Home KRYESORE META BLLOKOI PROJEKTLIGJIN PËR ZGJEDHJE TË LIRA DHE U BË PRESIDENT

META BLLOKOI PROJEKTLIGJIN PËR ZGJEDHJE TË LIRA DHE U BË PRESIDENT

Nga Gaqo APOSTOLI

Kryeparlamentari Meta, pasi deklaroi me shumicë se LSI nuk do të futej  në zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës, sepse ishte për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme, si edhe për preferencën e tij për një President konsensual, u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë, pa pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjen e tij. Sigurisht, mund të quhet President konsensual nëse e ka marrë bekimin e saj, qoftë edhe në mënyrë të fshehtë. Pranimin e këtij posti të lartë prej tij, Meta e argumentoi me faktin e ruajtjes së Stabilitetit në vend dhe, ndoshta edhe në Rajon. Gjithsesi, ai duhet të ndjejë thellë në ndërgjgje që ka shkelur kushtetutë dhe ka thyer rregulloren e Kuvendit që, ndonëse edhe e premtoi, nuk vuri në veprim mekanizmat parlamentare për shqyrtimin në komisione dhe në seancë plenare deri në votim, Projektligjin për “Disa ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”. Mesa duket, përveç kontributit të tij të derisotëm në politikë, ky mund të jetë edhe një lloj shpërblimi konsensual, që i jepet atij edhe për bllokimin e këtij projektligji, si nga PD dhe natyrisht edhe nga PS.

1. Lidershipi i konsumuar i Establishmentit të PS & LSI &PD

Terminologjia “Kauza për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme”,  deri më sot është artikuluar deri në përdhosje më shumë nga ata që deri më sot i kanë deformuar frikshëm këto zgjedhje përmes manipulimeve dhe grabitjeve të votave, për të mbajtur apo marrë me cdo kusht pushtetin qeverisës.

Kryeministri Rama, në fakt, nuk e ka përdorur shumë këtë terminologji, por ka konsumuar me shumë zell togfjalëshin “Reforma në Drejtësi” dhe, duke dashur gjithmonë ta sofistikojë gjuhën e tij politike, e ngatërroi pa/me dashje reformën në drejtësi nëpër pafundësitë e yllësive qiellore duke e konsideruar “Vetingun” si Yllin Polar të të gjitha reformave. Si një politikan autokrat, bile më shumë se autokrat, ai e la tërësisht në errësirë Reformën për Zgjedhje të Lira e të Ndershme, e cila fatalisht është Ylli Polar në konstelacionin e tërë reformave, por që sundimtarët nuk e shohin, ose nuk duan ta pranojnë. Pa Zgjedhje të Lira e të Ndershme, çdo institucion që ngrihet apo reformohet ka doza të larta falsiteti, edhe parlamenti, edhe qeveria, edhe Drejtësi, edhe Vetingu… Mjafton te shohesh kandidatet neper lista te çdo lloji që propozohen nga sundimtaret e partive apo te institucioneve çfarëdo.

Kryeopozitari Basha, së fundi duke e anashkaluar Vetingun e famshëm dhe, duke mos e pranuar thellë në ndërgjegje Kauzën e Zgjedhjeve të Lira dhe të Ndershme që shpallën 52 partitë parlamentare, të materializuar me projektligjin për “Disa ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, “grabiti” Kauzën e tyre së bashku edhe me porcionin e partive të djathta, duke e futur dhe varrosur këtë Kauzë vitale të demokracisë në Cadrën e Partisë Demokratike.

Për Kryeparlamentarin Meta komenti u bë në fillim të këtij shkrimi.

2. Kauza për zgjedhje të lira dhe të ndershme dështoi

Tashmë askush në Shqipëri nuk vë në dyshim faktin që kauza për zgjedhje të lira, të ndershme dhe me standarte, ka dështuar totalisht. Kjo kauzë e ndërmarrë mbi një vit e gjysmë më parë nga 52 parti parlamentare dhe jo parlamentare,të majta dhe të djathta) e shpallur më 12 Shkurt 2016 para opinionit publik dhe adresuar për institucionet ligjvënëse dhe politike shqiptare, si edhe për ambasadat kryesore të akredituara në Shqipëri, të SHBA, BE, OSBE etj.,u paraqit në Korrik 2016 në trajtë projektligji në Kuvendin e Shqipërisë, si inisiativë ligjvënëse e deputetëve përfaqësues të grupimit të 52 partive politike. Për 10 muaj me rradhë, kjo inisiativë ligjvënëse u bllokua në mënyrë antikushtetuese nga Kryetari i Parlamentit, i cili nuk vuri në lëvizje komisionet parlamentare përkatëse për shqyrtimin e projektligjit përkatës, amendamentet e të cilit, të përgatitura nga ekspertët politikë dhe juridikë të grupimit të 52 partive, reflektonin ndryshime të domosdoshme  në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, të bazuara mbi rekomandimet prioritare të raporteve të OSBE/ODIHR. As Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgedhore “nuk guxoi” t’i prekte me dorë këto amendamente, që “do ta çlironin Kodin Zgjedhor aktual” nga grabitja e votave dhe manipulimi i procesit zgjedhor, siç ndodh deri më sot. Ky Komision Famëkeq për mbi dy vjet që mori paratë në parlament pati frikë nga Reformimi i Kodit si Djalli nga Temjani.

3.Kriza e pushtetit në Shqipëri është e përgjithshme

Sot, edhe pas zgjedhjes së Presidentit, në Shqipëri kriza e pushtetit është e gjithanëshme dhe e përgjithshme. Ajo ka përfshirë pushtetin ekzekutiv/qeverisjen, pushtetin legjislativ/parlamentin, pushtetin gjyqësor/gjykatat, prokurorinë, hetuesinë, avokatinë… Kjo krizë ka karakter gjithëpërfshirës politik, ekonomik, social dhe mjedisor. Ndërsa dimensioni human i kësaj krize është thellësisht tragjikomik. Përgjegjësia për këtë krizë 21 vjecare të gjithanshme dhe të përgjithshme në kohë dhe në hapësirë qëndron mbi Establishmentin trinomial PS&LSI&PD, i cili nuk ka arritur që gjatë tërë kësaj periudhe të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përkundrazi, ka qënë ky establishment që ka manipuluar në vazhdimësi procesin zgjedhor në tërë dimensionet  e tij, ligjor, administrativ, monitories dhe sidomos në procesin final të tij, numurimin e votave, që më tepër i ngjan një grabitje të tyre nga komisionerët dhe numuruesit e këtij establishment, sidomos i shoqëruar me një shitblerje masive të tyre. I lemerishëm ishte vecanërisht ky proces në zgjedhjet e vitit 2013, ku ai u dominua nga kandidimi në masë i personave të pasuruar dhe inkriminuar në afera të rënda korruptive, prostitucioni, trafikim të lëndëve narkotike.

4.Cfarë do të sjellin zhvillimet e fundit

Tabloja e partive politike të rreshtuara në këtë situatë para betejës elektorale të 18 Qershorit 2017 kanë një konfiguracion të ri, ndryshe nga fushatat e mëparëshme. PD me porcionin e aleatëve ndodhet janë të përqëndruara në Cadrën e saj dhe nuk janë të regjistruara në zgjedhje deri më sot, ndonëse kanë përfunduar të gjitha afatet ligjore, parti të veçanta si Sfida për Shqipërinë dhe Libra, apo edhe ndonjë tjetër, si edhe parti të futura nën “sqetullën” e djersitur të Maxhorancës qeverisëse konkurojnë veçmas dhe disa parti të tjera nuk janë rregjistruar në garë për shkak të mungesës së besimit dhe lojrave të politikës qeverisëse. Pra, mungojnë koalicionet paraelektorale, ku sistemi d’Hondt do të bëjë kërdinë mbi partitë e vogla.

Zhvillimet e fundit tregojnë se shqetësimi për këto zgjedhje është tepër i lartë, ndaj janë aktivizuar edhe ndërmjetësime nga të gjitha krahët. Nuk dihet ende se çdo të prodhojë tryeza e thirrur nga Presidenti aktual Nishani, ku do të ofrohen kompromise të mundshme nga të dy anët, apo edhe nga ndërkombëtarët që kërcënojnë PD-në se po nuk u fut në zgjedhje ata do t’i njohin zgjedhjet… Po pastaj…? E pur si muove… Zgjedhjet do të jenë sërish të manipuluara deri në braktisje masive… Më e mundshmja që mund të prodhojë tryeza do të ishte kompromisi vetëm për shtyrjen e zgjdhjeve, që të paktën PD të rikuperojë sadopak fuqi elektorale dhe imazh nga humbja apo vetvrasja e deritanishme, që do të jetë e vështirë deri në pamundësi…Ajo që humbi është sërish Shqipëria që vërtitet qorrazi nëpër një tranzicion pafund, janë shqiptarët që humbën një Kauzë për Zgjedhje të Lira, të Barabarta dhe të Ndershme, e cila u grabit nga Lidershipi i    Establishmentit të trinomit PS&LSI&PD, Lidershipi i të cilit sundon Shqipërinë dhe shqiptarët, duke ndryshuar periodikisht formulën e qeverisjes mes tyre dhe, për mbi dy dekada, ka vjedhur e grabitur votat e shqiptarëve duke manipuluar tërë procesin zgjedhor.

Share: