Home KRYESORE Zgjedhjet e lira ne Evrope në shënjestrën e Kremlinit

Zgjedhjet e lira ne Evrope në shënjestrën e Kremlinit

Tashmë duhet të jetë e qartë, “normalja e re” e sjelljes ruse në skenën ndërkombëtare përfshin ndërhyrje në zgjedhjet e demokracive perëndimore, për të fuqizuar kandidatët që Kremlini beson se janë të prirur të ndjekin agjendën e tij, dhe të sulmojë ata që nuk do ta bëjnë.

Pasi ka bërë ekzaktësisht këtë gjë në zgjedhjet e vitit 2016 të SHBA, agjencitë e shërbimeve të fshehta të presidentit Vladimir Putin, tani po ndërhyjnë me marifetet e tyre në Evropë, duke përfshirë edhe fuqitë më të mëdha ekonomike të kontinentit: Gjermaninë dhe Francën.

Shënjestrat e menjëhershme të ndërhyrjes kibernetike ruse janë Emmanuel Macron, kandidati favorit në raundin e dytë dhe të fundit të zgjedhjeve presidenciale të Francës, që do të mbahet në, si dhe think tank-et e lidhur me kancelaren gjermane Angela Merkel, koalicioni qeverisës i të cilës përballet me zgjedhjet e përgjithshme këtë vjeshtë.

Ashtu si Hillary Clintoni, fushata e së cilës ishte njësoj në shënjestrën e Kremlinit, as Macroni dhe as Merkeli nuk kanë hezituar, për të dënuar agresionin e Moskës në Ukrainë. Ata kanë mbështetur sanksionet ekonomike kundër Rusisë, që e kanë zemëruar Presidentin Putin.

Rezultati ka qenë një seri e vazhdueshme sulmesh kibernetike me origjinë nga Moska, sipas të gjitha gjasave, të udhëhequra nga shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse. Përveç Macronit dhe Merkelit, në shënjestër kanë qenë ministritë e jashtme dhe të mbrojtjes të Danimarkës, një vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Kjo është pjesë e një lufte të vazhdueshme nga ana e Rusisë në këtë terren,” tha ministri danez i mbrojtjes, Claus Hjort Frederiksen, “dhe kjo është një luftë e përjetshme për t’i mbajtur larg”.

Në mesin e stuhisë së raportimeve rreth lajmeve të rreme të orientuara nga Rusia, phishing, faqet e internetit të rreme dhe strategjitë e tjera të vëna në zbatim nga gjahtarët kibernetikë të Putinit, është e rëndësishme përqendrohesh në faktin qendror – domethënë se Kremlini, pasi pati sukses në korruptimin e politikës amerikane vitin e kaluar, tani është duke synuar rrëmbimin e zgjedhjeve, tiparit më themelor të demokracisë, në vende të tjera perëndimore.

Kjo është arsyeja pse republikanët e kongresit që drejtojnë hetimet për zgjedhjet e vitit 2016, duhet të bëjnë punën e tyre. Ndërhyrja ruse është një sulm ndaj vlerave thelbësore amerikane, jo një çështje partiake.

Në muajin shkurt, fushata e Macronit tha se kishte zbuluar më shumë se 2,000 përpjekje për të sulmuar fushatën e saj – shumica mendohet të kenë patur origjinën në Rusi – duke përfshirë sulmet kibernetike që rrëzuan faqen e saj të internetit, dhe një seri përpjekjesh për të hyrë në llogaritë e postës elektronike të zyrtarëve të fushatës, ndoshta në një përpjekje për të mbledhur informacione komprometuese, që më pas mund të përdoreshin si levë, një taktikë kjo e preferuar e Kremlinit.

Taktikat e Moskës janë të projektuara për të favorizuar kandidatin e preferuar të saj, në balotazhin e 7 majit: Marine Le Pen, një nacionaliste e krahut të djathtë, e cila ka marrë hua nga bankat ruse, ka kundërshtuar sanksionet kundër Moskës dhe është tallur hapur me BE-në. Politikat e saj do të dobësonin Europën dhe do të fusnin një pykë në mesin e demokracive perëndimore – pikërisht “kthimin e investimit”, që shpreson `presidenti rus. / The Washington Post – bota.al

Share: