Nga Koci Fosi, PaRrena.com
Pak ditë më parë Partia Aleanca Popullore bëri një padi në Kolegjin Zgjedhor kundër KQZ. Përmes kësaj padie Aleanca Popullore kërkon çrregjistrimin e lishtave shumemërore të partive si të depozituara jashtë afateve ligjore. Tek portali lapsi.al lajmi botohet korrekt por lapsi bën “lapsus” kur si foto vendos atë të …Partisë Aleanca Popullore për Drejtësi. Me “hajt mo, vari bidonët” mund të merret deri diku si shkarje lapsi edhe pse njihet shumë mirë investimi i PDIU të Shpëtim Idrizit kundër Aleancës Popullore të Artur Dojakës, për shkak të rivalitetit për çështjen çame.
Por s’të le Andi Bushati t’i varësh bidonët! Ai mpreh lapsin dhe na harton një konspiracion sofist që është pak a shumë i tillë: Meqë ankimimi që ka bërë PAA e Dukës në Kolegjin Zgjedhor i ka rënë si relator Gjin Gjonit, të cilin e ka sulmuar keqas vazhdimisht Rama, ky i fundit ka gjetur aleatin e saj për të bërë një padi të dytë. Kjo e dyta do të gjykohet në kohë para të parës dhe kështu del jashtë loje Gjin Gjoni!
Po sikur shorti t’i binte sërish Gjin Gjonit? Po sikur Kolegji ta vendoste orarin e AP pas PAA? Apo Bushati na thotë se Rama i ka në dorë të gjithë, përveç Gjin Gjonit? Mundet të ketë 100% të drejtë Bushati, nëse do t’i kish shpëtuar “lapsuseve” me AP.
Së pari kjo parti, aleate e rëndësishme e koalicionit Rama – Meta 2013 nuk ka marrë asnjë post a vend pune në administratë, sipas marrëveshjes elektorale. Theksoj “nuk ka marrë”. Do të thotë se i janë dhënë por s’i ka pranuar. Një nga arsyet, ndoshta më kryesorja, është mosrrespektimi nga qeveria e marrëveshjes për çështjen çame. Së dyti, ky aleati i Ramës nuk ka pranuar të regjistrohet në KQZ për arsyen parimore se zgjedhjet pa opozitën nuk kanë kuptim. A nuk mjaftojnë dy tregues dinjiteti për t’i thënë Bushati mendjes se ka të tjerë me shumë pak dinjitet brenda e jashtë koalicionit të Ramës pèr të bërë lojra me kolegjra e këqëzëra?
Të thuash se një forcë politike që refuzon postet në qeveri e administratë e nuk rregjistrohet në zgjedhje pèr shkak të dinjitetit e parimeve bëhet vegël e Ramës është si të akuzosh këtë Bushatin se, ta zemë është paguar – ta zemë – nga Shpëtim Idrizi për sofizma të tillë, apo nga ndonjë -ta zemë – Institut Pi Ari. Gjëra që s’mund t’i imagjinosh për gazetarë që publiku i gjerë i njeh si me integritet e dinjitet.
Po ashtu, të thuash se në 10.30 një gjyqtar do të japë një vendi ndryshe nga ajo që do të japë Gjin Gjoni në 12.30, ky është një mesazh i hollë e mirëmenduar për Gjin Gjonin dhe për të ngritur një opinion masiv: mos guxo të japësh ATË vendim! Është çështje e gazetarit pastaj se nga e di se gjyqtari Kalaja do të japë një vendim që nuk është i njejtë me atë të kolegut Gjoni….apo mesazhi vlen për të dy: “Mos bëni gafë pranoni padinë se ju piu e zeza”???