplikuar në pamje të parë, ka lindur po nga kjo hipostazë primordiale, që do të thotë gjendja parajsësore e sinqeritetit dhe e pafajësisë së fëmijës primordial, që krijon nga instinkti, në gjendje të pastër, duke luajtur. Kthimi i saj është një përpjekje për të kuptuar gjuhën e dashurisë, për të kuptuar metaforën e erotizmit dhe për t’i integruar në një të tërë. Një kuptim jo mendor, por i ndjeshmërisë– përmes dijes së ndjenjave.

Topçiu përfundon se ka patur kënaqësinë ta përkthejë këtë libër së bashku me përkthyesin e mirënjohur, mjeshtrin Marius Dobrescu, …”me shpresën se do të ketë të njëjtin impakt për lëçitësin rumun si në Shqipëri”.

Share: