Home KRYESORE “Paqja” PD-PS dhe dredhirat e nëndheshme që sapo kanë filluar…

“Paqja” PD-PS dhe dredhirat e nëndheshme që sapo kanë filluar…

Nga Artur Zheji

Të gjitha epitetet për politikën, nuk mjaftojnë për të përshkruar këtë situatë që po përjetohet. Filloi prej 48 orësh bashkëqeverisja e madhe PS-PD-LSI.

U kapërcyen malet me bajga të sharjeve, moçalet e fyerjeve, llumi u shndërrua në shpresë të re. Berisha mbron Ramën, Rama përkëdhel Lulin, Luli hesht dhe organizon fushatën.

Ndërkohë vettingu, arma zgjedhore e kryeministrit, të cilën mjaft shqiptarë e besuan si një shpikje çudibërëse antikorrupsion, porse militantët socialist e besuan si një armë shfarosëse kundër Berishës, Bashës dhe Metës, ky vettingu pra, u votua si një bombë prej kartoni dhe pa zarar për askënd.

Dikush thotë se kjo bashkëqeverisje, ka si synim edhe një fazë stërvitore, për një qeverisje të nesërme Basha-Rama, krijimi pra, i një superfuqie qeverisëse në numra, që askush nuk di se çfarë rezultatesh mund të ketë.
Berisha në daljen më të fundit tv, dukej shumë i kënaqur dhe shumë i tonifikuar, Partia e tij, mori një superpushtet në tavolinë.

PD, e shmangu çarjen dhe kush doli jashtë vathës së partisë, sigurisht nuk do të hyjë më. Basha përmbushi me sukses “aventurën” e rrezikshme të Çadrës dhe e çmontoi në pak minuta atë, sapo mori në këmbim, kompromisin më të mirë.

PD, që ca analistë shumë pranë PS, sot të tradhëtuar si mos më keq, e mbiquajtën një parti në lëngatë vdekjeje, PD pra, sot ka përse të rilindë në shpresë politike dhe në interesa.

Mirëpo shqiptarët në këto Zgjedhje politike janë më të hutuar se asnjëherë, armiku ju doli mik, dhe loja e interesave të të “mëdhenjve”, i ka lënë të paditur dhe të paorientuar. Partitë e reja alternative, u “vranë” në djep duke u përjashtuar nga koalicionet parazgjedhore, me një vendim arbitrar Rama-Basha dhe u ka mbetur vetëm fjala e mekur dhe e trishtuar nëpër studio tv, ku po konkurojnë me sukses analistët politikë. Disa vendosën edhe të tërhiqen dhe disa liderë partish të “vogla” tani nuk dinë se çfarë të bëjnë me partitë e tyre dhe janë në një situatë pa rrugëdalje.

Simbas të gjitha gjasave, mbas 25 Qershorit, do të mbeten vetëm 3 parti të rëndësishme dhe vetëm ndonjë “partizë”, do të mund të mbijetojë nën diktatin e më të mëdhenjve PD-PS dhe e vetmja strehë që mund ti mirëpresë do të ishte LSI.

25 Qershori do të jetë një provë e madhe zjarri, ku Rama duket përsëri i favorizuar, si kryetari i Partisë më të madhe shqiptare, porse surprizat nuk përjashtohen, sepse situata favorizon shumë LSI, si e vetmja vatër parlamentare dhe me forcë reale politike e alternativës, ndaj dyshes së fuqizuar Rama-Basha.

Nga ana tjetër, të gjitha përbetimet morale u shkrinë si kripa në ujë dhe më vjen të qesh me militantët, që deri dje bënin be, për kokën e njërit, kundër kokës së tjetrit. Madje ka ndodhur edhe një dukuri, sharësit e portaleve kanë mbetur pa tekst, sepse nuk dinë se çfarë të thonë më, as për Ramën dhe as për Bashën, sepse ju është tharë pështyma në gojë dhe nuk kanë më gëlbaza në gurmaz. Sepse po shanë njërin, u duket se po shajnë edhe të preferuarin e tyre, që deri dje ishte në llogore lufte.

Le të mësohen pra shqiptarët me paqen, qoftë edhe kjo, edhe një paqe erëkeqe, plot dredhira dhe pabesira dhe sigurisht me një monument e përmendore të vetme adhurimi: Gënjeshtrën! /360grade.al/

Share: