Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për dy inspektorë të Inspektoriatit Shëndetësor, që dyshohet se në këmbim të parave pajisnin bizneset e ndryshme me çertifikatën e pastërtisë së ambientit.
Në bazë të hetimeve të deritanishme të Prokurorisë së Shkodrës, rezulton se inspektorët Dritan Geci dhe Milseva Milla merrnin nga 4 mijë deri në 10 mijë lekë për t’i pajisur bizneset me çertifikata dizifektim-dezinsektim, të cilat për më tepër rezultojnë që janë të falsifikuara.
Pas kontrolleve të kryera tek subjekte të ndryshëm tregtare, dy inspektorët kanë konstatuar se afati i vlefshmërisë së çertifikatës së shërbimit për dizifektim-dezinsektim-deratizim kishte mbaruar ose subjektet nuk ishin të pajisur fare me një të tillë.
Në këto kushte, ata kanë kontaktuar privatisht me subjektet e interesuar dhe iu kanë ofruar atyre një çertifikatë shërbimi dizifektim-dezinsektim-deratizim lëshuar nga shoqëria “Neo-Vita” shpk, e cila rezulton të ketë pezulluar aktivitetin e saj tregëtar që në datën 7 Janar 2015, kundrejt një shuma të ndryshme lekësh, të cila më pas i kanë përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme