Nga Agron Gjekmarkaj
Kush e ka ndjekur historinë e Edi Ramës si personazh publik dhe pastaj si politikan, nuk do të habitej aspak nëse një ditë ai do të shfaqej i veshur si “Hajduti i Bagdadit”, pasi ka konsumuar një sërë bëmash ekzotike, sidomos gjatë kësaj fushate. Pritshmëritë tona rrinë të tendosura në shteg të kuriozitetit tanimë i mësuar me çmeritjen. Kryeministri ynë gjatë kësaj fushate, lutese po shfaqet i butë si mëndafsh, lozonjar e hokatar, vende-vende shpirt njeriu dhe i sinqertë deri në poezi. Nuk oshëtin e bubullin, nuk bucet e nuk kërcet as kur thotë do të bëjmë shtet. Të bëhet ndërgjegjja si çamçakiz nga tendosja kur ia mbërrin me trok mendimi se shpesh i kemi rënë në qafë me akuza prej të cilave nxjerrin sytë xixa. Dhe s’ia kemi kursyer për hir të vërtetës, shumë prej të cilave i ka patur hak si i vorfni bukën.
Yshtet njeriu i shkretë të mendojë se ky është Rama i vërtetë, babaxhan e esnaf nëse kujtesa do të na rrokollisej në gjumë shelegu. Teksa presim ndonjë bëmë që të na e marrë frymën nga kureshtia, ai ende nuk i ka rrëmbyer zemrën ndonjë fshatarke hyzmeqare e as nuk i është hapur mali me formulën magjike “hapu Sezamo” për të mbushur duqtë me florinj e pastaj të darovisë të vluarën dhe ca nevojtarë të tjerë ndanë xhadesë, në periferi apo atje tej poshtë përroit.
Eh sa mirë do të ishte po të vidhte subjektin e përrallës arabe se kështu nuk do të na përvetësonte kombëtaren e futbollit. Por teksa prisnim ekzotizmin, na la me gisht në gojë se na vodhi kombëtaren. Këtë s’ia kishim borxh as atij e as atyre që e ndihmuan për ta bërë hajninë. Ai ka shti në rixha dy lojtarë të kombëtares Sadikun dhe Hysajn me na mbushë mendjen se sa djalë flori e udhëheqës i punëve të hazërta është ai.
Një gjest i paprecedentë ky i përdorimit politik të futbollistëve kuq e zi. Te kombëtarja e futbollit bashkoheshim të gjithë pa dallime politike, krahinore e fetare. Me shallin kuq e zi në qafë me mijëra shkonin në stadium, njësoj zhurmaxhinj socialistë e demokratë, ballistë e legalistë, komunistë e nacionalistë. U thahej fyti nga brohorimat e ndonjërit mund t’i merrnin poturet flakë nga ndezullia patriotike kur shënohej gol. Përqafoheshin plot emfaze kundërshtarët duke lëshuar pështymë me bollëk në faqet e njëri-tjetrit përzier me profum hudhre, qoftesh e birre.
Plot dalldi e thagem për këtë qerrata vatan për të cilin njëmbëdhjetëshja në fushën e blertë vraponte sikur të kishte miza nën kë- sulë në kërkim të lavdisë, turrej tifozëria mbi armiqtë të cilëve u erdhi vakti të lajnë lëmin.
Nuk ishim mësuar t’i shihnim golshënuesit e formacionit të bënin spote për ndonjë parti politike. Do të donim ta kujtonim Sadikun për golin ndaj Rumanisë dhe Izraelit e jo për hyzmetin ndaj Kryeministrit. Ne e dimë që politika shpesh ka tentuar t’i përdorë njerëzit publikë artistë e shkrimtarë në dukje larg saj. Në ndonjë rast edhe ia ka dalë, por shija që kanë lënë te shqisat e opinionit ka qenë e keqe. Të ngjan sikur sapo je takuar me mjerimin shpirtëror.
Dukej si tabu që nuk do të cenohej kombëtarja e futbollit. Por Edi Rama e mposhti edhe këtë mit. Shenjat e përdorimit i dha menjëherë pas Kampionatit Europian, kur bëri çka mundi që të dukej ai trajneri i vërtetë e jo De Biasi, të cilin e larguan me hile otomane, ndonëse e meriton mirënjohjen pa kushte dhe të përhershme.
Sadiku dhe Hysaj ia kushtuan golat Kryeministrit sikur t’i kishim çuar në luftë e jo në ndeshje me Izraelin. E lyen e qyen plot me lavde, aq shumë lavde sa dukej sikur po recitonin një tekst, të cilin nuk e besonin as vetë. Një tekst që edhe nëse nuk duan tifozët shqiptarë, do ju ngjisin në cv po aq me të njëjtin zell edhe Edi Ramës.
Ata e gëzuan Edi Ramën dhe ndonjë militant të PS-së, por sigurisht janë zvogëluar disa fish përballë qytetarëve dhe tifozëve të këtij vendi. Kudo në Europë profesionistët e futbollit përpiqen të mos ndajnë, por të bashkojnë me forcën e shembullit dhe jo të shfaqen si shërbëtorë të pushtetit me shembullin e dobësisë karakteriale.
Pasi kanë dhënë disa shfaqje të ndasisë fetare disa prej djemve të kombëtares po ua shesin fanellën kuq e zi partive politike, të cilat e kanë zhgrryer imazhin e Shqipërisë ndër vite si ndo zot me keq me veset e tyre që janë bërë edhe veset tona.
Dje doli lajmi i një takimi të konkretizuar me foto ndërmjet Donalt Tramp dhe Lulzim Bashës. Mbetet për t’u parë sa oksigjen do sjellë në kampin e opozitës dhe ambicieve të saj për pushtet dhe sa do të përdoret për përballjet brenda PD pas 25 qershorit. Gjithsesi kemi të bëjmë me një lajm të mirë jo vetëm për Kryetarin e PDsë, por edhe me përtej. Politikisht ky është një haber i keq për Edi Ramën, i cili pikërisht në lidhje me të, kur ai ishte ende hipotetik, tallej sa buzëqeshja cinike mbërrinte vesh më vesh.
Fotografia e Bashës me Tramp, ndaj së cilës retorika me kahje të ndryshme do rritet me shpejtësi drite në mes të fushatës elektorale, mund të përcjellë mesazhe dekurajimi për shefin aktual të maxhorancës dhe sidomos për elektoratin e tij. Rama ka shfaqur herët mjeshtëri në krijimin e kundralajmeve. E ka këtë eksperiencë qysh nga koha e vizitës së Bushit. Mbetet për t’u parë nëse Sadiku dhe Hysaj bënë thjesht një autogol para shqiptarëve apo një gol në portën e Lulzim Bashës, i cili në portë ka vendosur foton me Tramp./360grade.al