Home KRYESORE Bekim Fehmiu shqiptari i roleve të mëdha, “Odisea” që gjeti Itakën por...

Bekim Fehmiu shqiptari i roleve të mëdha, “Odisea” që gjeti Itakën por që vdiq zemërplasur për Kosovën

Nga Albert Vataj

Ai zgjodhi të ikte ndryshe ngase u rrek në hamendje fikja e një ylli si ai. Udhët për të shtegtuar për në amshim të këtij shpirti të paepur, me gjas duhet domosdo të kalonin nga jehona e të shtënës së një arme 15 qershorin e vitit 2010. Çdo vdekje është kaq e trishtë dhe pikëlluese, lë kaq zbrazëti dhe mungim, por ajo e Bekim Fehmiut mbeti një ndalim i hapit që dot nuk e çoi atë trup të molisur nga vitet, e drobitur nga vragët e shpirtit, në cakun e dorëzimit të grahmës së fundit. E shterri fryma atje ku nuk e ngopi ajri. U shua për të ndezur dhembje. Iku për të mbetur atypari, me zë dhe me figurë të shumësuar në kujtesën e monumentit që ngriti aq lart.

Bekim Fehmiu shqiptari i roleve të mëdha, "Odisea" që gjeti Itakën por që vdiq zemërplasur për KosovënVdekja e Bekim Fehmiut nuk ishte një ndarje e çfarëdoshme, nuk ishte vdekje krejt e beftë. Ajo ishte një sprove e një vullneti të drobitur nga mosha dhe sëmbimet në zemër dhe në shpirt, ishte një ikje e zëshme dhe plot poterë. Disa vite para vdekjes, ai zgjodhi heshtjen si armë, zgjodhi një lloj mënjanimi, mirëpo edhe heshtja e tij fliste, edhe mungimi i tij dëgjohej jehues.

Filmat që i skaliti me daltën e pasionit dhe përkushtimit, talentit dhe sakrificës dëshmojnë te ai Orfeun e skenës, dëshmojnë cakun që e ngjiti atë në panteonin e famës. Në gjithçka që përbën veprën e tij skenike dhe kinematografike, Bekim Fehmiu, mbetet e pashembullt, kurse heshtja që e veshi atë si një breror ishte një mosbzamje prej mllefi, pakënaqësie dhe pezmi.

***

Bekim Fehmiu ishte një aktor Shqiptar nga Kosova. Lindi në Sarajevë më 1 qershor. Rrjedh nga një familje e njohur gjakovare. Babai i tij, Ibrahim Fehmiu, ishte patriot i shquar, njëri ndër mësuesit e gjeneratës së parë në Kosovë dhe propagandues i madh i arsimit në gjuhën shqipe.

Sot 7 vite më parë më 15 qershor 2010, Bekim Fehmiu, 74 vjeç është gjetur i vdekur në banesën e tij në lagjen Zvezdara në Beograd. Arma me të cilin ka kryer aktin e vetvrasjes, nga burimet e policore të asokohëshme bëhej e ditur se ishte e regjistruar në emirin e tij.

Bekim Fehmiu shqiptari i roleve të mëdha, "Odisea" që gjeti Itakën por që vdiq zemërplasur për KosovënKëtë moment tragjik, Fahri Musliu, gazetar dhe një mik i aktorit me famë botërore e kujton në monografinë “Bekim Fehmiu, Odise i Kosovës”.

Pjesë nga libri: “Diku kah ora 14:00 kam shkuar te parukierja për të rregulluar flokët dhe Bekimi si zakonisht më ka përcjellë deri te dera duke më puthur. Jam kthyer diku pas orës 15:00 dhe nga dera e hyrjes së banesës i them ‘Beko shihe çfarë frizure kam’. Nuk dëgjoj kurrfarë reagimi. Hyra në dhomën e ditës, shoh se nuk është aty, kaloj në dhomën e fjetjes, as aty nuk e gjej. Thërras nëpër banesë, por nuk marr përgjigje.

Pastaj hyra në dhomën e tij të punës, dhe shoh se është në krevat i mbuluar me çarçaf dhe në kokë ka një peshqir. Prapë i them: ‘Beko, pse nuk më flet, shihe çfarë frizure kam’. Nuk ka përgjigje. I afrohem, i hoqa peshqirin nga koka dhe shoh se Bekimi kishte bërë vetëvrasje. Nga tëmthi ku kishte shti me pistoletë i kishte rrjedhë mjaft gjak, kurse pistoletën e kishte shtrënguar në dorë, e në tavolinën e vogël pranë kompjuterit pash dy letra të vogla lamtumire për mua me fëmijët dhe për vëllezërit në Prishtinë, me nga një fjali. Thirra me të shpejtë djalin, Hedonin, e pastaj lajmëruam dhe policinë me mjekun, i cili konstatoi vetëm vdekjen… Heshtje… I dashur Fahri, Bekimi e paska përgatitur deri në perfeksion vdekjen e tij, e unë nuk kam vërejtur asgjë të dyshimtë edhe pse kohët e fundit ka qenë mjaft i nevrikosur për shkak të dobësimit të pamjes së syve, nga goditja në tru që ka pasur pas vitit të ri, edhe pse mjeku i syve dhe psikologu çdo ditë i thoshin se çdo gjë do të rregullohet shpejt, por duhet të duroj…”

Bekim Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai konsiderohet gjithashtu si aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

Bekim Fehmiu shqiptari i roleve të mëdha, "Odisea" që gjeti Itakën por që vdiq zemërplasur për KosovënU martua Branka Petric dhe kishte dy djem. Shqipërinë e ka vizituar në vitin 1972 dhe nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për të. Në të gjithë hapësirėn ballkanike është gati në përmasat e një miti. “Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodhë as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri- tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen”,-shprehet ai.

Galeria e krijimtarisë së tij interpretuese është e larmishme dhe e vlerësuar. Starton në këtë kolanë me “Prova speciale”, për të vazhduar me “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, përmenden si kryevepra. Nga filmat e para ka qenë “Ko puca otvorice mu se”, “Vitet e nxehta”, “Protesta”, “Eskadrionet e partizanëve” dhe “Të kuq dhe të zinjë”. Ai ka bashkëpunuar me John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Show, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale etj. Ka interpretuar në shqip, sërbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, në spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht.

Bekim Fehmiu ishte një nga artistët më të mëdhenj shqiptarë. Nga viti 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.

Bekim Fehmiu shqiptari i roleve të mëdha, "Odisea" që gjeti Itakën por që vdiq zemërplasur për Kosovën“Në shenjë proteste ndaj propagandës antishqiptare dhe të përhapjes së urrejtjes ndaj popullit shqiptar, babai im, në vitin 1987, e la demonstratvisht shfaqjen “Madame Collontein” (Agnette Pleyal), në të cilën luante Leninin dhe Stalinin, dhe ndahet përfundimisht e publikisht nga aktiviteti artistik në ish-Jugosllavi”, shkruan i biri i tij Uliksi, sot aktor në Amerikë, në hyrjen e librit me kujtime të Bekimit, Blistavo i strašno (E shkëlqyer dhe e tmerrshme), publikuar nga shtëpia botuese “Samizd” në Beograd, në vitin 2002. Atë libër tronditës, Bekimi e fillon me vargjet e Carl Goldonj-it për Dalmacinë: “Në tokë Ilire kam lindur, këtë nuk e mohoj, në dejet e mia qarkullon i njohuri gjaku im famëlartë, gjaku i heronjve të shquar, vend i lavdisë së përjetshme, ku fjala e dhënë është më e rëndësishme se jeta, që shkëlqimin e sojit të vet e dëshiron mbi të gjitha”.

Në atë libër ai flet mbi jetën e vet, janë fjalët e njeriut të talentuar, mbi thyerjet e tij shpirtërore dhe mbi odisenë e tij vetjake, nga megaylli beogradas deri te i dëbuar si shqiptar.

Duke kujtuar ngrohtësinë e Sarajevës, Prizrenit dhe Shkodrës, ai kujtohet edhe për çastet në to, dehjen e kotësisë dhe famën, jetën e kurorëzuar me dafina, por çdo herë i përballur me mallkimin e identitetit dhe përkatësisë.

Saga e tij familjare, brohoritjet në arenat e tejmbushura dhe vetëpërndjekjen e tij, solidariteti i tij me popullin e vet dhe pamundësia për t’i ndihmuar dhe ndalur të keqen dhe vrasjet, e çoi t’i jepte fund jetës duke qëlluar mbi kokën e vet.

Bekim Fehmiu shqiptari i roleve të mëdha, "Odisea" që gjeti Itakën por që vdiq zemërplasur për KosovënNë lajmin e vdekjes së tij ndermendim një rrëfenjë, të cilën kohë më parë e ka rrëfyer poeti kroat, Petar Gudelj. Duke shëtitur lartësive te Biokovës, poeti kishte dëgjuar një herë një këngë të trishtuar dhe kënduar në gjuhë të pakuptueshme, e cila vinte nga maja lart. Duke shkuar pas këngës, ai ndeshi një grup punëtorësh ndërtimi. Ishin shqiptarë që po ndërtonin një farë shtëpie bjeshkatarësh. “Ishte kohë pasdreke, ata kishin pirë pak verë dhe këndonin”, tregonte Gudelj. “Disa këngë shqiptare, shumë të bukura dhe të trishtueshme. Unë po mendoja, asgjë s’po kuptoj, por ky bar dhe kjo tokë e kupton shumë mirë këtë gjuhë”.

Vetëm ai bar i Biukovës e kupton dorën pse dhe për çfarë e tërhoqi këmbëzën dhe ndërpreu jetën e aktorit më të madhit shqiptar dhe jugosllav të shekullit të njëzetë. Pjesëtar i atij populli, ku fjala e dhënë është më e rëndësishme se jeta.

Share: