Home KRYESORE Dielli djeg ende Shqiptaret dhe Çamet në Paramithi

Dielli djeg ende Shqiptaret dhe Çamet në Paramithi

Nga Fatbardh Kadilli

Shkrimi është botuar ne gazetën Mapo ne gusht 2010, por Perqasje.com e risjell ne vëmendje për aktualitetin qe ka, per fat te keq edhe sot!

Eshtë ditë vere dhe, normalisht, bën vapë. Kam ndjesinë e veçantë, besoj të çdo shqiptari tek kaloj kufirin shtetëror në Qafë-Botë, për të zbritur më në jug. Jo rastësisht, pikërisht nga këtu është hera e parë në jetën time që udhëtoj për në shtetin grek. Jam me bashkëshorten dhe të afërm të familjes së saj. Një udhëtim vere. Një udhëtim për të parë këtë pjesë të botës, për të parë vendet e Çamërisë. Përshkojmë të njëjtën udhë që, ndoshta, 66 vjet më parë, ka përshkuar mes mijëra refugjatëve çamë edhe familja e bashkëshortes sime. Ky udhëtim është krejtësisht privat dhe pa asnjë lidhje me aktivitetin tim publik apo ndonjë pretendim tjetër. Eshtë i tillë si për mua, ashtu edhe për familjarët. Hollësitë dhe përjetimet e udhëtimit janë krejt personale dhe do të duhet të mbeteshin të parëndësishme për publikun, me përjashtim të diçkaje që nuk mund të jetë personale.

Mbërrijmë në Paramithi. Gjejmë shtëpinë ku ka banuar familja e bashkëshortes sime. Si çdo çam, edhe ajo dëshiron të bëjmë një fotografi tek shtëpia, tek pragu nga ku babai i saj ka kaluar për herë të fundit kur ishte 6-7-vjeçar. Pastaj i vjen radha Kullës së Vjetër të Orës, Burimit shekullor, Pazarit dhe…Stop! Policia!

Mendoj se ka të bëjë me parkimin e makinës. Shenjat duken në rregull, por megjithatë… kalimthi mendoj se targa shqiptare ka rënë në sy…  Jo, polici kërkon ta shoqërojmë në polici. Kërkojmë arsyen. Duhet të vini në polici për një sqarim të shkurtër, vetëm pesë minuta. I tregoj pasaportën diplomatike, bashkëshortja ime ka edhe pasaportën e Kombeve të Bashkuara, prej shumë vitesh udhëton kudo në botë. Kërkoj të di arsyen përse ndalohemi. Konfuzion, telefonata, pasaporta, prapë telefonata, pastaj përsëri kërkesa: “Ejani në polici, vetëm për pesë minuta!”. Kundërshtoj duke i kujtuar imunitetin si mbajtës i një pasaporte diplomatike. Atëherë, polici më sqaron arsyen, “duam të dimë përse keni bërë fotografi?” E pabesueshme, megjithatë, për mirësjellje i shpjegoj: “Jam turist, fotografoj atë që më tërheq, nuk besoj se është e ndaluar”. “Është e ndaluar”. “Nuk ka mundësi!” -i them. “Është e ndaluar”. Këtë përgjigje e kam dëgjuar vetëm në disa vende të Afrikës, edhe aty vetëm në aeroporte ose para ndonjë godine qeveritare. Kurrë në një vend të Bashkimit Europian. “Është e ndaluar, ejani në polici!” Nuk pranoj.

Kalojnë rreth 20 minuta. Atëherë vjen shefi. Eshtë me pantallona të shkurtra, më turist se unë nga pamja. Ia kam zili, pasi vetë jam në një veshje disi formale. Shefi në fillim qëndron në distancë, pastaj debaton edhe ai. Eshtë e ndaluar. E pabesueshme. Vjen edhe një shef tjetër. Veç policit të parë asnjëri me ndonjë shenjë dalluese. Afrohet edhe një makine me dy policë të tjerë civilë-tip skuadra mobile. E pabesueshme. Qëndrojnë vetëm 5 metra larg.

Më pëlqen dhe deri diku argëtohem duke vazhduar refuzimin për të shkuar me ta në polici, qoftë edhe për të dhënë shpjegime pse fotografoj. Vazhdon konfuzioni, shqip, greqisht, falë zotit anglisht, pastaj greqisht, pastaj kujtohen që nuk i kuptojmë në greqisht, prapë anglisht. Verifikim i dokumenteve, telefonata, përsëri lexim i pasaportave. Kënaqem kur shoh me sa vështirësi kopjojnë gërmat latine. Ne shënojmë targat e tyre. Konfuzion përsëri. I detyroj të tregojnë distiktivin personal, pasi janë civilë. Mbajmë shënim emrat dhe targat.

Pa asnjë teprim ka kaluar më shumë se një orë. Pastaj u drejtohem me të qeshur. Të dyja palët i dimë arsyet e vërteta, prandaj shfaqja duhet të marrë fund. Ndryshe unë duhet të telefonoj Ambasadën, Ministrinë e Jashtme dhe mediat. Bashkëshortja duhet të njoftojë përfaqësinë e OKB-së për këtë ndalim të paarsyeshëm. Tonet ulen. Kryhet edhe një herë nga e para formaliteti i shënimit në një copë letër të emrave dhe të dhënave të tjera nga pasaportat tona, pastaj dokumentet e makinës. Pastaj pyetje për udhëtimin. Pastaj nisemi.

E gjitha kjo ndodhi në një ditë të nxehtë fillimgushti në Paramithi. Pa asnjë teprim, kaluan rreth 90 minuta në këtë skenë që luhej nën diellin e nxehtë të mesditës. Në Paramithi të gjithë bënin pushimin e drekës. Në rrugë, në mes të pazarit të qytetit, ku u luajt kjo skenë nuk kishte këmbë njeriu, edhe dyqanet e lokalet ishin të mbyllura. Ishim vetëm katër shqiptarë dhe pesë policë grekë. Nga ky moment udhëtimi ynë vazhdoi në shoqërinë e eskortës me dy policët civilë. Nuk mund të ankohem, pasi u ulën tonet, si ballkanas për pak sa nuk u bëmë miq. Nuk bëj shaka. Eskorta nga fundi i ngjante më shumë një guide turistike. Na drejtuan dhe ne i ndiqnim në çdo qytet a fshat që ne u kërkonim të shihnim, deri sa kërkuam të na drejtonin për nga kufiri. Ishte natë vonë kur u ndamë me shoqëruesit tanë policë në kufi.

Në fund nuk dija si t’i përshëndesja këta policë-shoqërues. Gjatë ditës pashë dy shfaqje të tyre. Njërën brutale, tjetrën njerëzore. Njërën si përfaqësues të një dhune të vjetër shtetërore, tjetrën si nëpunës korrekt të shtetit të tyre. Nuk di cila ishte më e vërteta, cila nga këto sjellje ishte më e sinqerta. Do të ishte e njëjta sjellje sikur unë të mos kisha pasaportë diplomatike dhe bashkëshortja ime pasaportë të Kombeve të Bashkuara? 66 vjet më parë, po në Paramithi, në një ditë që duhet të ketë qenë po kaq e nxehtë, megjithëse mbajtës i shtetësisë greke, gjyshi i bashkëshortes sime bashkë me vëllezërit e tij dhe me të atin, që ishte edhe kryetar Bashkie i Paramithisë u bënë viktima të një masakre masive.

Ky qe një udhëtim krejtësisht privat, familjar. Të tilla udhëtime janë të zakonshme. Nuk dua të bëj asnjë koment, asnjë aludim për ato që ndodhën, dua, thjesht, që njerëzit ta dinë. Dielli djeg ende në Paramithi.

*Autori është (ishte) deputet në Kuvendin e Shqipërisë

Share: