Home KRYESORE Kufizimi i lirisë cënon jetën njerëzore

Kufizimi i lirisë cënon jetën njerëzore

Nga Enver Bytyçi

Të kesh një synim, një qëllim të caktuar ose më shumë akoma një mission, do të thotë të jesh gjallë me trup, me mendje e me shpirt. Në të kundërt jeta e njeriut bëhet e pakuptimtë, madje ajo shkurtohet në përmasat e motivimit për jetën.

Shpesh herë thuhet se “Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër”. Kjo është e provuar në praktikë. Në rrethana ekstreme, kur mund të mos shohësh asnjë mundësi për t’i mbijetuar rrezikut, ndodh që njeriu ia hedh paq. Bëhet jetëgjatë. Kjo ndodh, sepse njëriu jetëgjatë nuk e ka kryer misionin e tij të jetës. Ai mbrohet nga Zoti dhe engjejt e tij jo për shkak të fuqisë fizike të tij, por për shkak të misionit të papërfunduar në këtë botë, në të cilën ai ka ardhur ose riardhur disa herë.

Në këtë pikëpamje qëllimi i jetës së njeriut merr një domethënie gati hyjnore. Njerëzit pa qëllime, pa objektiva, pa ambicje për të lënë gjurmë në këtë botë, në të cilën jetojnë, e kalojnë kohën në rrëmujë, e për pasojë asnjëherë nuk ndjehen të lumtur. Pastaj i drejtohen drogës, pijes dhe shfrenimit për të larguar stresin e tyre. Uroj të jëm i gabuar, por njerëz të tillë mund t’i pikasin gjithashtu piramidës së shtetit.

Këta njerëz nuk ndjejnë në jetën e përditshme ndonjë sadifaksion të veçantë për atë që bëjnë, Disa prej tyre besojnë se tashmë jeta ka marrë fund dhe shkojnë drejt fundit të pashpresë. Të tjerë besojnë se qëllimet e jetës kufizohen vetëm te profesioni, te familja, te gjendja financiare dhe te rrethanat e tjera të saj.

Por më të privuarit nga të shijuarit e jetës janë atë që besojnë në një gjysmë liri, në një liri njerëzore relative, të kushtëzuar me ekzistencën e të tjerëve, më së shumti me ekzistencën e shtetit, të idoleve që kanë krijuar, të emrave të përveçëm, të cilëve u besojnë më shumë sesa Zotit. Kjo situatë e trishtë shfaqet fatkeqësisht ndër ne shqiptarët prej dekadash. Aktualisht këtë gjendje amorfe e shfrytëzojnë pikërisht ata që duan të adhurohen prej të tjerëve, pra, udhëheqësit tanë, liderët ose lideri ynë suprem i Ballkanit!

Një shije të tillë ka lënë kjo fushatë elektorale në mbyllje. E gjitha i ka ngjarë një skenari, sipas të cilit, lideri duhet adhuruar edhe pse në këtë vend ka sjellë varfërinë, drogën, kriminalitetin, vjedhjen me koncensione, papunësinë, emigracionin masiv të shqiptarëve, plehërat e Europës dhe konceptin e varësisë së lirisë njerëzore nga fuqia e shtetit!

Ne duhet të kuptojmë se jeta njerëzore ka qëllimin, objektivin e saj. Dhe qëllimi e objektivi është ndjesi e brendshme e njeriut, por ndikohet gjithashtu nga rrethanat e jashtme. Ndjesia e brendëshme duhet ta dominojë subkoshiencën njerëzore. Ndikimi i faktorit të jashtëm, ku bën pjesë dhe qeverisja, nëse tejkalon përmasat, e kufizon lirinë njerëzore, e ndrysh atë, e fut në kornizat e shtetit dhunues dhe bën që iniciativa private, iniciativa e lirë të shndërrohet në kufijtë e asaj iniciative, të cilën shqiptarët e kanë përjetuar në periudhën e diktaturës komuniste.

Më 25 qershor na jepet një mundësi që të shfaqim përmasat e plota njerëzore të lirisë dhe iniciativës sonë. Më 25 qershor shqiptarët kanë shansin ta dëshmojnë fuqinë e tyre dhe të rikthejnë forcën e lirisë, pa të cilën ne si komb kurrë nuk do të konkurojmë me dinjitet komshinjtë tanë në rajon, aq më pak vlerat dhe arritjet e Europës Perendimore. Eshtë në dorën tonë të dëshmojmë se jemi të lirë të vendosim për qëllime dhe objektiva të mëdha! Eshtë në dorën tonë t’i themi po një perspektive, të cilën ne e meritojmë të gjithë së bashku. Një votë e gabuar ne drejtim të paditur do të jetë ndëshkim për të ardhmen tonë në liri!

Share: